I mbijetuari i Masakrës së Dubravës rrëfen ditën kur u vranë mbi 80 të burgosur shqiptarë

Aktuale

I mbijetuari i Masakrës së Dubravës rrëfen ditën kur u vranë mbi 80 të burgosur shqiptarë

Më: 19 maj 2022 Në ora: 18:04
Sadik Zeqiri

Sadik Zeqiri, i mbijetuar i Masakrës në Burgun e Dubravës ka rrëfyer  se si ka shpëtuar nga kjo masakër 23 vjet më herët. Ai ishte plagosur më 22 maj 1999, dhe plumbin e mban ende në trup.

Zeqiri ka treguar për ditën e datës 22 maj 1999 kur mbi 80 të burgosur shqiptarë ishin vrarë nga gardianët serbë në oborrin e burgut.

“Na kanë thirrë me megafon që të afrohemi afër mureve sepse po duan të na njoftojnë se po na largojnë nga burgu i Dubravës. Unë dhe Rasim Selmani jemi vonuar për të hyrë në rresht, kur kemi shku i kemi parë njerëzit duke u vrarë nga lart nga gardianët. Të gjithë kanë filluar të gjuajnë në drejtim tonin, kemi fillu zhagaz te një pjerrtësi e tokës, aty jam plagosur edhe unë, dhe kam vrapu. Aty janë vra diku 80 të burgosur, të plagosur kanë mbetur shumë. Jemi detyru me ikë kah kemi mundur, pas një gjys ore ka fillu me u zvogëlu intensiteti i gjuajtjeve. Pastaj kemi gjetur të plagosur, të vrarë. E gjithë dita e datës 22 maj 1999 ka vazhduar kështu. Gardianët s’janë ndalur. Unë jam plagosur anash në trup dhe plumbin e kam ende në trup”, ka thënë ai.

Zeqiri ka treguar për torturat nga gardianët dhe të burgosurit serbë në burgun e Dubravës.

“Të burgosurit serbë kanë kalu në anën e gardianëve, janë armatosur dhe na kanë dalë përpara, disa serbë të burgosur i kanë rrahë të burgosurit shqiptarë, ata kanë bë çfarë kanë dashur sepse ishin të armatosur. Unë kam qenë në burgun e Dubravës prej datës 15 mars 1999 ndërkaq me datën 29 prill i kanë sjellë të gjithë të burgosurit shqiptarë që kanë qenë në burgjet e Serbisë në Burgun e Dubravës. Aty i kanë sjellë aty të burgosur të tjerë shqiptarë kudo që i kanë zënë policia serbe. Sa herë që e kanë bërë ndërrimin ne jemi rrahur prej gardianëve, sa herë që na kanë sjellë bukën na kanë rrahë. Ka fillu në orën 7 të mëngjesit deri në 7 të mëngjesit tjetër. Për çdo ditë”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka thënë se për fillimin e bombardimeve të NATO-s kanë kuptuar nga të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty.

“Ne i dëgjonim bombardimet dhe luftimet afër burgut në fshatin Shushicë. Jashtë burgut i kishin sjellë një mijë bagëti. Neve na njoftuan të burgosurit tjerë shqiptarë që na sillnin bukën se NATO do të fillojë bombardimet e tyre”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat