Ngritja e çmimeve| Deri në 700 euro kostoja e një familje për t’i mbuluar shpenzimet elementare

Aktuale

Ngritja e çmimeve| Deri në 700 euro kostoja e një familje për t’i mbuluar shpenzimet elementare

Më: 21 maj 2022 Në ora: 10:44
Ilustrim

Shpenzimet mujore të një familje në Kosovë për të përmbushur vetëm nevojat elementare sillen nga 500 deri në 700 euro.

Kjo sipas ekspertëve kjo shifër ndryshon dhe nuk është e njëjtë për të gjithë, ngase dallimet në mënyrën e të jetuarit janë shumë të mëdha, nga varfëria ekstreme e deri te jeta luksoze.

Në këtë shumë ka ndikuar edhe ngritja e çmimeve për artikujt ushqimor bazik, vlerësojnë ata.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se kostoja mesatare për të mbuluar shpenzimet e një familjeje duke pasur parasysh edhe çmimet e ngritura nuk e mbulojnë as 500 euroshin.

“Nën 300 euro, një familje 5 anëtarësh është nuk di a mundet me qit. Po flas për ato nivelin më të ulët. Po me marr një standard normal 500 euro nuk e mbulojnë”.

Përderisa njohësi i rrethanave ekonomike Erton Bega, thekson se për të plotësuar nevojat mesatare të një familje kosovare, kosto duhet të jetë afro 700 euro në muaj.

“ASK, ka vite që nuk publikon raportin e anketës mbi buxhetin e ekonomive familjare. Raporti i fundit që është publikuar është i vitit 2017 apo 2018. Sipas këtij raporti një familje mesatare në Kosovë shpenzon në koston e jetesës mesatare, diku mbi 600 euro në muaj. Sigurisht që nëse sot llogaritet inflacioni, i cili ka ngritur të gjitha çmimet, kjo është një kosto më e lartë dhe duhet të jetë afër 700 euro në muaj”.

Ai thotë se ekonomia jonë varet nga diaspora e se zakonisht kur ata janë prezent Kosova mund të konsiderohet jetë luksoze pasi konsumi i produkteve të shtrenjta rritet.

“Kosova nuk është vend i lirë. Kostoja e jetesës në Kosovë është më e shtrenjtë se sa në vendet e rajonit, kjo qoftë për shkak të politikave fiskale në aspektin e tatimit në vlerën e shtuar, qoftë përmes dallimit që eksiton në shtresat shoqërore. Ne jemi një ekonomi që varemi shumë nga diaspora dhe remitancat. Zakonisht në periudhën e verës kur ata janë prezent, jeta në Kosovë mund të konsiderohet luksoze sepse konsumi rritet i produkteve më të shtrenjta”.

Por sipas Begës dallimi ndërmjet shtresës së pasur dhe asaj të varfër është shumë i madh.

“Problemi më i madh i ekonomisë tonë është që ne shtresën e mesme e kemi shumë të vogël thuajse inekszistente. Diskrepanca që është ndërmjet shtresës me të hyra të ulëta dhe asaj me të hyra të larta është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë sepse diferencat janë shumë të mëdha dhe përballimi me problemet është i ndryshëm”.

Edhe ish-ministri Shatri thotë se ka dallim mjaft të madh të shtresës së pasur dhe asaj të varfër në vend, duke bërë krahasime me pushimet luksoze në Dubai.

“Po po thellohet dallimi, po shihet. Do të thotë e sheh në çdo hap që e bënë në jetën normale, në rrugë, dikush ka vetura luksoze dikush s’ka hiç. Dikush shkon çdo javë në pushim javor të paktën deri në Shqipëri ose disa që munden me shkuar edhe në Dubai”.

Shatri thekson se në Kosovë ka varfëri ekstreme si dhe është vendi më i pazhvilluar në Evropë.

“Po, shumë. Kosova është vendi më i pa zhvilluar në Evropë. Nuk e di me Moldavinë po e krahasojnë nganjëherë po flas me këtë pjesën e Ballkanit sidomos është vendi më i pazhvilluar edhe më i varfër. Është shumë absurde qysh mundet një vend me kaq shumë pasuri natyrore, me kaq shumë varfëri prezentë. Që i bie që është dobësi e menaxhimit me pasurinë e vendit”.

Sa i përket pagës minimale të propozuar, Shatri konsideron e nuk i plotëson nevojat e një familjeje dhe se ky propozim i Qeverisë është “lojë e mashtrim”.

“Kjo ekzistuesja hiç se hiç. Edhe kjo e propozuara jo nuk i plotëson. Edhe kjo që nuk është në fuqi ende, nuk është aprovuar duket që është njëfarë loje këtu. Propozohet, opozita kërkon të ngitet ajo, pozita e ka propozuar vetë e vetë nuk i bënë numrat me votuar. I ka mbi 50% të votave në Kuvend edhe si bëhen deputetët e vetë. Është një lojë, duket që është një mashtrim”.

Edhe Bega thotë për EO se paga minimale nuk e zgjidh komplet problemin social për shkak se do të preken shtresat të cilat paguhen më së paku.

“Paga minimale është mirë që është iniciuar të ndryshohet dhe të rritet sepse për 14 vite nuk është ndryshuar asnjëherë. Mirëpo kjo nuk zgjidh komplet problemin social të cilin e ka Kosova sepse me pagë minimale do të preken shtresat të cilat paguhet më së paku”.

Ai thekson se papunësia ndikon në rritjen e nivelit të varfërisë sidomos në zonat rurale.

“Sigurisht që varfëria mbetet një problem jashtëzakonisht i madh. Familjet të cilat jetojnë në skema sociale marrin të hyra jashtëzakonisht të vogla nga buxheti i Kosovës prandaj, papunësia e lartë ndikon rritjen e varfërisë dhe shumë familje sidomos në zona rurale vazhdojnë të ballafaqohen me sida të jetesës pasi që të hyrat të cilat i’a ofron shtet në baza mujore janë të pamjaftueshme për të mbuluar koston minimale të jetesës”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat