A ka ndërruar qëndrim Holanda për liberalizimin e vizave për Kosovën? Flasin nga ambasada në Prishtinë

Aktuale

A ka ndërruar qëndrim Holanda për liberalizimin e vizave për Kosovën? Flasin nga ambasada në Prishtinë

Më: 24 maj 2022 Në ora: 09:21
Ilustrim

Zëvendësshefi i misionit në Ambasadën e Holandës në Prishtinë, Peter van de Bloemen, në një përgjigje ka thënë se shteti i tij e mbështet Kosovën në reformën në fushën e sundimit të ligjit.

Ai thotë ine se progresi i arritur në këtë fushë është i rëndësishëm dhe faktor kyç për liberalizimin e vizave për Kosovën.

I pyetur për qëndrimin e shtetit të tij rreth heqjes së vizave, ai ka thënë se i takon Këshillit të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij që të diskutojnë dhe bien dakord për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Progresi në këto reforma në rend të parë është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Për më tepër, do të mbështesë gjithashtu ambicien e Kosovës për udhëtim pa viza. I takon Këshillit të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij që të diskutojnë dhe bien dakord për liberalizimin e vizave për Kosovën pasi të jetë në agjendë".

Ai ka përmendur mbështetjen që Holanda ka për qeverinë e Kosovës sidomos në luftën kundër korrupsionit në nivelin e lartë dhe krimit të organizuar.

“Ne mbështesim qeverinë e Kosovës në agjendën e saj ambicioze të reformës së Sundimit të Ligjit, veçanërisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, tha ai.

Zyrtari holandez ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrah Qeverinë e Kosovës dhe institucionet gjyqësore, organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme të sundimit të ligjit.

“Ndërkohë, Holanda do të vazhdojë të ndihmojë qeverinë e Kosovës, institucionet gjyqësore dhe organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme për sundimin e ligjit”, tha ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim vizash, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për këtë proces.

Ditë më parë përmes një shkrimit të përbashkët, eurodeputeti Thijs Reuten dhe aktivisti i Stefan van Dijk kanë bërë thirrje që Holanda të heq bllokadën për liberalizimin e vizave për kosovarët, duke e cilësuar atë si të “pakuptimtë”.

Përveç Holandës, Franca është shteti tjetër i BE-së që është skeptik për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat