Njeriu i LDK-së që u arrestua sot në aksionin “Brezovica” ishte i dënuar për korrupsion për tenderin milionësh

Aktuale

Njeriu i LDK-së që u arrestua sot në aksionin “Brezovica” ishte i dënuar për korrupsion për tenderin milionësh

Më: 26 maj 2022 Në ora: 13:14
Xhelil Bekteshi

Aksioni ‘Brezovica’ ka vazhduar edhe ditën e sotme ku në pranga kanë rënë katër persona, në mesin e tyre edhe ish-sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës.

Media mëson brenda burimeve të sigurta se ish-sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës që u arrestua sot është Xhelil Bekteshi.

Sipas Prokurorisë, personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”, shkruan insajder.

Xhelil Bekteshi ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës në kohën kur këtë dikaster e drejtonte Lutfi Zharku i LDK-së.

Në kohë sa mbante këtë pozitë Bekteshi akuzohej për ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Ishte ishte shpallur fajtorë për korrupsion dhe ishte dënuar me burgim prej 3 vite burgim.

Ai po ashtu ishte gjobitur me 30 mijë kompensim.

Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Sipas aktakuzës, Bekteshi akuzohej se gjatë vitit 2016 derisa ishte Sekretar i Përgjitshëm në MI, në cilësinë e personit zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që i njëjti në mënyrë që t’i mundësojë operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, me dashje e ka obliguar zyrtaren e arkivës Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistrojë vendimin me të cilin është ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofetave për projektin “Zgjerim i rrugës nacionale N-9, segmenti: Gjuregjicë-Kievë”, i cili vendim mban datën 23 qershor 2016 dhe regjistrohet më 3 maj 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet operatorit ekonomik “Sallahu”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Para se ta merrte këtë pozitë Bekteshi ka qenë drejtor i buxhetit në Komunën e Prishtinës, në kohën kur drejtohej nga Isa Mustafa.

Aksioni ishte zhvilluar në gjashtë lokacione të ndryshme ku janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celular, laptop dhe dokumente të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat