Vrasja në pritë e luftëtarit Hajdar Ahmeti (Dushi) / 19 vjet pas vrasjes së hetuesit policor, asnjë i arrestuar

Aktuale

Vrasja në pritë e luftëtarit Hajdar Ahmeti (Dushi) / 19 vjet pas vrasjes së hetuesit policor, asnjë i arrestuar

Nga: Idriz Morina Më: 26 maj 2022 Në ora: 14:16
Polici hetues dhe luftëtari Hajdar Ahmeti

Babë e birë, kishin zgjedhur t’i shërbenin atdheut. Hasani, babai dhe i biri Hajdari, ishin pjesëmarrës në Betejën e lavdishme të Koshares.

Plumbave të luftës u qëndruan që të dy. Nuk pësuan asnjë goditje. I biri Hajdari, ishte shkolluar në Akademinë Policore në Tiranë, dhe i vazhdonte studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Por, gjatë luftës, i kishte ndërprente studimet. Kishte vendosur të luftonte, dhe mund të vritej për atdhe!

Goditje familjare

Hajdar Ahmeti, do të fillonte të punonte në Policinë e Kosovës, derisa një ditë do të këputej shpresa e jetës së tij.

Edhe babai nuk do t’i rezistonte pikëllimit për djalin e vrarë pabesisht dhe egërsisht, nga armiqtë e shtetit, të lirisë dhe pavarësisë, siç i quante vrasjet politike Presidenti Rugova.

Në ndërkohë do t’i vdiste edhe nëna!

Hasani ishte nga familja e respektuar në Dukagjin, e Zeqë Tahirit nga Reka e Keqe e Gjakovës.

Familja e Hasanit, kishte pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë.

Ndërsa, Hajdari e ka lënë pas trashëgimtarin Dariel Ahmeti, i cili është duke ndjekur studimet në kolegjin universitar në AUK.

Hajdari si duket ishte bërë pengesë për krimin e organizuar. Si polic hetues, që ishte zotuar, se nuk do të korruptohej, se nuk do të dorëzohej para asnjë presioni, dhe se veç vdekja mund ta ndalte, ai u vra në atentat.

Vrasja e tij, duket të jetë  e rëndë

Jo shumë larg shtëpisë së tij, derisa po kthehej nga puna në shtëpi, me 6 shtator 2003, 8 ditë para se t’i mbushte 27 vjet, një grup i organizuar vrasësish ia zënë pritën

Siç raportohet, fillimisht i ishte vënë një pengesë në urën nga do të kalonte me veturë ai. Sapo del ta largojë pengesën, qëllohet me armë zjarri.

Policia ende nuk e ka zbardhur rastin dhe as që duket se është e gatshme ta bëjë këtë.

Në nderim të tij, është vendosur një pllakë përkujtimore për luftëtarin, dhe po ashtu i është vënë emri një rruge.

Emri i tij është gdhendur edhe në pllakën përkujtimore për policët e rënë në detyrë.

Kësaj vrasje, si shumë vrasjeve të kryera nga grupet e organizuara dhe të lidhura me politikën, i është kushtuar shumë pak rëndësi edhe nga mediat në përgjithësi, përveç gazetës “Bota sot”, rrallë ndonjë medium që ka shkruar, si pak vite më parë, që ky rast është trajtuar nga InDoks.

Image
Tre breza, gjyshi Zeq Ahmeti, i biri Hasan Ahmeti dhe nipi Hajdar Ahmeti, të gjithë të vdekur!

I vrarë pabesisht

Sipas të dhënave që jep autori Albert Shala, në vitin 2008, me shpërthimin e luftës në vitin 1998 në Kosovë, Hajdari kishte hyrë në UÇK. Aty ishte në polici ushtarake nën komandën e Agron Ramës. Po ashtu ai kishte arritur si sportist, të bëhej nënkampion i karatesë në Shqipëri. Sipas Shalës Akademinë e rendit e kishte kryer në Shqipëri në vitin 2001, ndërsa ishte absolvent i Fakultetit Juridik në Prishtinë.

Hajdari ishte oficer i lartë i sektorit të hetuesisë në Gjakovë.

Por, ajo që është e qartë, bazuar edhe në postimet e familjarëve, të Hajdarit, ai dhe familja e tij ishin dhe janë mbështetës atëherë të presidentit Rugova, dhe sot të frymës së tij politike, intelektuale.

Pra, një motiv i vrasjes së këtij polici hetimor duket të ketë qenë vlerësimi se ai mund të ndihmonte në zbulimin e vrasjeve politike, të kryera nga kundërshtarët e Rugovës.

Në një koment të shkurtër në internet, axha i Hajdarit, Halim Ahmeti shprehet përveçse i dëshpëruar, edhe zotohet se nuk do të ndalet deri në zbulimin e të vërtetës.

“Unë që po e shkruaj këtë koment jam axha i Hajdarit, i dëshpëruar nga zhgënjimi i organeve të sigurimit të SHPK-së duke mos e çuar hetimin deri në fund, e duke mos e zbuluar rastin e vrasjes së birit tonë më duket se është një turp i madh nga organet e shtetit dhe të bën me mendu që pikërisht këto organe e kanë vrarë vet, deri sa as edhe njëherë, as edhe më të voglën informatë nuk e kanë publikuar, as informuar, nuk e kanë edhe një anëtar të familjes sonë, por deri sa të jem gjallë nuk dot ndalem duke gjurmuar për ta gjet atë njeri ose ata njerëz të cilët e kryen vrasjen ma mizore me ndihmën e policisë ose pa ndihmën e tyre”, shkruan Halim Ahmeti në një koment në postimin e tij.

Image
Djali Darieli, afër tabelës së rrugës që mban emrin e Hajdar Ahmetit

Ndërsa, një qytetar që e konsideron mik të zemrës së Hajdarit shkruan: “...koleget tu e dijn se kush të vrauuu... po po e din pikërisht "kolegët me të cilët punoje"... ke pasur shumë në Gjakovë...duke filluar nga shefi yt h.....?”, shkruan ky person, me nofkë.

Pra, ky një pistë hetimi e orienton drejt policisë së Kosovës, apo mbështetjes që zyrtarë të saj i ofruan atentatorëve ose edhe fshehjes së krimit.

Sipas një shënimi tjetër, të një faqeje interneti, vrasja e Hajdarit përshkruhet kështu: “Ish-pjesëtari i UÇK-së, pas luftës POLIC i KOSOVËS, Hajdar Ahmeti, sapo kishte mbaruar punën e tij, dhe vetëm 300 metra afër shtëpisë, në fshatin Berjah, komuna e Gjakovës, u vra nga duart e zeza tradhtare në mënyrën, është goditur me breshëri kallashnikovi, te ura e fshatit”.

Image
Tre vëllezërit e Hajdarit, Sinani, Sadria dhe Bujari

Parimor e i pathyeshëm

Ndërsa, Gëzim Rexha, ish shoku i dhomës së Hajdarit gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës shkruan se e kishte shokun më të mirë në jetë, dhe se nuk mund të gjendej kurrë më një person si ai, aq i mirë e i ndershëm.

‘Hasan Zeqë Ahmeti, luftëtar i dalluar i Brigadës 138 Agim Ramadani, njeri i mençur patriot i pashoq, burrë me halle, i afërt me të rinjtë, burrë dukagjini.

Hajdar Hasan Ahmeti, luftëtar i Brigadës 138 Agim Ramadani, babë e bir. Dushin e njoha në kohën e studimeve dhe e kisha shokun më të mirë të jetës (cimer), nga atëherë nuk kam pranuar ti them shok i vërtetë si ai askujt.... bindja ime është se djalë si Hajdar Ahmeti as s’ka pas, as s’ka me pas sepse e kam njohur tepër mirë, kemi kaluar sikur të ishim vëllezër”, shkruan ai i mallëngjyer.

Sipas tij, Hajdari kishte një karakter të hekurt e të pathyeshëm. “Dushi kishte karakter tepër të fortë, ishte i hekurt në parimet e tij, besnik që nuk njoh tjetër si Ai.... unë them deri në Dush shkon aty ndalet, ishte absolvent në Fakultetin Juridik sepse kishte shkuar në luftë dhe kishte mbaruar akademinë policore në Tiranë si student i dalluar, librat e instruktorëve në Akademinë policore janë të botuara me fotot e Dushit si profesionist i karatesë ku e kishte brezin e zi në atë kohë”, shkruan Rexha.

Hajdar Ahmeti kishte lindur më 14.9.1976 – 06.9.2003 në fshatin Berjah të Gjakovës.

Image
Nga protesta e vetme e mbajtur e familjarëve të viktiimave të vrasjeve politike
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat