Si do ta bëjnë gjumin Azem Syla, Limaj, Brahimaj, Buja me të tjerët / Gjykata speciale në prag të arrestimeve për vrasjet politike

Aktuale

Si do ta bëjnë gjumin Azem Syla, Limaj, Brahimaj, Buja me të tjerët / Gjykata speciale në prag të arrestimeve për vrasjet politike

Nga: Idriz Morina Më: 26 maj 2022 Në ora: 20:58
Foto ilustrim i viktimave të dhunës politike

Në bazë të akteve normative të gjykatës speciale, dhe fazës së re të mbledhjes dhe administrimit të provave, kjo gjykatë, përkatësisht Prokuroria e Specializuar pritet që së shpejti të ngrisë aktakuza të reja për krime lufte në Kosovë.

Tashmë është bërë e ditur se dhomat e specializuara i kanë pranuar propozimet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar edhe për 12 dëshmitarë-viktima në lidhje me rastet e reja, që i janë bashkuar aktakuzës fillestare ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët vlerësohen se kanë krijuar një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

Image
Azem Syla ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

 

Kush mund të arrestohet

Sipas aktakuzës së shtuar atyre mund t’ju bashkohen në gjykatë, edhe bashkëpunëtorët dhe bashkëvendimmarrësit e hershëm, në cilësinë se disa nga ta apo edhe të gjithë, që pavarësisht se nuk ishin anëtarë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët, ata u përdorën nga të akuzuarit fillestar, në mënyrë që të kryenin krime për një qëllim të përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thuhet në aktakuzën e shtuar.

Disa nga ata që mund të arrestohen, apo që do të ftohen gjithsesi të dëshmojnë me dyshimin se i kanë kryer, apo kanë marrë pjesë në ato vepra penale, janë: Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Sipas këtij plotësimi të aktakuzës katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Akuzat kanë të bëjnë me arrestim, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje, po ashtu në kualifikimin ‘krime kundër njerëzimit’ janë akuzat për burgosje, vepra të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje, zhdukje me forcë dhe persekutim.

Në të gjitha paraqitjet e tyre Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Aktakuza thekson katërçipërisht se nga marsi 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët kishin qëllim të përbashkët sigurimin dhe ushtrimin e kontrollit në të gjithë Kosovën me metoda: të frikësimit, keqtrajtimit, ushtrimi të dhunës dhe eliminimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.

Në mesin e këtyre kundërshtarëve ishin edhe persona të lidhur me LDK-në.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Image
Shukri Buja

Tutje në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit të përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thuhet në aktakuzë.

Pra, këta: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci, si dhe të tjerë që mund të akuzohen për krime të tjera dhe këto, kanë pasur qëllimin kryesor ushtrimin e kontrollit në gjithë Kosovën.

Nga emrat e deritashëm të përmendur të viktimave, edhe pse janë publikuar shumë pak emra shqiptarësh, nuk duket se janë ngritur aktakuza për vrasjet politike, apo siç thotë aktakuza: “persona të lidhur me LDK-në”!

Viktimat e dhunës politike

Disa nga ata që dihen dhe për të cilët është shkruar më shumë janë: vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi, eprorit Sadri Ramqaj, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Haki Imerit, Drinit – Ekrem Rexhës, Rashit Mustafës “Karadakut”, Shaban R. Shalës, Agim Qelës, Mirush Dakajt, Shaban Manajt, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit etj., Shefki Popovës, Ismet Rracit, Adem Ukëhaxhajt, Agim Çelajt, Xhafer Behramit me të birin Bakiun, Xhevat Jusufit etj…, plagosjet e Sabri Hamitit, Fetah Rudit...

Ndërsa, nuk dihet se a do të merret kjo gjykatë me rastet tjera, pas vitit 2000 apo nga 1 janari 2001 e më tej për rastet si: Bekim Kastratit e Besim Dajakut, Bardhyl Ajetit, Ukë Bytyçit, Smajl Hajdarajt, Sabahate Tolajt, Isuf Haklajt, Hajdar Ahmetit, Skënder Gashit, Ukë Bytyçit, kolonelit Tahir Zemaj, Enis dhe Hasan Zemajt, Kosovë e Albert Zeqirajt, Azem Ahmetit - nipi i Ahmet Delis etj.

Pra, vrasjet, plagosjet, dhe torturat edhe ndaj zyrtarëve të LDK-së, sipas gjykatës kishin qëllim të përbashkët: sigurimin dhe ushtrimin e kontrollit në të gjithë Kosovën.

Pra, marrja e kontrollit të vendit, ishte prioritet i tyre, dhe nëpërmjet kontrollit, pastaj ata mund t’i realizonin qëllimet e tyre, pushtetin dhe pasurimin.

Por, nuk qëllimi për ushtrim të kontrollit në gjithë territorin, si[ e thekson Prokuroria speciale në aktakuzën e pranuar nga gjykata speciale, mendoj se nuk e kishte këtë qëllim për në veri.

Këtë e konfirmojmë në bazë të faktit të thjesht, se as në akuzat e deritashme nuk është përfshirë asnjë rast në veri të Kosovës, edhe ku bëhet fjalë për akuzat ndaj serbëve.

Po ashtu, këta nuk kanë bërë asgjë serioze pas luftës për ta shtrirë kontrollin e plotë në veri të vendit, përkundrazi ekzistojnë pamjet se si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, i kthenin shqiptarët që protestonin për të shkuar në shtëpitë e tyre në veri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat