Kush është Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale e FSK-së

Aktuale

Kush është Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale e FSK-së

Më: 27 maj 2022 Në ora: 22:08
Irfete Spahiu, Vjosa Osmani

Gjeneralja e FSK-së, Irfete Spahiu nga kjo e premte do ta mbajë edhe një gradë tjetër. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka graduar Spahiun gjeneralmajore në FSK.

Përveç kësaj, gjeneralmajorja e ushtrisë është emëruar edhe Inspektore Gjenerale e FSK-së. Fakti që Irfete Spahiu është gruaja e parë në Kosovë që mban gradën e gjeneralmajores e bën më të veçantë këtë ceremoni.

Njësoj si detyrat tjera, edhe këtë detyrë Spahiu u zotua se do ta kryejë me përgjegjësi.

“Faleminderit të gjithëve për prezencën mbi të gjitha kjo është përgjegjësi e imja, po shpresoj dhe besoj, ashtu siç kam besuar deri më tani në veten time që, besimin që institucionet e Republikës së Kosovës ma kanë dhënë, do ta kryej me nder dhe dinjitet”.

Por kush është gjeneralmajorja më e re e Ushtrisë së Kosovës?

Irfete Spahiu mban gradën gjeneral brigade nga 6 marsi i vitit 2018, duke u bërë e para grua me këtë gradë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ajo ka udhëhequr Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj. Spahiu është një juriste dhe ekonomiste.  Është fëmija i parë i dy prindërve mësues të pensionuar.

Në vitet ’90 ajo ka punuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si bashkëpunëtore profesionale.  Karrierën ushtarake e ka filluar më 6 mars 1996, kur ka dhënë edhe betimin në UÇK.

Në prill të vitit 1998 në Zonën Operative të Drenicës, Spahiu ishte një ndër pesë eprorët e parë të kësaj zone dhe e vetmja grua në këtë pozitë.  Pas luftës, në vitin 2000, ajo u gradua si kolonelja e parë dhe e vetmja grua me këtë grade, duke u bërë një ndër 34 eprorët e parë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Më pas në FSK, Spahiu shërbeu për tre vjet e gjysmë si drejtore e departamentit për personelin, kurse nga viti 2012 mori detyrën e zëvendëskomandantit të FSK-së.  Spahiu është në përfundim të dy doktoraturave, të dyja në fushën e ekonomisë dhe financave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat