Ia morën mercedesin e 100 mijë markave, paratë dhe e rrahën derisa vdiq / Kurrë nuk thanë më se ishte spiun – Dëshmi lufte

Aktuale

Ia morën mercedesin e 100 mijë markave, paratë dhe e rrahën derisa vdiq / Kurrë nuk thanë më se ishte spiun – Dëshmi lufte

Nga: Idriz Morina Më: 29 maj 2022 Në ora: 14:49
Lah Brahimaj u lirua nga të gjitha akuzat në procesin e rigjykimit në Hagë

Një ngjarje lufte, e rëndë dhe trishtuese kishte ndodhur për familjen Kuqi pronar i një punëtorie në fshatin Zahaç të Pejës.

Kishte qenë biznesmen, apo pronar i një punëtorie. Ai ia kishte dalur si duket të krijonte mjaft pasuri. Dosja e tij, gjyqësore, nuk e provon se ka qenë spiun apo bashkëpunëtorë i regjimit okupues të Serbisë.

Sipas saj, ai ishte arrestuar, sepse ishte njeri që kishte krijuar pasuri.

Rrëfim e dëshmi

Por, ajo që e bën të veçantë këtë rast, është rrëfimi i një detaji interesant nga ushtaraku i karrierës kapiteni Rrustem Tetaj.

Image
Kapiteni Rrustem Tetaj

Në një bashkëbisedim të shkurtër për gazetën, tregon momentin e prekshëm, kur takohet me anëtarët e familjes Kuqi, gruan e viktimës, Skenderit, aso kohe, rreth 45 vjeçar.

“Ishte moment që kurrë nuk do ta harroj”, mua më ra rasti, që t’i dilja përballë familjes së Skender Kuqit. Aty kishte ardhur gruaja e tij, një motër medicinale”, thotë kapiteni Tetaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas Tetajt, gruaja nga sjellja korrekte dhe e duhur, që ia bëmë, tha se kishte kërkuar disa kushte t’ia plotësonim, e që sipas saj, për të do të ishte sikur me ia ringjallë burrin.

“E para më tha, të ma gjejsh unazën e arit të martesës dhe të ma sjellësh, e dyta portofolin e tij, që siç thoshte ajo, ai kishte pasur me vete rreth 10 mijë Dm, para në valuta të ndryshme, e treta të ma sillni “Mercedesin”, që ka kushtuar 100 mijë DM, dhe e katërta të ma shpallni burrin në “Radio Tiranë”, se burri im nuk ishte spiun”, i kujton Tetaj, kërkesat e zonjës Zade Kuqit.

Pavarësisht që kërkesat ishin të rënda, kapiteni Tetaj, që ishte pjesë e njësive që quheshin të FARK-ut, përkatësisht të njësive të UÇK-së, nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, ai do ta merrte përsipër, që t’ia përmbushte kërkesat, duke i dhënë asaj një premtim të madh. “I thashë se kurrë më nuk do ta mbaja këtë kapelë të UÇK-së, as vetit komandant nuk do t’i them, nëse nuk t’i gjejë këto gjëra”, thotë Tetaj, që flet me shumë transparencë dhe pa frikë për ngjarjet e luftës.

Nëse ma bjen unazën, mercedesin 100 mijë marka, dhe orën e dorës, parat në vlerë 10 mijë marka, dhe ta dërgoni njoftimin në Radio Tiranë. “Me çit njoftimin në Radio Tiranë se burri im nuk është spiun, sepse është nipash i Jusuf Gërvallës”, kishte deklaruar zonja në fjalë.

Menjëherë, edhe pse dukeshin kërkesa të vështira, Tetaj, nuk kishte refuzuar t’i mbështeste.

“Rrustem Teta kurrë komandant nuk do të jem, kështu i thashë dhe u nisa t’i përmbushja kërkesat.

Nga paratë e kërkuara, vetëm marka u gjetën, orën e dorës, dhe unazën ia siguruam duke i kërkuar unë që ta zhvarrosnin trupin”, thotë Tetaj.

Por, kur pyeta për “Mercedesin më thanë se duke shkuar për Malishevë e kishte goditur një granatë. Më vonë e kuptova se s’kishte qenë ashtu”, thotë Tetaj.

Sipas tij, nuk kishte arritur t’i bindte të tjerët, që ta nxirrnin lajmin në radio, se Skenderi nuk kishte qenë spiun: “Me çit njoftimin në Radion Tiranë se burri im nuk është spiun, sepse është nipash i Jusuf Gërvallës.

Image
Rrustem Tetaj duke e nderuar presidentin Rugova, tek shtatorja në Istog

Kjo kërkesë ishte refuzuar nga Faton Mehmeti dhe të tjerë.

Kapiteni Tetaj, thotë se ishte ai vetë, që me Ramush Haradinajn kishin shkuar ta kërkonin lirimin e Skender Kuqit.

Por, kishin shkuar gjendja e tij ishte keqësuar, nga një sulm të ri, që ia kishin bërë disa ushtarë, pasi që ai kishte tentuar të arratisej nga aty.

“Unë me Ramush Haradinajn kemi shkuar. Vetë Ramushi i ka kërkuar lirimin e tij”, aso kohe nuk kishte ende shumë ndasi, ishim më unik.

"Pasi jam kthyer për të shkuar sërish për ta liruar Skenderin, më thanë se kishte vdekur. I ishte përkeqësuar gjendja, dhe pavarësisht që e kishin çuar në ambulancën e fshatit në Irzniq, nuk kishin mund ta shpëtonin, edhe pse paraprakisht ishte dukur se i qe përmirësuar gjendja.

I pyeta, se ku e kishin varrosur. Më treguan vendin, dhe edhe pse ishte terr, kemi shkuar dhe e kemin nxjerrë nga aty, dhe e kemi rivarrosur”.

Provat në Hagë

Ky rast është gjykuar dhe përshkruar në mjaft detaje në Hagë, edhe në procesin e rigjykimit të Ramush Haradinajt dhe të tjerëve, ku qenë shpallur të pafajshëm.

Skender Kuqi, sipas disa informacioneve të publikuara ishte arrestuar dhe burgosur nga pjesëtarë të UÇK-së me 11 korrik të vitit 1998 në punëtorinë e tij. Nga atje qe dërguar në burgun e UÇK-së në Jabllanicë.

Trupi gjykues i Tribunalit kishte arritur në përfundimin se vdekja kishte ndodhur si pasojë e rrahjes së rëndë.

Sipas të dhënave të Tribunalit, Skender Kuçi ishte dërguar në Jabllanicë në bagazhin e veturës së tij.

“Ai u rrah me të mbërritur në oborr dhe në dhomën ku u mbajt nga ushtarët e UÇK-së, përfshirë Nazmi Brahimajn dhe Hamza Brahimajn, në prani të Lahi Brahimajt.

Të nesërmen, afërsisht më 14 apo 15 korrik 1998, Pal Krasniqi, shqiptar katolik i Kosovës, i cili ishte larguar nga shtëpia e tij në Pejë më 10 korrik 1998, me qëllim që t'i bashkohej UÇK-së, u soll në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë. Ai u ndalua në të njëjtën dhomë me Skënder Kuçin”, thuhet në vendimin lirues të Gjukatës Ndërkombëtare të Hagës, të 29 nëntorit të vitit 2012.

Po ashtu vetëm pas disa orëve edhe dëshmitari 3, një shqiptar i Kosovës, ishte dërguar nga Lahi Brahimaj në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë, i cili u mbajt në të njëjtën dhomë me Skender Kuçin dhe Pal Krasniqin.

Sipas Tribunalit, që të tre burrat iu nënshtruan rrahjeve të vazhdueshme në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë.

Një dëshmitar përshkruan gjendjen në të cilën ishin Skënder Kuçi dhe Pal Krasniqi si pasojë e rrahjeve të tilla dhe citoj: "Nuk kam parë askënd në gjendje më të keqe. Kam parë njerëz të vdekur, të vrarë gjatë luftës. Por njerëz në atë gjendje kaq të rëndë, në atë gjendje të vështirë nuk kisha parë kurrë më parë. Në një gjendje shumë, shumë të keqe", i kishte deklaruar ky dëshmitar asaj gjykate.

“Gjatë atyre rrahjeve, sipas provave të Gjykatës së Hagës, Pal Krasniqi qe akuzuar si spiun, ndërsa Skender Kuçi se kishte shumë para. Dëshmitari 3 u mor në pyetje nga Lahi Brahimaj, pas së cilës Lahi Brahimaj kërkoi nga dy gra që të praktikonin rrahjen me shkopinj mbi Dëshmitarin 3.

Dhoma është e bindur se pohimet për torturë dhe trajtim mizor në lidhje me Skender Kuçin, Pal Krasniqin dhe Dëshmitarin 3 janë vërtetuar”, thuhet në vendimin e shpallur nga gjykatësi ndërkombëtar, Moloto.

Sipas kësaj gjykate pas 2 ose 3 ditë të mbajtjes në arrest, Skender Kuçi kishte provuar të arratisej nga aty, por fati i tij, do të shkonte shpejt drejt një tragjedie.

“Ndërsa, më 15 ose 16 korrik 1998, ditën e përpjekjes së dështuar për t'u arratisur nga kompleksi i UÇK-së në Jabllanicë, Skender Kuçi u rrah rëndë, pas së cilës u dërgua në spital ku vdiq. Dhoma shprehet e bindur se vdekja e Skënder Kuçit ka ardhur si pasojë e ndërlikimeve të lëndimeve të shkaktuara atij gjatë rrahjeve në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë.

Konstatohet akuza për vrasjen e Skënder Kuçit”, thuhet në vendim.

Sipas Tribunalit, provat vërtetojnë se Ramush Haradinaj kur e kishte kuptuar për ndalimin dhe keqtrajtimin e Skënder Kuçit, kishte shkuar në Jabllanicë për të folur me Nazmi Brahimajn lidhur me lirimin e Skënder Kuçit, duke i thënë: “Nuk duhet të ndodhë më një gjë e tillë sepse kjo është e dëmshme për kauzën tonë”.

Sipas atij vendimi, Prokuroria nuk kishte paraqitur “asnjë provë të besueshme për të vërtetuar se Ramush Haradinaj së paku kishte dijeni për krimet e kryera në objektin e UÇK-së në Jabllanicë”.

A duhet që gjykata speciale t’i zbardhë dosjet e viktimave

Duket se Tribunali i Hagës, i ka parë si rrethana lehtësuese kur ndonjë viktimë ka qenë bashkëpunëtore e Serbisë.

Natyrisht këtë nuk e thotë vendimi, por duke e lexuar me vëmendje procedimin, gjykata thotë se nuk mund të lëshohet në vërtetimin e pretendimeve, nëse vërtetë viktimat ishin bashkëpunëtorë të Serbisë.

“Viktimat, me përjashtim të Jah Bushatit dhe të tre burrave malazezë, akuzoheshin për spiunazh ose për bashkim me serbët ose ishin të lidhur me forcat serbe. Këto gjetje të Dhomës priren të sugjerojnë se një plan i përbashkët mund të ketë ekzistuar ndërmjet Nazmi Brahimajt, Hamza Brahimajt, Naser Brahimajt, Lahi Brahimajt dhe ushtarëve të tjerë të UÇK-së të pranishëm në kompleksin e UÇK-së në Jabllanicë për të arrestuar dhe keqtrajtuar individë me të cilët ata besonin se bashkëpunonin me forcat serbe ose nuk po e përkrahnin UÇK-në. Një plan i tillë i përbashkët nuk pretendohet në aktakuzën aktuale dhe çështja është jashtë fushëveprimit të kësaj procedure. Megjithatë, Dhoma vëren se edhe nëse do të ishte vërtetuar ekzistenca e një plani të tillë të përbashkët, i cili nuk është konstatimi i Dhomës, nuk ka asgjë në prova që tregon se Ramush Haradinaj ose Idriz Balaj mund të kenë qenë të përfshirë në ndonjë plan të tillë të përbashkët”, thuhet në vendimin e njëjtë të Tribunalit.

Prandaj, sipas mendimit tim, është e nevojshme, që gjykata speciale – Dhomat e Specializuara në Hgë, ta bëjnë këtë. Pra, në raste të caktuara të dyshimit ta zbardhin dosjen, nëse vërtetë ndonjë prej viktimave apo më shumë, i kanë shërbyer regjimit okupues, që si duket sërish do të ishte rrethanë lehtësuese për të akuzuarit.

Që nga lufta në shumë raste viktimat shqiptare, paraprakisht mund të jenë akuzuar apo etiketuar si bashkëpunëtorë të Serbisë dhe regjimit okupues.

Është çështje tjetër, se si do të gjykohen për ekzekutim në mungesë të një gjykimi paraprak.

Por, kjo do t’i shërbente pajtimit dhe largimit të njollave dhe akuzave, që në emër të informacioneve të dyshimta, abuzohet me to, edhe ndaj atyre që kërkojnë drejtësi, zbardhjen e vrasjeve politike.

Shqiptarët kanë nevojë përfundimisht ta kenë të qartë se kush në anën e kujt ishte!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat