Oliver Varhelyi: Kosova shumë shpejtë do ta kuptojë se 'Ballkani i Hapur' sjell vetëm përfitime

Aktuale

Oliver Varhelyi: Kosova shumë shpejtë do ta kuptojë se 'Ballkani i Hapur' sjell vetëm përfitime

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 19:38
Oliver Varhelyi

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, vazhdon të jetë optimist se deri në fund të qershorit do të arrihet një zgjidhje midis Sofjes dhe Shkupit, që do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht edhe Shqipërisë, nisjen e negociatave për anëtarësim.

“Unë nuk jam pas basteve, por jam pas punës. Për sa kohë të kemi edhe shansin më të vogël, unë do të vazhdoj të punoj”, thotë ai.

Varhelyi qëndroi më 8 qershor në Ohër, qytet nikoqir i Samitit të nismës “Open Balkan”, ku iu drejtua të pranishmëve duke thënë se ky projekt është shumë i mirë dhe i nevojshëm për rajonin.

Në një intervistë ekskluzive për KDPolitik.com, ai tha se ka një kohë të gjatë që flitet për procese dhe qasje, e shumë pak për integrim të rajonit. Është koha, tha ai, të flitet më shumë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Ju po qëndroni sot në Samitin e “Ballkani i Hapur”, një nismë e cila ka hapur shumë dilema e dyshime si në rajon ashtu edhe ndërkombëtarisht. Edhe Brukseli ka shfaqur disa rezerva ndaj këtij projekti. Cili është qëndrimi Juaj për këtë iniciativë?

Oliver Varhelyi: Është një nismë shumë e mirë. Është shumë e rëndësishme për rajonin dhe jam i kënaqur të shoh që kjo nismë buron nga vetë rajoni. Ne nuk flasim kurrë realisht për integrimin e vërtetë të vendeve të rajonit. Ne vetëm flasim për procesin e qasjes, IGC (konferencat ndërqeveritare)…Pra, ne flasim për procese dhe asnjëherë për integrim real. A integrimi real ndodh kur shoqëria dhe ekonomitë e rajonit zhvillohen së bashku. Në këtë mënyrë, ekonomia dhe shoqëria e vendeve të rajonit mund të bëhen të krahasueshme me nivelin e standardeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të ndërlidhura me të. Pra, mendoj, se kjo nismë mund të shërbejë si një instrument për të përshpejtuar procesin e integrimit real të vendeve të rajonit, por sigurisht vetëm nëse ajo bazohet në parimet dhe vlerat e BE-së, siç janë katër liritë themelore. Për këtë arsye ne dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj nisme dhe dëshirojmë të sigurohemi që ajo është e dobishme për përgatitjen e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE.

A është “Ballkani i Hapur” në konkurrencë apo, më konkretisht, a mbivendoset në Procesin e Berlinit, të nisur në vitin 2014 nga ana e ish-kancelares gjermane Angela Merkel?

Oliver Varhelyi: Do të thoja se të dy proceset janë përplotësuese. Që kur e nisëm Planin Ekonomik dhe të Investimeve para dy viteve ne shpresuam se do të kemi një Treg të Përbashkët Rajonal. Sepse, të jem i sinqertë, nuk shoh shumë dallime midis Ballkanit të Hapur dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Në fakt, idenë e Tregut të Përbashkët Rajonal e kemi marrë nga vetë Ballkani. Por, fatkeqësisht nuk funksionoi. Tani, derisa sa të kemi secilin vend të rajonit në tavolinën e Ballkanit të Hapur, ne duhet të ecim përpara në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Ishte kënaqësi të shoh kryeministrin e Malit të Zi këtu në Ohër, të shoh edhe presidentin e këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, dhe shpresoj se i gjithë rajoni do të jetë pjesë e kësaj nisme. Atëherë do t’i kthehemi prapë Procesit të Berlinit. Megjithatë, e përsëris, çelësi është te parimet dhe vlerat evropiane ku duhet të bazohet kjo nismë sepse në këtë mënyrë Evropa nuk do të duhet të angazhohet dy herë.

Çfarë mund të ofrojë “Ballkani i Hapur” në drejtim të aplikimit dhe zhvillimit të katër lirive themelore të tregut të brendshëm të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor? Çka mund t’u shtojë këtyre lirive?

Oliver Varhelyi: Nuk bëhet fjalë për ndonjë shtesë. Për mua, iniciativa e Ballkanit të Hapur mund të sjellë përfitime nga katër liritë, edhe para se rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nëpërmjet kësaj iniciative rajoni mund të mësojë si t’i zbatojë rregullat evropiane dhe në këtë mënyrë do t’i shohin dhe përjetojnë përfitimet nga ato rregulla. Vetëm nëpërmjet zbatimit të katër lirive brenda Ballkanit Perëndimor, ky rajon mund të rrisë Bruto-Prodhimin Vendor (BPV) për një të tretën. Ky është një potencial i madh i zhvillimit të ekonomisë, por edhe të shoqërisë.

Megjithatë, nga viti 2019 vetëm tre shtete (Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia) janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”. Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi po marrin pjesë si vëzhgues, ndërkohë që Kosova e refuzon në tërësi iniciativën. Si e vlerësoni këtë?

Oliver Varhelyi: E kuptoj ndjeshmërinë e Kosovës, por koha do të dëshmojë se është gabim. Kur do t’i shohin përfitimet e iniciativës Ballkani i Hapur dhe të Tregut të Përbashkët Rajonal, atëherë të gjitha shtetet e rajonit do t’i bashkëngjiten. Unë shpresoj se Kosova shumë shpejtë do ta kuptojë se kjo iniciativë sjell vetëm përfitime.

Janë marrë disa vendime në kuadër të Procesit të Berlinit, por pak është arritur deri më tani në drejtim të bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me integrimin e tyre në BE. Pse?

Oliver Varhelyi: Sepse çdo shtet e ka parë procesin e qasjes dhe integrimit në BE në baza individuale. Shqipëria ishte e angazhuar në procesin e saj integrues, Maqedonia e Veriut me procesin e saj integrues…pra, çdo shtet shihte drejt BE-së veç e veç, e jo si rajon. Por, kriza e shkaktuar nga COVID-19 shfaqi vlerën e shtuar të bashkëpunimit. Tani kemi edhe luftën që Rusia e shkaktoi në Ukrainë, e cila po dëshmon se sa shumë ne i duhemi njëri-tjetrit, sa e rëndësishme është të bashkëpunojmë dhe sa shumë resilientë mund të bëhemi nëse bashkëpunojmë. Nëse e marrim shembullin e COVID-19, linjat e gjelbra ishin diçka e padëgjuar më parë. Pandemia dhe nevoja që kamionët dhe mallrat të lëvizin lirshëm, i krijoi këto linja të gjelbra brenda ditësh. Brenda orësh u morëm vesh dhe e lidhëm sërish rajonin me BE-në dhe me shtetet ndërmjet tyre. Për këtë arsye them se jeta reale do ta dëshmojë vlerën e këtij integrimi.

Gjatë një konference për shtyp në Berlin me kryeministrin Edi Rama më 12 prill 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se dëshiron të ringjallë Procesin e Berlinit. Këto ditë ai është në një turne ballkanike. A besoni në ringjalljen e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor?

Oliver Varhelyi: Po dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nevojitet që çdonjëri të punojë për Procesin e Berlinit sepse kjo iniciativë u nis si një projekt përplotësues i Procesit të Qasjes në BE. Përplotësues në sensin e përshpejtimit të procesit të integrimit të rajonit në BE. Jam akoma i bindur se Procesi i Berlinit është po aq i rëndësishëm sa edhe Procesi i Qasjes. Kjo është arsyeja se pse kishim qasje rajonale kur e vendosëm në tavolinë Planin Ekonomik dhe të Investimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se përfitimet nga ky Plan mund të nxiten vetëm nëse zbatohet rajonalisht dhe në drejtim që mundëson zbatimin e katër lirive të lëvizjes në kuadër të rajonit.

Çfarë mendoni për komunitetin politik europian të propozuar nga presidenti francez? A e shihni atë si një hap të parë drejt anëtarësimit të plotë apo një alternativë ndaj tij?

Oliver Varhelyi: Ky propozim është në formësim, por unë shoh përfitime prej tij. Ishte e rëndësishme që u bë qartësimi, që ky komunitet nuk është një alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nëse më lihet mua ta përkufizoj, për mua Komuniteti Politik Evropian do të ishte një ombrellë shumë e rëndësishme politike për BE-në për të treguar vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar me fqinjët e saj. Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor ka një vend të privilegjuar. Shumica e tyre është në rrugën e anëtarësimit. Kjo do të lejonte takime të rregullta, si ato, që kemi parë në fillimin e 2020 të intensifikohen në Këshillin Evropian, të ketë koordinim më të ngushtë për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe takime të tjera shumë më intensive se më parë. Takimet dhe shkëmbime më të shumta sesa më parë, mund të sillnin përfitime të prekshme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera që janë të gatshme të marrin pjesë në këtë komunitet, por edhe për Bashkimin Evropian. Kjo pasi kjo do të bënte që BE-ja të kuptonte më mirë prioritet dhe shqetësimet e rajonit dhe të krijonte shkëmbime më të ngushta dhe më të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat