‘Moment vendimtar’/ Osmani ua thotë në sy shefave të BE-së: Jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë, hiqni ato!

Aktuale

‘Moment vendimtar’/ Osmani ua thotë në sy shefave të BE-së: Jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë, hiqni ato!

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 15:39 më 23.06.2022
Pamje nga Samiti i BE-së

​Rama kërkon liberalizmin e vizave për Kosovën: Kjo është e turpshme dhe duhet të marrë fund

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se është e turpshme që qytetarët e Kosovës ende nuk gëzojnë lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor, Rama këtë e ka quajtur çmenduri për të cilën ka thënë se duhet të marrë fund.

Rama: Është e turpshme që ende nuk janë liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës

Ka një tjetër peng-marrje që është në proces, që është peng-marrja e qytetarëve të Kosovës të cilët nuk lejohen të lëvizin lirshëm në Evropë. Është popullata e vetme në tokën e Evropës që nuk mund të lëvizë lirisht. U thash atyre, a mund të merrni me mend, ishin nën diktaturën jugosllave, në thelb dy, dhe mund të udhëtonin, të shkonin në Gjermani, të shkonin në Zvicër, mund të shkonin kudo, mund të punon e kështu me radhë, por qysh kur u çliruan, çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng, ata nuk mund të lëvizin.

Kjo është çmenduri, kjo është e turpshme dhe kjo duhet të marrë fund, njerëzit duhet të lejohen të lëvizin lirisht”, ka thënë Rama.

​Osmani: Deklarata mbështetëse për vizat por duhet veprime konkrete

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se në samitin e Bashkimit Evropian ka dëgjuar shumë deklarata mbështesë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por tani, Osmani ka thënë se duhen hapa konkretë duke theksuar se Kosova përveç deklaratave mbështesë ka nevojë për një vendim për lëvizjen e lirë.

Pas takimit me liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës ka thënë se deklaratat politike që janë bërë sot duhet të kthehen në një aksion konkret në nivel të Këshillit të Ministrave.

Osmani: Deklarata mbështetëse për liberalizim të vizave

“Kemi dëgjuar shumë deklarata mbështetëse ndaj Republikës së Kosovës sot. Së pari, është perspektiva e qartë e BE-së, së dyti për liberalizimin e vizave, dhe së treti, shumë mbështetje dhe lavdërime për përafrimin tonë 100% me Bashkimin Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sanksionet ndaj Rusisë. Por tani duhet të kalojmë nga fjalët në vepra. Ne kemi nevojë për veprime konkrete, përveç thjesht deklaratave mbështetëse, na duhet një vendim. Tani na duhet një vendim për liberalizimin e vizave. Natyrisht që takimi i liderëve të Këshillit të BE-së do të vazhdojë, dhe ne e kuptojmë që një votim nuk do të bëhet në këtë format. Megjithatë, besoj se deklaratat politike, që shumica dërrmuese i ka bërë sot, në mbështetje të Kosovës, tani duhet të kthehen në një aksion konkret, në nivel të Këshillit të Ministrave”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se edhe vendet që dikur hezitonin, sot kanë treguar mbështetje konkrete.

Osmani: Edhe vendet që dikur hezitonin sot kanë treguar mbështetje konkrete

“Epo, më duhet të them se ky ka qenë grupi i vetëm më pozitiv i deklaratave që kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave, madje edhe vende që dikur hezitonin në të kaluarën, shumë prej tyre sot kanë treguar mbështetje, mbështetje konkrete, dhe ata kërkuan që të bëhet progres në këtë drejtim. Dhe nuk do të doja të veçoja një vend të vetëm evropian për mbështetjen e tyre. Sepse padyshim, ne llogarisim te të gjithë, dhe siç thashë sot gjatë takimit, ne llogarisim në lidershipin e tyre, sepse përderisa vakumi lejohet në Ballkanin Perëndimor padyshim, ai do të përdoret nga qëllimet malinje dhe dashakeqe të Rusisë”, ka thënë prresidentja Osmani.

Presidentja Vjosa Omsnai ka folur edhe në takim me liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ku ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën duke theksuar se qytetarëve po u bëhet padrejtësi e madhe.

Përfundon Samiti në Bruksel, shkrepet fotografia e përbashkët e liderëve

Ka përfunduar samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku morën pjesë 27 liderët e vendeve të Unionit, përfshirë presidentin e Këshillit të BE-së, presidenten e Komisionit Evropian dhe 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Rëndom pas takimit, pason edhe fotografia familjare e të gjithë pjesëmarrësve të takimit.

Presidentja Osmani është parë në rreshtin e dytë të liderëve në fotografinë e përbashkët.

Mediave në një konferencë pritet t’ju drejtohen Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Osmani ua thotë në sy shefave të BE-së: Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë, hiqni ato!

Presidentja Vjosa Osmani, ka bërë publik fjalimin e saj në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Bruksel.

Kryefjalë e fjalimit të saj ka qenë liberalizimi i vizave.

Osmani ka deklaruar se populli i Kosovës ndihen të diskriminuar në kontinentin ku jetojnë dhe se ajo është e vetmja në tryezë që i duhet të marrë vizë për të arritur në takim.

“Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, ka thënë Osmani.

Fjalimi i plotë i presidentes Osmani:

Fjalimi im i plotë në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor:

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Të dashur kolegë,

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj.  Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike.  Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Ju faleminderit!

Eurodeputetët votojnë pro statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë

Nga 588 eurodeputetë që kanë marrë pjesë në votim, 529 kanë votuar pro rezolutës së PE-së për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Eurodeputetët kanë shprehur përkrahje dërmuese që BE-ja t’i japë statusin kandidat tri shteteve të Evropës Lindore.

45 europarlamentarë kanë votuar kundër dhe 14 kanë abstenuar.

Osmani publikon foto nga takimi me kancelarin gjerman

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografitë nga takimi i shkurtë që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz para se të niste takimi BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

“Me Kancelarin Scholz, i cili si gjithnjë është përkrahës i palëkundur i Republikës së Kosovës dhe perspektivës sonë evropiane”, ka shkruar Osmani.

Për këtë përkrahje, ajo ka shprehur edhe mirënjohjen e qytetarëve kosovarë.

Vjosa Osmani ka publikuar fotografitë nga takimi që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz

“Në emër të popullit të Kosovës, faleminderit!”.

Osmani para tij takoi edhe presidentin e Francës, e cila është ndër shtetet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, Osmani nuk zbuloi asgjë nga biseda me të, përveç fotografisë.

Kryeministri bullgar i përgjigjet Ramës, që tha se i ka kidnapuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se nuk ka asnjë shans që Bullgaria ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim, raporton Euroactiv, rrjeti mediatik pan-europian.

Ai shtoi se Parlamenti bullgar duhet t’ia japë dritën jeshile për heqjen e vetos dhe vetëm atëherë ai do ta bënte lëvizjen e tij, e cila duhet të jetë e qëndrueshme me kalimin e kohës, pavarësisht se kush qeveris.

“Kjo është ajo që do t’u them liderëve të BE-së”, tha ai.

Ai shpjegoi se opozita bullgare përdori çështjen maqedonase për ta shantazhuar kabinetin e tij sa herë që kishin frikë.

Von der Leyen fanse e këngëtares shqiptare, presidentja e fton atë, Michelin e Macronin në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani gjatë realizimit të fotografisë bashkë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, i ka ftuar në festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë.

“Shpresoj se do t’ju kemi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet festivali Sunny Hill i cili po sjell një formacion të mrekullueshëm dhe gjithashtu ju z.President, jeni të ftuar të gjithë”.

Von der Leyen pastaj tha se bashkë me Osmanin janë fanse të së njëjtës këngëtare – Dua Lipës.

Këtu Osmani u ngut t’i tregojë emrin e artistes presidentit francez, duke i thënë se është nga Kosova.

“Dua Lipa, nga Kosova”, ishte sqarimi i saj për Macronin.

Kancelari Scholz: BE t`i mbajmë premtimet për Ballkanin perëndimor

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, para hyrjes në samitin BE-Ballkan perëndimor, dha një deklaratë për media.

Ai tha se këtë mëngjes ka një  diskutim shumë të rëndësishëm mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Diskutim me këto vende të cilat kanë 20 vjet që qytetarët e tyre dhe vetë shtetet po mundohen të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Scholz.

Sipas kancelarit gjerman, ajo që është më e rëndësishmja,  duhet dhënë premtim që duhet mbajtur.“Dhe ndaj kësaj situate Gjermania ndihet e përgjegjshme për të marrë përsipër  shqetësimin dhe për të treguar se këto shtete kanë mundësi dhe kanë perspektivë evropiane”, tha kancelari i Gjermanisë.

Ai tha se vendet e Ballkanit perëndimor janë munduar kaq shumë.

“Ato po bëjnë shumë e kemi madje edhe rastin e Maqedonisë së Veriut e cila ka ndryshuare dhe emrin, vetëm që të bëhet pjesë e BE-së. E ky është  edhe një shembull i përkushtimit të këtyre vendeve”.

Sipas Scholz, pyetja më e rëndësishme është se duhet punuar së bashku që shtetet e Ballkanit perëndimor të kenë mundësi që vërtetë të bëhen anëtarë të BE-së.

“Ato kanë punuar kaq shumë prandaj është detyra jonë në të ardhmen që ta bëjmë të mundur që kjo të ndodhë”.

Presidentja e Parlamentit Evropian: Sot është ditë historike, duhet t’i liberalizohen vizat Kosovës

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e ka cilësuar ditën e sotme si historike.

Në kohën kur edhe po mbahet Samiti i BE-Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ajo theksoi se liberalizimi për kosovarët duhet të ndodhë.Duke folur në emër të eurodeputetëve, Metsola deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të ndodhin.

“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Evropian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Evropën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën”, deklaroi ajo.

Po ashtu Metsola tha se këto janë pikat që do të diskutohen brenda samitit.

“Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Evropian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat