Agjendë e re për Evropën, paralajmërohen sanksione të ashpra nga liderët e “Ballkanit të Hapur” ndaj shteteve të fuqishme

Aktuale

Agjendë e re për Evropën, paralajmërohen sanksione të ashpra nga liderët e “Ballkanit të Hapur” ndaj shteteve të fuqishme

Nga: A.ZH Më: 24 qershor 2022 Në ora: 09:02
Liderët e “Ballkanit të Hapur”

Publicisti Emin Azemi, ka thënë se pasi Samiti i Bashkimit Evropian, nuk pati epilog pozitiv për Ballkanin Perëndimor, liderët e “Ballkanit të Hapur” do të caktojnë rregulla të rrepta ndaj shteteve të fuqishme si Gjermania, Faranca, Holanda, Danimarka e Belgjika.

Sipas tij, një agjendë e re ballkanike, do t’i imponohet Evropës, ku të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të harmonizojnë ligjet dhe kushtetutat e tyre me shtetet e “Ballkanit të Hapur”, përcjell Bota sot.

Sanksionet do t’i prekin edhe shtetet që kanë mendime pozitive pro liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse kjo, sipas Azemit, i minon themelet e “Ballkanit të Hapur”.

Ai ka paralajmëruar befasi të tjera nga liderët e “Ballkanit të Hapur”.

Reagimi i tij në Facebook:

Pas përfundimit të Samitit të BE-së në Bruksel, pa ndonjë epilog pozitiv për Ballkanin Perëndimor, ka të ngjarë që këta liderët e Ballkanit të Hapur do të caktojnë ca rregulla dhe kushte të rrepta për Gjermaninë, Francën, Holandën, Danimarkën, Belgjikën etj.. para se të kandidohen për t'u anëtarësuar në Ballkanin e Hapur. Zëra afër Ramës e Vuçiqit po pëshpërisin për një agjendë të re ballkanike, e cila do t'i imponohet Evropës ....detajet ende nuk bëhen publike, por spekulohet se të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të harmonizojnë ligjet dhe kushtetutat e tyre me shtetet e Ballkanit të Hapur. Vetëm në këtë mënyrë Evropa do të mund të disiplinohet, thonë burime të afërta me liderët e BH. Tash e tutje ballkan-hapurit do të monitorojnë ecurinë e zhvillimeve politike në shtetet e sipërpërmendura dhe për rrjedhojë do të vendosin sanksione për të gjitha ato shtete që aplikojnë standarde të larta demokratike. Sanksionet do të jenë të pamëshirshme sidomos ndaj atyre shteteve që prioritet të tyre do të kenë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Hiq më lehtë nuk do të kalojnë edhe ato shtete që kanë mendime pozitive pro liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse kjo i minon themelet e Ballkanit të Hapur.

Në ditët në vijim priten edhe befasi të tjera, prandaj liderët e Hapur të Ballkanit pa perspektivë evropiane po punojnë pa rreshtur që të ballkanizojnë sa më tepër Evropën me ide e veprime që do të duartrokiteshin fort në Moskë....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat