Azem Vllasi vjen me thirrje publike për diasporën shqiptare: Organizoni protesta, Evropa ta kuptojë se...!

Aktuale

Azem Vllasi vjen me thirrje publike për diasporën shqiptare: Organizoni protesta, Evropa ta kuptojë se...!

Nga: A.M. Më: 24 qershor 2022 Në ora: 16:24
Azem Vllasi.

"Fakti që Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave është një qëndrim krejtësisht i paarsyeshëm, irracional dhe i padrejtë i BE-së, sepse Kosova para disa vitesh i ka përmbushur kriteret e kërkuara, por qytetarët e saj ende nuk kanë liri të lëvizjes dhe nuk ka shpjegim nga BE-ja pse është kështu", tha Azem Vllasi.

Vllasi u shpreh se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të jenë të pakënaqur dhe të protestojnë, por se diaspora shqiptare duhet të protestojë edhe në vendet e BE-së për të treguar pakënaqësi me ruajtjen e regjimit të vizave në Evropë.

“Qytetarët kanë të drejtë që protestojnë, dhe qytetarët e Kosovës në vendet evropiane duhet të organizojnë protesta, të kërkojnë liberalizimin e vizave, sepse nuk ka arsye për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me angazhimin e institucioneve të Kosovës edhe qytetarët duhet të ndikojnë dhe të protestojnë që Evropa ta kuptojë se po bën padrejtës”, tha Vllasi.

Ai shtoi se shumë vende mbështesin regjimin pa viza për Kosovën, por BE-ja vendos me konsensus.

“Gjermania dhe shumë vende të BE-së janë pro heqjes së regjimit të vizave, por gjithmonë ka një vend që është kundër, në këtë rast Franca, është krejtësisht e paarsyeshme pse po krijon problem me liberalizimin, por e tillë është vendimmarrja në sistemin e BE-së" tha analisti për Kosovo online, përcjell "Bota sot".

Lidhur me deklaratat e politikanëve se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë fajtorë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave, ai ka theksuar se opozita gjithmonë kritikon qeverinë, por rasti është humbur.

"Opozita po sulmon qeverinë aktuale për disa veprime të mëparshme dhe nuk i sheh gabimet e saj nga e kaluara. Gabimet janë bërë edhe më herët në lidhje me liberalizimin e vizave. Ne ishim më afër heqjes së vizave kur do të miratohej marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi dhe opozita nuk e ka lejuar, tani që janë në pushtet ai kusht është plotësuar, por BE-ja thotë “më falni, e humbët rastin, tani kemi kushte të tjera". Opozita dhe qeveria në Kosovë gjithmonë kanë të njëjtin model, mosmarrëveshje për çështje parimore”, theksoi Vllasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat