Qytetarët nisin sërish peticion për Trustin, përkrahen nga ky deputet

Aktuale

Qytetarët nisin sërish peticion për Trustin, përkrahen nga ky deputet

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 07:32
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës s’kanë hequr ende dorë nga kërkesa për tërheqjen e parave nga Trusti, pavarësisht se Projektligji që u dërgua në Kuvend për këtë punë dështoi që të miratohej, pasi 57 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër.

Ata kanë filluar sërish një peticion për të mbledhur nënshkrime për të riproceduar kërkesën për tërheqjen e parave nga Trusti në Kuvend.

Adnan Jashari ka njoftuar në grupin “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, se kanë nisur përgatitjet për të mbledhur nënshkrime.

“Pas kërkesës tuaj në grup për PETICIONIN për Trustin! Unë me disa anëtarë të grupit kemi filluar përgatitjet për të mbledhur nënshkrime për të riproceduar kërkesën tonë për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht në mbledhje të nenshkrimeve për peticion, le të më kontaktojnë qe t’ua jap fletët për  mbledhje të nenshkrimeve.

Kur të dalim në teren do të bëjmë publike lokacioni ku mund të nënshkruhet PETICIONI në Prishtine dhe qytetet tjera! Të nderuar anëtarë, një kopje të PETICIONIT po e publikoj ketu në grup që të keni mundësi ta printoni dhe nenshkruani ne vendet tuaja dhe pastaj të i dorëzoni tek ne”, ka shkruar Jashari.

Këtë nismë të qytetarëve e ka përkrahur sërish deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu.

Ai ka thënë se kushdo që hynë në garë kundër qytetarëve, do të jetë çdo herë humbës.

“Ndonëse Kryeministri Kurti  shfaqi gatishmëri që këtë të drejtë kushtetuese t’ua mohoj deputetëve  duke i trajtuar ata si teknokrat apo robot të Albinit, kërkesat e qytetarëve nuk mund të shtypen me arrogancën e numrave të pushtetit. Kush hynë në garë kundër qytetarëve çdo herë do të jetë humbës. Shihemi në votimin e radhës për Trustin, deputetë të popullit apo robotë të Albinit”, ka shkruar Haxhiu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë Projektligjin që do të mundësonte një tërheqje të sërishme të kursimeve nga Trusti. Nismës së propozuar nga deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i dolën kundër 57 deputetët e pushtetit, derisa përkrahje i dhanë 44 deputetët e opozitës.

Votimit i paraprinë diskutimet disa orëshe, e kohë pas kohe edhe përplasjet.

Propozimi për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij propozimi, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat