Kryeministri Kurti diskutoi me kryetarët e nënkryetarët e komunave për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut

Aktuale

Kryeministri Kurti diskutoi me kryetarët e nënkryetarët e komunave për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 13:44
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një takim pune me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”. Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi. Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

Kryeministri Kurti tha se përkushtimi ynë për krijimin e një klime të respektimit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes organizimit të sotëm, ku siç tha ai, megjithëse nuk është data 10 dhjetor e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, po e vëmë theksin për veprimet që kemi ndërmarrë deri tani e ato që duhet t’i ndërmarrim përpara, ashtu që të shënojmë edhe më shumë progres e t'i rrisim hapat në fushën e të drejtave të njeriut.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri theksoi se jemi të vetëdijshëm dhe vazhdimisht i kemi në mendje maksimat e aktivistëve të paepur, që me shembujt e tyre, me thëniet e tyre ikonike si "ekzistimi i padrejtësisë diku është kërcënim për drejtësinë kudo" apo "mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore" na e kanë trasuar rrugën prej së cilës as nuk mund e as nuk duam të dalim, sepse në fakt nuk ka rrugë tjetër.

 “E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.

Në sesionin e parë folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave. Zëvendëskryeministrja Redžepi, në fjalën e saj theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.

Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.

Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata  theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Redžepi,

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

I nderuari Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,

Të nderuar kryetarë të komunave, nënkryetarë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Për mua është kënaqësi të diskutojmë përmbajtësisht e së bashku, sidomos në raste të këtilla ku përqendrohemi në tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët tanë.

Përkushtimi ynë për krijimin e një klime të respektit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes këtij organizimi të sotëm, ku megjithëse nuk është data 10 dhjetor (siç ndodh rëndom të ketë diskutime të tilla në shënimin e përvjetorit të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut), ne po e vëmë theksin për veprimet që kemi ndërmarrë deri tani e ato që duhet t’i ndërmarrim përpara, ashtu që të shënojmë edhe më shumë progres e t'i rrisim hapat në fushën e të drejtave të njeriut.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbeten referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin.

E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi.

Ne jemi të vetëdijshëm dhe vazhdimisht i kemi në mendje maksimat e aktivistëve të paepur, që me shembujt e tyre, me thëniet e tyre ikonike si "ekzistimi i padrejtësisë diku është kërcënim për drejtësinë kudo" apo "mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore" na e kanë trasuar rrugën prej së cilës as nuk mund e as nuk duam të dalim, sepse në fakt nuk ka rrugë tjetër.

E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme.

Ne, pothuajse më së miri e dimë se ashtu sikurse liria që kurrë nuk dhurohet por fitohet, as drejtësia nuk jepet, por duhet të vendoset. Prandaj, jemi të interesuar e po punojmë që ta ndërtojmë një sistem që vendosë drejtësi të bazuar vetëm në ligj - të cilit i nënshtrohen të gjithë e që e dominon secilin. Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti, as grup më të fuqishëm se Republika, e rrjedhimisht asnjë mbi ligjin apo anash tij.

"Paqe nuk nënkupton vetëm t'i jepet fund dhunës apo luftës, por edhe të eliminohen të gjithë faktorët e tjerë që e kërcënojnë atë, si diskriminimi, pabarazia e varfëria". Në këtë drejtim, e vlerësojmë se është thelbësore për neve që me këmbëngulësi të vazhdojmë zbatimin e modelit të mbarë që e kemi iniciuar për realizim të drejtësisë në njërën anë, e për zhvillim ekonomik e social në anën tjetër.

Ne bashkërisht duhet ta marrim përgjegjësinë që t’ia mbrojmë të drejtat secilit, të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare, të drejtat e pakicave. Asnjë njeri nuk duhet t’i meritoj të drejtat, me vet qenien tonë ato na takojnë. Njeriu me punë e meriton mirëqenien, mirëpo të drejtat i meriton me qenie, me vet faktin që është, me vet faktin që ekziston.

Si gjithmonë, ngelemi të hapur e të gatshëm për bashkëpunim ndaj të gjithë akterëve e partnerëve tanë, e posaçërisht për komunat tona që janë adresë e parë e të gjithë qytetarëve për secilën çështje.

Jo vetëm republika po edhe komuna na bën qytetarë, dhe jo vetëm republikën por edhe komunën e përbëjnë qytetarët. E qeverisjet tona le të jenë përherë shërbime të mira e të drejta.

Jam i bindur se puna e përbashkët në komuna është e lidhur dhe duhet të kulmojë në çdo vendbanim me atë çfarë shohim nga këtu ku ndodhemi: sa më shumë gjelbërim e ajër sa më të pastër.

Ju faleminderit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat