Reagon ashpër presidenti i Kroacisë: Askund nuk thuhet se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Aktuale

Reagon ashpër presidenti i Kroacisë: Askund nuk thuhet se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 16:18
Zoran Milanoviq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar sot se askund në dokumentet e BE-së nuk thuhet se Serbia duhet të njohë të Republikën e Kosovës.

Kur u pyet nga mediumi serb ‘Tanjug’ për të sqaruar atë që mbeti pa u thënë nga Forumi i Prespës në Ohër në Maqedoninë e Veriut, dokumentet e BE-së thonë se Serbia duhet të njohë Kosovën, presidenti kroat u përgjigj se askund nuk thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër kishin bërë thirrje për integrimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse në rajon.

Në debatin e organizuar me temë “Çka pas luftës në Ukrainë?”, liderët e vendeve pjesëmarrëse u shprehën në favor të dhënies së statusit të shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe Bosnjës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në fjalimin e saj, Osmani bëri thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimeve ruse dhe kineze në rajon.

“Kosova tash e pesë vjet po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit të BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj, u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, deklaroi Osmani në tribunën me temë: “Çka pas konfliktit në Ukrainë?”.

Osmani mbështeti dhënien e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, porse një status të tillë, tha Osmani, duhet t’i jepet edhe Bosnjës si dhe Kosovës, e cila planifikon të aplikojë.

“Sa më shumë vakum të lërë BE-ja në Ballkanin Perëndimor, aq më të këqija do të jenë ndikimet ruse dhe kineze në rajon. Çështja është shumë e thjeshtë, nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështeteni statusin e shtetit kandidat për Kosovën dhe Bosnjën. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështeteni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, theksonte Osmani, më 16 qershor.

Duke përsëritur deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentja Osmani, tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Njohja e ndërsjellë, siç e dimë të gjithë, është zgjidhja e vetme, e cila do të sjellë stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, tha Osmani.

Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në fjalimin e tij ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-ja të vazhdojë me procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.

“Shtetet e krahut lindor janë të ekspozuara ndaj ndikimit qëllimkeq të propagandës ruse, si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja. Këtu do të përmend edhe dy shtete të tjera, Kosovën dhe Serbinë, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën, por janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të njihen reciprokisht, përndryshe nuk do të ketë lëvizje përpara… Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitoi Serbinë dhe duke përmendur kushtet tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën që të lehtësojë jetën në Ballkanin Perëndimor”.

“Presidenti Vuçiq reagoi duke thënë se ky nuk ishte deri tani kusht. Ju them se kjo nuk do të kalojë lehtë, nuk është inkurajuese, por siguria nënkupton njohje të ndërsjellë andaj edhe këtu duhet të përqendrohemi dhe të përçojmë mesazhin deri te Serbia se duhet të bëjë zgjedhjen, se ky problem duhet të zgjidhet”, deklaronte presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat