Hovenier: Marrëveshja për energjinë, hap që tregon se mund të arrihet përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Hovenier: Marrëveshja për energjinë, hap që tregon se mund të arrihet përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 21:37
Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, shpreson të zbatohet siç duhet udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se kjo është arritja e parë e rëndësishme në dialog brenda disa viteve.

“Dhe ne e konsiderojmë atë të jetë arritje mjaft e rëndësishme. Kjo marrëveshje zgjedh një problem të pazgjidhur. Të gjithë qytetarët, banorë të Kosovës, pa marrë parasysh ku jetojnë, do të paguajnë faturat e energjisë. E vë energjinë elektrike në veri nën mbikëqyrjen e rregullatorit të Kosovës dhe është hap i rëndësishëm përpara që tregon se në fund të fundit, mund të arrihet përparim i rëndësishëm për të dy vendet përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin ne e mbështesim fuqimisht. Pra, ne lëshuam një deklaratë pak pas arritjes së marrëveshjes, duke shprehur mbështetjen tonë të fuqishme, që jemi shumë të kënaqur që është arritur dhe do të nxisë përparim të mëtejmë në dialog”, ka thënë Hovenier.

“Por, unë do të thosha se ne vazhdojmë të besojmë se dialogu është prioritet i rëndësishëm. Dëshirojmë të shohim Kosovën të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne besojmë fuqishëm se dialogu është mënyrë e rëndësishme për të arritur këtë dhe besojmë që Kosova mund të marrë pjesë në mënyrë aktive, konstruktive në dialog dhe të arrijë përparim domethënës për Kosovën pa i sakrifikuar gjërat që nuk janë të negociueshme”.

“Askush nuk po i kërkon Kosovës të negociojë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin e saj territorial. Me arritjen e marrëveshjes për energji, kryeministri Kurti e Besnik Bislimi treguan pikërisht këtë: se mund të arrihet diçka domethënëse për Kosovën – dhe është e rëndësishme për t’u arritur – dhe që ka gjasa për sukses edhe më të madh në dialog”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat