Gjashtë kilogram tritol u shpërthyen për t’ia hedhur në erë shtëpinë dhe 12 anëtarë të familjes, gazetarit Qafleshi

Aktuale

Gjashtë kilogram tritol u shpërthyen për t’ia hedhur në erë shtëpinë dhe 12 anëtarë të familjes, gazetarit Qafleshi

Nga: Idriz Morina Më: 30 qershor 2022 Në ora: 12:05
Pamje nga vendi i ngjarjes, KFOR-i duke i bërë hetimet për sulmin terrorist me tritol, i pagjykuar!

Ende nuk kishte rënë mesnata. Ishin minutat e fundit të 1 shtatorit! Moti ishte i mirë, temperaturat thuajse verore. Në shtëpi gjysma e familjes kishin fjetur, dhe në lokalin poshtë, ende dikush po cakërronte ndonjë gotë. E gjithë familja, ndodhej në shtëpi dhe në lokal, të 12 vetat!

Papritmas, dëgjohet një shpërthim i madh, tronditës, dridhet e gjithë shtëpia. Gjërat po binin nga raftet e vitrinat, ormanët po shkundulloheshin. Gjithçka po përmbysej si nga tërmetet e mëdha. Por, kjo nuk ishte.

Kjo ndodhi në shtëpinë e kolegut tonë Muharrem Qafleshi, në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit, në mesnatën e 1 shtatorit 2001, që ende se kishte një vit, prej kur kishte nisur të punonte në “Bota sot”, nga dhjetori i vitit 2000!

“Nuk dinim nga t’ia mbanim. Frikë, tmerr dhe pasiguri”, thotë 21 vjet pas asaj ngjarje tronditëse, Dr.Muharrem Qafleshi, atëherë rreth të 40-ave.

Image
Raporti për sulmin me tritol ndaj gazetarit tonë Muharrem Qafleshit

E kishin kaluar luftën, por një shpërthim kaq të fuqishëm se kishin dëgjuar asnjëherë kaq afër.

“Unë isha duke fjetur me nipin tim Valentin 6 vjeçar, kur ka ndodhur shpërthimi. Ishte sikur rrufeja të na kishte goditur”, rrëfen kolegu ynë Dr.Muharrem Qafleshi, i doktoruar në shkencën e historisë.

“Ishte ora rreth 23.45 minuta. Përnjëherë një shpërthim, që na tmerroi të gjithëve dhe unë që isha në gjumë, ende se kisha të qartë ç’po ndodhte!”, rrëfen detajet Qafleshi.

Image
Skena e krimit, pasojat e jashtme nga shpërthimi i 6 kg tritol

Si në çdo tronditje të tillë, instinktivisht njerëzit kërkojnë shpëtim duke dalur jashtë shtëpisë.

“Ashtu si ishim, unë, prindërit dhe të gjithë dolëm jashtë në oborr kemi dal të gjithë dhe po thuaj se të gjithë ishim të gjakosur nga xhamat e dritareve. 3 vëllezërit e mi, që ishin në lokal, shpërthimi i kishte gjuajtur disa metra larg, duke i përgjakur”, rrëfen ai.

Para se të dilte jashtë, Muharremi ishte kujdesur për nipin e vogël, pa shikuar apo pa u brengosur se këmbët e tij do të shpërtheheshin nga copa xhamash të shpërndarë gjithandej nga thyerja e dritareve për shkak të shpërthimit të fuqishëm.

“Unë vetëm e kam mbuluar nipin me batanije dhe duke dal nga dhoma këmbët i kisha të gjakosura duke ecur shkujdesshëm nëpër xhama të thyer, për ta kuptuar sa më parë se çfarë kishte ndodhur”, rrëfen me ndjenja trishtimi Muharremi.

Për ditë të tëra nipi i tij, Valenti, do të përjetonte trauma, nga çdo rrapëllimë, zhurmë.

“Dhe nga ajo ditë çdo zhurmë e shqetësonte jashtë mase ose trembej”.

Nëna e Muharremit ka vdekur në vitin 2005, ndërsa babai me 2017. Por, nëna kishte pësuar sulm në tru, pak ditë pas sulmit me trotil.

Pas sulmit ajo nuk ishte ndjerë më aspak rehat. Shpërthimi tronditës, dhe fakti se të katër bijtë e saj ishin të detyruar që të bënin roje çdo natë, duket se veç traumës do ta bënin aq të stresuar, sa nuk mundi t’i përballonte.

Një natë familja e gjeti thuajse të palëvizshme nga sulmi në tru, të cilit i mbijetoi vetëm përkohësisht.

Pak para shpërthimit, tre vëllezërit që kishin qëlluar në lokal, e kishin ndie erën e barutit dhe kishin dal për të parë se çfarë ishte, nga po vinte ajo erë.

“Për fat të mirë të tyre, që ishin larguar për disa sekonda pasi që ishin ndodhur në afërsi të trotilit, dhe kur shpërthen, ata i hedhe në erë. Nga kjo ata kanë pasur lëndime në fytyrë”, thotë Muharremi.

Image
Muharrem Qafleshi me 29 qershor 2022, 21 vjet pas sulmit terrorist ndaj tij dhe familjes së tij. Bllokat e kuq tregojnë se ai lokal mbeti mbyllur përgjithmonë

Sipas tij, KFOR-i i kishte thënë se drejtimi i forcës goditëse për fat ishte në drejtim të kundërt me shtëpinë. “Edhe një detal. Për fat fuqia shpërthyese sipas KFOR-it kishte qenë në drejtim të bibliotekës së fshatit, se po të kishte qenë në drejtim të shtëpisë sime ishte shkatërruar tërësisht”, thotë ai.

Por, siç shihet nga fotoja, meqë trotili për fat ishte vendosur ngjit me objektin ku ndodhej parfumeria, dhe pavarësisht që ishte prona e tyre, objekti ngjitur formonte një kthesë mjaft të fuqishme. Kjo kthesë si duket ka qenë fati që i ka shpëtuar tre vëllezërit e Muharremit, myshterinjtë që ndodheshin në lokal, por edhe vetë shtëpinë dy katëshe ku jetonte familja.

“Vëllezërit e lënduar ishin Rexhepi, Sabahdini dhe Avlla. Kurse myshterinjtë kanë qenë brenda. Njëri prej tyre Ruzhdi Qafleshi lëndohet mjaft, ngase kishe gjak në gjithë trupin”, rrëfen Qafleshi.

“Ishte një kujtim i hidhur dhe i tmerrshëm për tërë familjen time, emocione rrëqethëse, edhe sot kur i kujtoj ato momente më rrëqethet trupi”, thotë kolegu Qafleshi.

Pjesën tjetër të bisedës po e japim në formë të intervistës klasike.

Cilat sipas jush ishin pasojat shëndetësore apo fizike të shpërthimit?

Qafleshi: Po nëna ime pas disa vitesh në moshën 67 vjeçare ndërron jetë. Por, ajo si pasojë e këtij shpërthimi, pas disa ditësh pëson sulm në tru.

Ka pasur edhe të lënduar, më rëndë si kushëriri Ruzhdi Qafleshi, tre vëllezërit e mi, por edhe ne të tjerët nga xhamat e thyer duke shkelur mbi ta, nga rrëmuja dhe paniku që u krijua.

Si e kujtoni tani momentin e shpërthimit 21 vjet më parë?

Qafleshi: Non stop mendoj dhe me qindra herë ka menduar. Po ashtu kam kërkuar zbardhjen e rastit, por gjithmonë ka has në vesh të shurdhër.

Çfarë ju shkon në mendje sot, kur ju kujtohet ai sulm?

Qafleshi: Çka të them bre Idriz, edhe sot kur e mendoj, them se ishte nata më e tmerrshme e jetës sime.

Kurrë nuk më del nga mendja dhe pres që rasti të zbardhet, vetëm atëherë do të ndihem i lehtësuar shpirtërisht.

Image
Lajmi në ballinën e "Bota sot", të ruajtur nga autori

Si e përjetuan familjarët shpërthimin, çfarë bënë ose thoshin në ato momente?

Qafleshi: Keq, shumë keq!

Keq. Ata nuk më thonin gjë, por unë nuk ndihesha mirë, se mendoja se unë isha shkaktari apo caku i këtij akti kriminel ndaj familjes sime.

Mua me 1981 më larguan nga fakulteti si pjesëmarrës i demonstratave dhe si separatistë, një muaj rresht më morën në pyetje agjentet e UDB-së.

Por këtë nuk e prisja se do të ma bënin shqiptarët, vetëm pse e tregoja botërisht të vërtetën e asaj kohe me shkrime.

Edhe një vit kemi bërë roje me vëllaznit e mi.

Rojën e kemi bërë në shtëpinë tonë, duke dal herë pas herë rreth e qark shtëpisë, por edhe nga dritaret e shtëpisë duke e vëzhguar terrenin të armatosur,

Pikërisht për punën time në gazetë.

Sa veta keni qenë në shtëpi kur ka ndodhur sulmi?

Qafleshi: Prindërit babai dhe nëna, motra, tre vëllezërit, dy me bashkëshortet e tyre dhe tre fëmijët e tyre.

Unë vet i 12-it anëtarë, të familjes së ngushtë.

Dhe në lokal që e kemi pasur në katin e parë të shtëpisë ishin gjashtë persona, ku njëri plagoset mjaft, Ruzhdi Qafleshi-kushëri.

Poshtë ishte lokali, në përdhesë, i ndarë në mes, në njërën anë shitorja dhe në tjetrën pijetorja.

A ka pasur ndonjë hetim serioz, dyshime për autor?

Qafleshi: Mendoj se po, ngase agjent civil kanë hetuar ditë të tëra. Tani të dyshuar ka, por vetëm të dyshuar asgjë e konfirmuar. Policia dhe KFOR-i kanë bërë hetime, por vetëm hetime pa ndonjë rezultat konkret. Policia e ka ndihmuar KFOR-in në hetime.

Por, “si gjithmonë hetimet vazhdojnë”.

Kanë qenë disa persona. Jo një, por disa. Ka pasur vëzhgues të terrenit, ngase qeni i policisë i dresuar për eksploziv shkoi në shkallët e një kati më lart të bibliotekës, të cilat ndodhen jashtë objektit. Kjo tregoi se ka pasur shumë persona të angazhuar.

Ne presim që një ditë drejtësia ta thotë fjalën e vetë dhe autorët e këtij akti kriminel ta marrin dënimin e merituar.

Kanë reaguar të gjitha instancat politike kosovare, partitë politike duke e dënuar rastin.

A keni bërë padi, pasi bëhet fjalë për një sulm terrorist, një sulm që edhe nëse nuk kualifikohet sot ashtu, ka pasur për qëllim, asgjësimin tuaj dhe të familjes, si dhe asgjësimin e pronës, dhe me pasoja fizike dhe shpirtërore?

Qafleshi: Jo. Nuk na ka udhëzuar askush. Se kishim menduar këtë. Thjesht kërkonim dhe prisnim zbardhjen e rastit. Po për padi tani mos është vonë se kanë kaluar 21 vite.

A është vlerësuar dëmi dhe a keni dëshmi të vlerësimit?

Qafleshi: Sipas KFOR-it sasia e tritolit që u përdor ka qenë rreth 6 kilogram, i cili shpërthim kishte bërë dëme materiale edhe në bibliotekën e fshatit dhe në shtëpitë për rreth.

Dëmet materiale janë vlerësuar nga një komision se ishin rreth 38 mijë Dm për sulmin që ndodhi me 1 shtator 2001.

Sipas jush, perceptimit, gjykimit, cilat ishin motivet e sulmit?

Qafleshi: Po tani si thuaja të gjithë gazetarët e “Botës sot”, ishin në një farë mënyre të atakuar.

Edhe unë shkruaja për presidentin historik d. Ibrahim Rugovën dhe linjën e LDK-së, që atë kohë ishte në pushtetin lokal.

Dhe atë kohë shumë persona patriot hidhnin gurë e dru kundër presidentit Rugova dhe LDK-së.

Unë kryesisht bëja shkrime për aktivitetet e shumta të pushtetit lokal, për investimet sidomos në infrastrukturë rrugore, arsimore, shëndetësore edhe kjo i pengonte disa.

Ngase LDK-ja i mbajti pushtetin lokal dy mandate, ngase popullata kishte më shumë simpati për Rugovën dhe LDK-në”.

Muharrem Qafleshi ka doktoruar në histori, ka punuar për shumë vite mësimdhënës dhe ligjërues universitar. Ai ka punuar në gjimnazin "Ruzhdi Berisha" në Dragash, dhe ka ligjëruar në Kolegjin e "Biznesit" në Prizren. Tani është në pension, por nuk i takon asgjë, sepse deri në fund të okupimit nga Serbia, nuk i kishte arritur 15 vjet punë. I merr vetëm 100 euro ndihmë pleqërie.

Por, kujtimet e trishta të punës si gazetar ende vazhdojnë ta mbajnë disi peng. Ajo që ndodhi, pse ndodhi? Kush e bëri? Cilat ishin motivet e tyre? Pse njerëzit, që nuk i kishin bërë asnjë të keqe, por vetëm të mira shqiptarëve po sulmoheshin? Kush ishin këta? Nga vinin? Ku do të shkonin!?

Ky sulm tregon, për shkallën e lartë të urrejtjes ndaj Rugovës dhe rugovizmit, për krimin sistematik dhe të pamëshirshëm ndaj kujtdo që mund të paraqiste problem në rrugën e tyre për pushtet, por edhe për të penguar demokracinë, lirinë, dhe siç thoshte Rugova edhe shtetbërjen, formale!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat