Vrasja e Marigonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Krivaqës dhe Sejdiut

Aktuale

Vrasja e Marigonës, caktohet seanca gjyqësore ndaj Krivaqës dhe Sejdiut

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 14:35
Marigona Osmani, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa

Gjykimi ndaj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanin, pritet të nis më 14 korrik të këtij viti.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e kanë konfirmuar nga zyra për informim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Ndryshe, kjo lëndë i është caktuar gjyqtarit Sahit Krasniqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.

Me çka në bashkëkryerje, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Me çka, akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat