Bytyçi: UÇK po abuzohet nga ata që nuk e kanë ndez asnjë fishek, ja pse duhet të ndalet fushata kundër Muratit

Aktuale

Bytyçi: UÇK po abuzohet nga ata që nuk e kanë ndez asnjë fishek, ja pse duhet të ndalet fushata kundër Muratit

Nga: A.ZH Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:12
Hekuran Murati

Profesori i shkencave politike Enver Bytyçi, ka kërkuar të ndalet fushata kundër ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për shkak të deklaratës së tij për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bytyçi ka thënë se duhet inkurajuar politikanët që të tregohen të sinqertë si ai.

Duke analizuar arsyet se pse nuk duhet sulmuar ministri Murati, profesori ka thënë se në emër të luftës edhe sot pas 23 vitesh po abuzohet e spekulohet edhe prej atyre që nuk kanë ndez asnjë fishek.

Reagimi i tij i plotë në Facebook:

Ministri Hekuran Murati ndoshta tha para tri ditësh diçka të papërshtatshme nga pikëpamja e rriskut elektoral.

Por, qytetarët e Kosovës duhet të binden se ai tha një të vërtetë! Kosova kishte Ushtrinë Çlirimtare të saj, e cila dha kontribute të çmuara për çlirimin e vendit. Ndërkaq, Kosovën e çliroi NATO dhe UÇK ishte kontribuuese e jashtëzakonshme në këtë aksion!

Nëse nuk do të ndërhynte NATO, a do të kishim një shtet të Kosovës e për pasoje a do të kishte pensione lufte?!

Nëse rezultati është arritur nga NATO, me ndihmën e UÇK-së, a do të ishte e moralshme që Kosova edhe NATO-s t'ia paguajë 120 milionë euro e më shumë?!

Ta zëmë se çlirimi i Kosovës do të ishte vepër vetëm e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A do të duhej që milionerët që kanë grabitur prona pa fund në emër të luftës, të dëmtojnë buxhetin e shtetit me pensione lufte?! Në emër të luftës edhe sot pas 23 vitesh po abuzohet e spekulohet edhe prej atyre që nuk kanë ndez asnjë fishek!

Për të gjitha këto arsye duhet ndalur fushata kundër ministrit Murati! Mos abuzoni me sinqeritetin e tij! Madje duhet t'i inkurajoni që politikanët të jenë të sinqertë si ai!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat