Gjithçka çfarë dihet deri më tani rreth incidentit me Policinë në Skenderaj dhe dyshimet për përfshirjen e Nuredin Lushtakut

Aktuale

Gjithçka çfarë dihet deri më tani rreth incidentit me Policinë në Skenderaj dhe dyshimet për përfshirjen e Nuredin Lushtakut

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 15:26
Nuredin Lushtaku

Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur njëri nga arma e zjarrit e tjetri i lënduar nga mjetet e forta, si pasojë e një përleshje që ka ndodhur mbrëmë në Skenderaj, ku dyshohet se i përfshirë ka qenë ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.

Lushtaku është intervistuar sot nga ana e policisë, dhe i njëjti më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Këtë e konfirmoi avokati i tij, Artan Qerkini.

“Po është liruar nga ndalimi policor. Nuk ekziston dyshimi që ai ka përdorë armë në rastin në fjalë. Policia do t’i zhvillojë hetimet, ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti, pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdorim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, ka thënë Qerkini.

Lushtaku në disa media sot gjatë ditës dha deklarata të ndryshme lidhur me këtë rast.

Ai fillimisht tha se detaje nuk do të japë deri në përfundim të hetimeve nga Policia e Kosovës.

Pas kësaj deklarate, Lushtaku dha edhe një tjetër deklaratë për Kallxo, ku mohoi të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllezërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë…”, deklaroi Lushtaku.

Lidhur me këtë, Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK më tej ka theksuar se për detaje shtesë t’i drejtohemi Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.

Media ka provuar të marrë një deklaratë nga vetë Lushtaku lidhur me këtë rast, por i njëjti nuk u është përgjigjur telefonatave tona.

Dy policë janë plagosur në Skenderaj të shtunën pas mesnatës. Siç bëhet e ditur nga Policia ata janë plagosur në një pikë kontrolli.

“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Lidhur me këtë rast policia ka njoftuar se dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat