​Kurti thirrje qytetarëve serbë që t’i regjistrojnë automjetet me targa RKS

Aktuale

​Kurti thirrje qytetarëve serbë që t’i regjistrojnë automjetet me targa RKS

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 20:53
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti sot u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i ndërrojnë targat e automjeteve në “RKS”, pas vendimit që Qeveria mori më 29 qershor.

Ai në një video-mesazh në Facebook në gjuhën serbe, ka thënë se me ndërrimin e targave garantohet mbisundimi i ligjit krahas politikës dhe interesave individualë.

“Në 34 qendra tjera komunale regjistrimi, do të jetë i organizuar procesi i regjistrimit të mjeteve, e me këtë kalimi nga tabelat ilegale në ato të vlefshme në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, tabela me shenjën RKS. Në këtë mënyrë garantojmë mbisundim të ligjit krahas politikës dhe interesave individualë, gjë e cila është në interes të çdo qytetari të shtetit tonë të përbashkët. Gjatë regjistrimit të parë nuk do të kërkohet kontrolli teknik, ndërsa komunat mund të vendosin të mos kërkojnë pagesën prej 10 eurove në bazë të taksës komunale. Ministria jonë e Punëve të Brendshme do të nxjerrë Udhëzim Administrativ që do të rregullojë detajisht çdo hap”, ka thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë më datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë dhe obligon Ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat