Krejt çfarë dihet deri tani për përplasjen e Nuredin Lushtakut dhe policëve në Skenderaj?

Aktuale

Krejt çfarë dihet deri tani për përplasjen e Nuredin Lushtakut dhe policëve në Skenderaj?

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 10:08
Nuredin Lushtaku

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me familjarë të tjerë dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e policëve në këtë qytet. Zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë.

Lushtaku ka mohuar se ka pasur dhe përdorur armën. Ai pretendon se polici Enver Smakiqi ka gjuajtur pa asnjë arsye në drejtim të kolegut të tij.

“Më vjen keq për gjithë çfarë ka ndodhur mbrëmë, në përfshirjen në një inicident krejtësisht të panevojshëm, ku pasoja kanë mundur të jenë edhe me të mëdha për faktin e veprime abnoramle dhe agresive të policit Enver Smakiqi. Polici Smakiqi pa asnjë arsye ka përdorur armën mbrëmë dhe ka plagosur kolegun e tij, derisa qëllim cak kishte vëllaun tim Faton Lushtaku”, thotë ai.

Megjithatë, këto zëra i mohoi Inspektorati Policor i Kosovës.

Përmes një komunikate konfirmoi se pas konsultimit me autoritetet relevante arritën në përfundim se asnjë prej zyrtarëve policorë nuk ishte i dyshuar.

“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili tha se ndaj policisë ka ndodhur një sulm i rëndë.

“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, ky rast nxit reagime të shumta në rrjete sociale.

Anëtarë të shoqërisë civile reaguan duke thënë se sulmi ndaj policëve është sulm ndaj shetit.

Po ashtu një reagim erdhi edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila dënoi ashpër dhunën e Nuredin Lushtakut ndaj policëve.

“Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Me e sulmu policinë e Kosovës duhet të jetë e papranushme në çdo rrethanë. Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit. Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë.”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, djali i Nuredin Lushtakut bashkë me xhaxhain e tij, Arifin janë dorëzuar në Polici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat