Delegacioni amerikan i MCC-së sot fillon vizitën në Kosovë

Aktuale

Delegacioni amerikan i MCC-së sot fillon vizitën në Kosovë

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 07:13
Foto ilustrim

Sot duke filluar nga ora 09:00 – 11:30, do të mbahet takimi në mes të delegacionit amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së.

“Në fillim të takimit do të ketë fjalë rasti nga Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli. Pas aprovimit unanim të Programit Kompakt të Kosovës nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, një delegacion teknik Amerikan ka ardhur për vizitë pune në Kosovë. Qëllimi i vizitës është fillimi i punës në dizajnimin dhe implementimin e projektit të sistemeve akumuluese, si dhe mbajtja e takimeve koordinuese me institucionet hisedare në projektin e kapaciteteve akumuluese të energjisë”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Pika e parë e vizitës 10-ditëshe do të jetë takimi ndër-institucional në mes të delegacionit amerikan dhe hisedarëve të energjisë në Kosovë, ku bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT-it, KEDS-it, ZRrE-së, KEK-ut, si dhe pjesëtarët e Ekipit për Zhvillimin e Programit Kompakt, të cilët funksionojnë në Zyrën e Kryeministrit.

“Gjatë takimit do të diskutohen detajet teknike të projektit dhe planet e ardhshme për të përshpejtuar procesin e zbatimit”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Tri janë projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë të financuar përmes programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit të miratuar së fundi në Uashington.

Ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli, tha për RTK se nga projektet e MCC-së Kosova do të ketë shumë përfitime.

“Nga ky projekt i shumë përfolur Kosova do të përfitojë shumë. Marrëveshja do të nënshkruhet më 27 korrik me kryeshefen e MCC në Kongresin amerikan dhe në prezencë në presidentes dhe kryeministrit të Kosovës”, tha ajo.

Rizvanolli bëri me dije se do të blihen dhe instalohen bateri që ofrojnë rezerva të energjisë dhe se kjo do të ndihmojë sektorin e energjisë në vend.

Sipas saj marrëveshja shpreson të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës para se legjislativi të shkojë në pushim veror. “Përkrahja prej 200 milionë dollarë do të sjellë punësim dhe përfitim për Kosovën”, theksoi ajo./RTK

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat