Avokati ankohet në Supreme për mbajtjen në paraburgim të Kadri Veselit, përmendet edhe Nazim Bllaca

Aktuale

Avokati ankohet në Supreme për mbajtjen në paraburgim të Kadri Veselit, përmendet edhe Nazim Bllaca

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 11:42
Kadri Veseli

Në Gjykatën Speciale zhvillimet po bëhen gjithnjë e më dramatike, me fjalorin mes Prokurorisë e Gjykatës që po bëhet gjithnjë e më konfrontues. Së fundi, Ben Emmerson – avokati i Kadri Veselit – e ka dorëzuar një ankesë dhe e cila përmban fjalë e cilësorë shumë të rëndë.

Fakti që për gati dy vjet klienti i tij po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, ka bërë që avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, së fundi t’i drejtohet Gjykatës Supreme në Hagë.

Ai ka renditur disa arsye në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe asaj të shkallës së parë, që katër ish-krerët e UÇK-së të mbesin në paraburgim. 

Të mjerueshëm dhe alarmant e ka vlerësuar avokati i Kadri Veselit faktin që ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, po mbahet në paraburgim edhe gati 2 vjet pas arrestimit, përderisa procedura gjyqësore në anën tjetër nuk ka nisur.

Në një ankesë të Ben Emmerson për mbrojtje të ligjshmërisë drejtuar në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara, thuhet se me këto vendime, janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ndaluar 100% të të gjithë të akuzuarve në paraburgim. Për një institucion që supozohet se i përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është thjesht e mjerueshme. Është alarmanete. Paraburgimi duhet të jetë përjashtim e jo rregull. Megjithatë, praktika e Gjykatës Speciale tregon krejt të kundërtën. Nëse vendimi lihet në fuqi, një praktikë e tillë do të arrijë një hap më tej, duke e bërë paraburgimin rregull absolut, pa përjashtim”, thuhet në ankesën e avokatit të Kadri Veselit në Supreme.

6 pika të ankesës i ka renditur Emmerson në këtë parashtrim. Aty avokati i Veselit përmend edhe Nazim Bllacën, masën joproporcionale të mbajtjes në paraubrgim, rreziqet e ashtuquajtura që i ka evidentuar gjykata për ndërhyrje, e deri te gabimet në vlerësim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Njëra ndër pikat kryesore sipas avokatit Emmerson, është vonesa që ka bërë Gjykata e Apelit në Speciale, për të vendosur në lidhje me mbajtjen në paraburgim.

“Në çështjen në fjalë, mbrojtja paraqiti ankesën e saj më 3 dhjetor 2021. Kolegji i Gjykatës Apelit mori vendimin për të kundërshtuar pothuajse katër muaj më vonë, 31 mars 2022. Duke marrë parasysh praktikën gjyqësore në GJEDNJ, një vonesë e tillë për të nxjerrë një vendim në mënyrë të qartë, shkel nenin 5, përveç rasteve kur autoritetet japin prova bindëse që mund ta justifikojnë vonesën. Mbrojtja pohon se në këtë rast, në asnjë rrethanë nuk ka qenë e mundur të justifikohet vonesa”, ka theksuar Ben Emmerson.

Një pikë e rëndësishme është edhe përmendja e emrit të Nazim Bllacës. Avokati i Kadri Veselit, ka theksuar se Kolegji i Apelit nuk ka marrë parasysh asnjë provë në këtë rast, kur është argumentuar se Veseli mund të ndikojë në drejtësi. Sipas Emmerson, Bllaca kurrë nuk ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Gjatë gjykimit në vitin 2012, tre dëshmitarë përfshirë z.Veseli, dëshmuan nën betim se z.Bllaca asnjëherë nuk ka qenë anëtar i SHIK-ut, apo nuk ka pasur ndonjë lidhje me të. Bllaca nuk ishte në gjendje t’i përgjigje pyetjeve të hollësishme mbi strukturat e larta ose organizimin në SHIK. Bllaca gjithashtu dëshmoi se kurrë nuk e kishte takuar z.Veselin. Gjykata e Qarkut kishte gjetur se ai mund të kishte keqkuptuar ose gënjyer për këtë çështje. Disa vite më vonë, u zbuluan dokumente që tregonin se Bllaca ishte informator me pagesë, që punonte në shërbimin sekret serb”, thuhet në parashtresën e avokatit të Kadri Veselit.

“Përsëri kolegji i Apelit nuk mori parasysh parashtrimet e mbrojtjes se pretendimet e Bllaëcs ishin të paargumentuara lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur 20 vjet më parë, madje as që personi e pranoi që z.Veselin nuk e kishte takuar kurrë”, theksohet më tutje.

Avokati i Veselit, Emmerson, ka përmendur edhe garancinë e ofruar nga Policia e Kosovës për zbatimin e arrestit shtëpiak. Sipas avokatit britanik, as kjo nuk është marrë në konsideratë nga Gjykata Speciale.

“Sa i përket kushteve të propozuara të mbrojtjes, Policia e Kosovës ka dhënë konfirmim të qartë dhe të se kushtet e tilla, nëse urdhërohen nga gjyqtari i procedurës paraprake, do të zbatohen efektivisht nga Policia e Kosovës. Përkundër kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake mohoi se kërkesa e z. Veseli për lirim të përkohshëm, nuk mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet ekzistuese. Kolegji i Gjykatës së Apelit e la në fuqi atë vendim, pavarësisht se më herët e kishte kthyer çështjen për çështjen e përmbajtjes. Vetëm mbi këtë bazë, Kolegji i Gjykatës Supreme duhet të konstatojë se gabimi i kryer nga gjykatat më të ulëta është i mjaftueshëm për ta bërë të pavlefshëm vendimin e kundërshtuar dhe për të aprovuar kërkesën”, thekson avokati Ben Emmerson.

Sipas tij, Specialja nuk ka marrë parasysh asnjë faktorë për lirim, duke cenuar të drejtat e të akuzuarit.

“Gjykata e Apelit u bind se gjyqtari i procedurës paraprake kishte marrë të gjithë provat relevante për ta mbajtur në paraburgim z.Veseli, duke neglizhuar materialet dhe parimet ligjore mbi të cilat është mbështetur mbrojtja. Kolegji u mbështetë në forma lidhur me kompleksitetin e çështjes dhe nuk arriti të merrej me rastet e GJEDNJ-së, mbi arsye për ta justifikuar paraburgimin, duke treguar se çdo rrezik i identifikuar është spekulativ dhe i rëndë”, thuhet në parashtrim.

Si rezultat, avokati Emmerson ka kërkuar që Gjykata Supreme ta mundësojë lirimin nga paraburgimi të z.Veselit.

“Për arsyet e parashtruara më lart, Mbrojtja kërkon që Kolegji i Gjykatës Supreme të pranojë kërkesën, të ndryshojë dhe modifikojë vendimin e kundërshtuar dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Veseli, të shoqëruar me çdo kusht që i sheh të nevojshëm dhe proporcional”, përfundon ankesa.

Përveç Kadri Veselit, në paraburgim janë edhe të gjithë të akuzuarit e tjerë nga Gjykata Speciale. Përfshirë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën e Pjetër Shalën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat