Lajmërohet polici Mergim Geci që mbeti i plagosur nga konflikti me Lushtakët

Aktuale

Lajmërohet polici Mergim Geci që mbeti i plagosur nga konflikti me Lushtakët

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:40
Mergim Geci

Po vazhdon të trajtohet në QKUK, polici nga Skenderaj, Mergim Geci, i cili u plagos gjatë kryerjes së dëtyren zyrtare, pas një përleshje me familjen Lushtaku, gjegjësisht me ish-nënkryetarin e Skenderajt dhe ish-deputetin, Nuredin Lushtaku, i cili tashmë po hetohet lidhur me rastin.

Gjendja e tij shëndetësore është stabile. Edhe pse ai ende po merr mjekim në spital, Mergim Geci foli dy fjalë për media.

Duke thënë që gjendja e tij shëndetësore është me e mirë, nuk deshi të lëshohet në komente lidhur me rastin se çfarë ka ndodhur natën e 2 korrukut në Skenderaj.

“Po jam më mirë. Ende jam I shtrir në spital”

I pyetur nga gazeta se cili është verzioni  i tij për situatën e krijuar natën kur ai është plagosur, Geci nuk pranoj të prononcohet.

“Për këto nuk kam koment, kontaktone zyrën për media në Skenderaj”, tha shkurt Geci.

Sipas mjekës kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe, gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.

“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendos imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, tha ajo për RTK-në.

Po ashtu, Enver Smakiqi, polici i lënduar të shtunën në Skenderaj ka folur ekskluzivisht për Insajderi.

Ndonëse nuk u lëshua shumë në komente, Smakiqi konfirmoi se gjendja e tij shëndetësorë është më e mirë.

Përkundër zërave se ai ka pasur telashe në të kaluarën me familjen Lushtaku, ky i fundit po e mohon se ka ose ka pasur ndonjë herë problem me Lushtakët.

“Më mirë jam. Unë as nuk kam pasur, as nuk kam kurgjo me familjen Lushtaku, kam qenë duke e kry punën zyrtare asgjë tjetër nuk kam pasur”, ka deklaruar ai.

I pyetur për detaje tjera se nga kush është lënduar ose nëse është lëshuar nga spitali, Smakiqi ka refuzuar të jap përgjigje duke thënë “Ju kërkojë falje, janë organet të cilat mund të ju informojnë”.

Ditë më parë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku e akuzoi policin Smakiqi për maltretim ndaj djalit të tij, Arbërit.

“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me dy vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme”, ka deklaruar Lushtaku.

Nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se Enver Smakiqi e ka pasur kokën e lidhur me fasha dhe se ka marrur pesë lëndime.

“Ka qenë një gjendje jashtëzakonisht stresuese dhe kokën e ka pas të lidhur me fasha, sipas tij i ka 5-6 lëndime dhe në secilin lëndim ka qepje”, tha kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Në mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës 23:55, dy policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci kanë mbetur të plagosur gjatë orarit të tyre të punës. Sulmi ndaj zyrtarëve policor dyshohet se ndodhi për shkak se Arbër Lushtakut, djalit të Nuredinit iu shqiptuar gjobë trafiku.

Për rastin në natën kritike kishin dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, derisa kishin konfirmuar se njëri polic ishte plagosur me armë zjarri në këmbë e tjetrit ishte lënduar me mjet të fortë.

Ndërkohë, ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar dy zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve.

Për rastin ka reaguar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai të dielën e ka dënuar plagosjen e dy policëve në Skenderaj, ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se “policët duhet të jenë të paprekshëm dhe të papenguar”.

“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës”, ka shkruar ai.

Tanimë, Nuredin Lushtakut, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat