Kërcënoi Kosovën, eksperti i sigurisë zbulon prapaskenat: Ja pse Vuçiq nxori në skenë Radoiçiqin

Aktuale

Kërcënoi Kosovën, eksperti i sigurisë zbulon prapaskenat: Ja pse Vuçiq nxori në skenë Radoiçiqin

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 10:51
Policia e Kosovës

Paraqitja e djeshme përmes një videoje e kriminelit serb, Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë amerikane, nga analisti i sigurisë Agim Musliu, konsiderohet si një fragment i luftës hibride serbo-ruse.

Ai ka thënë se, adresimi përmes kësaj videoje është asgjë më shumë se kartë e Aleksandar Vuçiqit.

“Adresimi i stilit të tillë padyshim që është bërë me miratimin e Aleksandar Vuçiqit. Përndryshe, pse fshihej deri sot ky kriminel? Kjo është pyetje retorike, por që vërtet e ka përgjigjen brenda”, ka thënë Musliu.

Ai më tej ka theksuar se, Vuçiqi e ka nxjerrë Radoiçiqin në opinion për ta rritur vlerën e vet dhe për të treguar se ai mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

“Vuçiqi e ka nxjerrë Radoiçiqin në këtë kohë për ta rritur vlerën e vet dhe për ta shpërqëndruar vëmendjen e Perëndimit në mospërcaktimin e tij për t’i vënë sanksione Rusisë. Në fakt, kjo më së shumti i përshtatet luftës hibride të Vladimir Putinit, sepse çdo konflikt eventual në Ballkan, e shpërqendron vëmendjen e Perëndimit nga agresioni rus në Ukrainë”, ka konstatuar Musliu.

I sanksionuari nga ShBA-të dhe i kërkuari nga autoritetet e Republikës së Kosovës, kreu i grupit kriminal serb, Milan Radojiçiq, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe përmes një video në të cilën pretendon se e ka xhiruar nga territori i Kosovës, është paraqitur i dëshpëruar dhe me tone kërcënuese.

Për fund, Musliu ka thënë se, “kërcënimi i Radoiçiqit, njëkohësisht i adresohet edhe serbëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës, të cilët tashmë janë bërë të padëgjueshëm sa i përket thirrjeve të Serbisë për revolta”.

“Një pjesë e madhe e serbë të komunave veriore të Republikës së Kosovës, e kanë vërejtur se ata po përdoren nga strukturat kriminale në veri për interesa kriminale. Për fat të keq, këto struktura udhëhiqen dhe përpiqen të legjitimohen nga një parti parlamentare siç është Lista Serbe, nënkryetar I së cilës është krimineli Radoiçiq”, ka përfunduar Musliu.

Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Radoiçiqit Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovësa janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Marko Rosiq, Radule Steviq dhe Milivoje Vuloviq.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat