Reagon Telekomi për humbjet mbi 10 milionëshe: Ndodhi për shkak të Z-Mobile

Aktuale

Reagon Telekomi për humbjet mbi 10 milionëshe: Ndodhi për shkak të Z-Mobile

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Telekomi i Kosovës ka reaguar pas përmendjes si ndërmarrje që ka operuar me humbje në konferencën e Zyrës së Auditorit të Pergjithshëm.

Kryeauditorja Vlora Spanca ka konkluduar se kjo ndërmarrje gjatë vitit të kaluar ka shënuar humbje në vlerë prej mbi 10 milionë eurosh.

Me këtë konstatim nuk pajtohen drejtuesit e Telekomit të Kosovës. Ata kanë pohuar se kjo humbje nuk ka ndodhur për shkak të keqmenaxhimit, por për shkak të humbjeve të krijuara nga problemi me kontratën me Z-Mobile.

Ky është reagimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

INTERPRETIM I PËRGJITHËSUAR DHE KEQINTERPRETIM I QËLLIMSHËM I RAPORTEVE FINANCIARE

Moskuptimi ose keqinterpretimi i qëllimshëm i raporteve financiare, nga media, individë, grupacione, qoftë edhe institucione të ndryshme, nuk i kontribuon informimit të drejtë të publikut mbi gjendjen reale të Telekomit të Kosovës.

Gjendja e trashëguar në këtë ndërmarrje ka qenë shumë më e keqe se sa dikush mund ta paramendojë. Por, edhe angazhimi për ta menaxhuar këtë situatë ka qenë i jashtëzakonshëm, përkundrejt vështirësive të mëdha.

Përmirësimi i gjendjes kërkon vullnet dhe durim të hekurt. Ne jemi të vetëdijshëm për problemet që i kemi trashëguar dhe ato që i kemi përpara. Por, Telekomi tashmë është futur në rrugën e duhur, ku menaxhimi dhe përgjegjësia është në nivelin maksimal.

Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit nuk janë të interesuar për lëvdata nga askush, por jemi të detyruar të reagojmë ndaj titujve bombastik dhe shpifës, sipas të cilëve, si pasojë e keqmenaxhimit në vitin 2021, qenkan shkaktuar humbje mbi 10 milionë €.

Vlen për t’u përmendur fakti se Bordi dhe Menaxhmenti aktual, që nga marrja e detyrës, madje edhe asnjë nga stafi i Telekomit gjatë vitit 2021, asnjëherë dhe nga askush nuk është dyshuar, akuzuar dhe madje nuk ka pasur as aludime se ka keqpërdorur, abuzuar apo zhvatur AS EDHE NJË EURO TË VETME, siç ka qenë dukuri në të kaluarën.

Humbja NETO e raportuar në pasqyrat financiare të vitit 2021, në vlerë mbi 10 milionë €, është rezultat i paraqitjes në pasqyra financiare të Vendimit të Arbitrazhit në rastin me DARDAFON-in në vlerë mbi 13.4 milionë €, vendim ky i pranuar në vitin 2022, ndaj të cilit do të shfrytëzojmë çdo rrugë të mundshme për ta kundërshtuar si vendim të padrejtë dhe skandaloz. Paraqitja e vendimeve të tilla në pasqyra financiare është obligim sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit.

Ngarkimi i periudhës së vitit 2021 me këtë kategori të shpenzimeve nuk është rezultat i operimeve të vitit 2021, e as i viteve 2020 apo 2019. Efektet e këtij vendimi gjenezën e kanë në vitin 2009, kur është nënshkruar kontrata më e dëmshme jo vetëm në historinë e Telekomit por të gjithë Kosovës, që nga paslufta.

Në tabelën më poshtë paraqiten të gjitha kategoritë e të hyrave dhe shpenzimeve që lidhen me aktivitetin e rregullt afarist të Telekomit për vitet 2019, 2020 dhe 2021.

Në këtë tabelë, lexuesit mund të vërejnë lehtësisht dallimin në menaxhimin e Telekomit dhe përmirësimin e gjendjes financiare.

Keqinterpretimet tjera të qëllimshme ose të gabuara vetëm sa e çorientojnë opinionin.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat