Kush është biznesmeni nga Podujeva që bashkëpunon me grupin e Milan Radoiçiqit?

Aktuale

Kush është biznesmeni nga Podujeva që bashkëpunon me grupin e Milan Radoiçiqit?

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 15:39
Milan Radoiçiq

Milan Radoiçiq, figura famëkeqe e veriut që një ditë më parë përmes një video mesazhi është deklaruar me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës, është politikan dhe biznesmen me pushtet në zonat e banuara me shumicë serbe në vend.

Përveç se i kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, Radoiçiq ka realizuar shtrirje të madhe në biznes, në Kosovë dhe në Serbi.

Kompania “RAD D.O.O”, e lidhur me Milan Radoiçiqin e që zyrtarisht është në pronësi të Radulle Steviqit, një person po ashtu i sanksionuar nga ShBA-të, në të kaluarën ka fituar tenderë nga institucionet shtetërore të Kosovës.

Biznesi i afërt me Radoçiqin ka bashkëpunuar edhe me biznesmenë shqiptarë të Kosovës, kishte zbuluar një hulumtim i Paparacit në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ai është afaristi nga Podujeva, Arben Jetullahu, i cili ka bashkëpunuar disa herë me firmat që janë të afërta me Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq.

Si u realizua bashkëpunimi në mes biznesmenit nga Podujeva me anëtarët e grupit të Milan Radoiçiq?

Biznesmeni nga Podujeva, Arben Jetullahu, ka në pronësi kompaninë NNT “ABC”.

Kjo firmë disa herë për tenderët e marrë në veri ka bashkëpunuar me kompaninë “RAD”, pronë kjo e Radulle Steviq, i cili u fut në listën e zeze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“RAD” e Steviq nga komuna e Zveçanit, është firma më e suksesshme në përfitimin e tenderëve publik në komunat veriore të Kosovës – për rregullimin e infrastrukturës lokale.

Të dhënat publike tregojnë se nga korriku i vitit 2015 deri në dhjetor të 2018-ës kjo kompani ka fituar hiç më pak se 120 tenderë.

Disa prej tenderë më të mëdhenj që “RAD” i ka marrë në veri i ka realizuar në konzorcium me “ABC”-në.

Shqiptari nga Llapi ka hise në paratë e fituara nga kontratat publike të nënshkruar nga “RAD”, vlera e të cilave arrin deri në 13 milionë euro.

Por, me futjen në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, të Radulle dhe të tjerëve, prona e tyre është bllokuar.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. Si njeri me autoritet përmendet edhe Milan Radoiçiq.

Sipas ShBA-ve, grupi i tyre është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat