Ish-prokurori Sylë Hoxha: Shqetësuese hyrja e Radojiçiqit në Kosovë

Aktuale

Ish-prokurori Sylë Hoxha: Shqetësuese hyrja e Radojiçiqit në Kosovë

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 15:50
Milan Radojiçiq

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq është raportuar se ka hyrë në territorin e Kosovës dhe gjendet në veri të vendit, nga ku ka postuar edhe një video-mesazh për qytetarët serbë të Kosovës.

Hyrja e Radojiçiqit në veri të vendit ka nxitur reagime të shumta duke marrë parasysh se i njëjti gjendet në listë të zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën dyshimet se i përket një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar, si dhe duke marrë parasysh që ndaj tij ka një urdhër-arrest të lëshuar nga organet e drejtësisë së Kosovës.

Për hyrjen e kriminelit Radojiçiq në veri ka folur edhe ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili sa ishte në detyrë është marrë aktivisht me rastin e tij.

Hoxha ka deklaruar se nëse Radojiçiq është futur në territorin e Kosovës, do të ishte lajm shqetësues për vendin.

“Nuk e di kjo është lajm shqetësues për neve. Organet duhet të veprojnë, ai është në listë të zezë të SHBA-së dhe me sa di unë ka edhe urdhër-arrest për të. Kështu që organet duhet të veprojnë në atë drejtim, unë mundem të jap vetëm koment që kjo është shqetësuese për neve, për organet dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Ish-prokurori Hoxha nuk ka dashur të komentojë gjerësisht mënyrën si Radojiçiq do të kishte mundësi të hynte në Kosovë, duke thënë se ato do të ishin vetëm supozime.

“Unë nuk mund ta di ose ta komentoj se si mund të arrijë të hyjë ai në territorin e Kosovës. Ne e dimë se në veri ka edhe rrugë alternative, andaj unë nuk mund ta komentoj këtë pjesë se si ka arritur të hyjë, ose nëse ai ka miq në pika kufitare. Unë krejt çka mund të them është se për neve si Kosovë, organet, institucionet është shqetësuese dhe duhet të veprohet urgjentisht”, ka thënë Hoxha.

Në kohën kur Sylë Hoxha ishte në detyrën e prokurorit, ndaj Milan Radojiçiq ishte lëshuar urdhër-arrest si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në veri, Oliver Ivanoviq.

Ish-prokurori Hoxha pas daljes në pension kishte deklaruar se Radojiçiq nuk ishte arrestuar në atë kohë pasi që nuk ishte gjetur në shtëpi në momentin kur ishte bastisur shtëpia e tij.

Hoxha kishte deklaruar se mëngjesin kur Policia e Kosovës kishte shkuar në veri për të arrestuar Radojiçiqin, ishin dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri për shkak se disa qytetarë të pjesës veriore kishin kundërshtuar ndërhyrjen e policisë në atë pjesë të vendit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat