Institucionet e Kosovës duhet ta pastrojnë ‘terrenin’ nga komandantët e komprometuar / Të hetohen edhe intelektualët që i shërbyen krimit

Aktuale

Institucionet e Kosovës duhet ta pastrojnë ‘terrenin’ nga komandantët e komprometuar / Të hetohen edhe intelektualët që i shërbyen krimit

Nga: Idriz Morina Më: 7 korrik 2022 Në ora: 13:10
Foto ilustrim Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Institucionet e Kosovës duhet ta pastrojnë ‘terrenin’ nga komandantët e koprometuar. Komandantët që e zhvlerësuan luftën e UÇK-së para opinionit publik, dhe e shembën rendin e vlerave për gati dy dekada, duhet të largohen nga jeta publike dhe institucionale.

Ata nuk është se e shkatërruan apo dëmtuan thjesht rendin politik, duke i kontaminuar të gjitha partitë politike, kë më shumë e kë më pak, por, e përmbysën rendin e vlerave.

Nga përbuzja dhe arroganca tek bashkëpunimi

Ballafaqimin e parë e kishin me ‘rendin’ intelektualë. Një përbuzje dhe kryesisht urrejtje deri në paranojë është shfaqur nga ky grup ndaj ushtarakëve, që kishin ardhur të merrnin pjesë në të dyja organizimet, si nën urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes, po ashtu edhe të atij, që njihet si Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Shumica e ushtarakëve që ishin angazhuar nën urdhrat e tyre tregojnë për sjelljet arrogante, të papërgjegjshme, kërcënuese dhe me vendime përbuzëse ndaj tyre. Në jo pak raste ata janë ballafaquar me dhunë fizike, e madje edhe me poshtërim.

Pas luftës, për të kompensuar këtë imazh negativ të krijuar në luftë, sigurisht duke pasur tutor, nga shërbime inteligjente, për të përforcuar pozitat e tyre të momentit dhe të së ardhmes, ndryshojnë strategji.

Për ta bërë këtë, i zgjodhën, disa mbështetës, dhe i morën afër vetit disa intelektualë, të tjerët i joshën me forcën e pushtetit, disa i blenë me para të gatshme, dhe disa të tjerë nën kërcënimin, mbylljen e perspektivës, degradim në institucione akademike, moslejim të ngritjes, presion (trysni), frikësim, vringëllim kur me halabakë, kur me grupe studentore të kontaminuara filluan t’i thyejnë...

Me kohë këtë nënsistem e përvetësuan duke i bërë për vete, edhe studentë të aftë e mesatar, duke iu ofruar mundësi të ngritjes intelektuale, mastere, doktorata, punësim akademik e në institucione... Por, me kusht shërbimin ndaj tyre.

Një rrjet perfekt, i të ardhmes së SHIK-ut, në kolegje private, në institucione, në administratë, në inteligjencë, në siguri, në drejtësi...

Më vonë kaluan tek Shëndetësia!

Në shëndetësi bën shumicën e kokave për vete, pasi edhe ky sistem drejtpërdrejt varej nga arsimi. Pra, duke i përvetësuar si emra intelektualësh, i përvetësuan edhe si mjek e menaxher të sistemit shëndetësor.

Më vonë në gjyqësi dhe prokurori, sidomos pas vdekjes së presidentit Rugova, dhe pas Shpalljes së Pavarësisë... ishin të përqendruar thellësisht që t’i dërgonin njerëzit e tyre aty dhe kudo.

Fillimi i revoltimit

Sot, më shumë ka të revoltuar nga ata që dikur i takonin për shkak të një historie të përbashkët, si pjesëmarrjes në luftë, bindjeve politike dhe të tjera, por... kjo zgjati derisa i njohën ata, dhe derisa e kuptuan se ata ishin forca e së keqes, dhe se nuk e kishin për asgjë të përkohshme, ata po kërkon vendosjen e përhershmërive në llogari të tyre.

Pra, këta e kuptuan se ‘komandantët’ famoz, ishin thjesht disa qenie gjysmë të vetëdijshëm, për universalitetin e jetës dhe të shtetit, prandaj ata në qendër të çdo gjëje, nisme, projekti, e madje edhe vetë ekzistencën e shtetit, e shihni si zhvillim të tyre personal, ku ata duhej medoemos të ishin në qendër të interesit.

Mospranimin e tyre në qendër të interesit e kanë paguar shtrenjtë, mbështetësit e Rugovës dhe LDK-së, të cilët u ekzekutuan për shkak të refuzimit që i bënin ose për shkak se dëshmonin se ishin të pabindur!

Image
Artan Nimani djathtas, para selisë së burgut në Hagë

Këto prirje totalitariste të tyre, që ende nuk janë kuptuar nga shumica e mbështetësve të tyre, kryesisht edhe për shkak të propagandës së fuqishme, se ata janë çlirimtarët tanë, ata janë sakrifikuesit më të mëdhenj, ata vunë në dispozicion gjakun e tyre, gjymtyrët e tyre... pra, me një lloj numeracioni të tillë, me këtë narrativë mbisunduese shohim, se madje rektorë universitetesh shkojnë t’i vizitojnë në Hagë (megjithëse se kanë sqaruar se me paratë e kujt kanë shkuar atje, personale apo të fondit universitar – Konferencës së rektorëve), por të paktën njëri prej tyre, qartësisht ishte pjesë e grupit të angazhuar në Union të Studentëve dhe jashtë tij për shërbim të krimit të organizuar politik. Madje i akuzuar për dy raste të përfshirjes në krim.

Artan Nimani para dy ditësh ishte në cilësinë e përfaqësuesit të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, i shoqëruar nga zëvendësi Agron Bajraktari, në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, për të takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë.

Kështu tregohet dashuria për shefat. Kjo nuk është dashuri as respekt për luftën. Por, malli i robit për ‘urdhërdhënësit’!

Nimani përveç se akuzohej publikisht, në njërën prej akuzave ka pasur një proces gjyqësor, në të cilin ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me bombë ndaj Anton Berishës, aso kohe, drejtor i ART-së, një institucion i pavarur rregullues i telekomunikimit.

Pra, ky rrjet i krijuar kryesisht nëpërmjet SHIK-ut, duke e rritur gjithnjë nëpërmjet futjes në qark, të sa më shumë përfituesve, ai qe kthyer në një tullumbace, që shpërtheu në zgjedhjet e vitit të kaluar, kur tashmë, kokat e rrjetit, po dergjeshin në paraburgimin në Hagë.

Psikoza për paprekshmërinë e komandantëve edhe kur kryejnë krime

Por, përveç se krijuan një rrjet të madh njerëzish, të tej fuqishëm, në gjithë sistemin, ku ‘mjeti’ i veçantë ishin dhe janë mediat e kontrolluara nga rrjeti, ata krijuan një lloj mendësie, për paprekshmërinë nga ligji, policia, prokuroria, gjyqësori, shteti!

Ky është dëmi më i madh psikosocial, nga i cili qerthull shoqëria jone ende nuk pi ia arrin të dalë!

Dëshmitari i rastit Jeton Krasniqi, në atë kohë shofer i Anton Berishes, kishte identifikuar dy të dyshuarit për sulm: Mentor Çelen dhe Agim Hotin, ky i fundit është liruar nga vuajtja e dënimit vetëm para tri vitesh.

Artan Nimani, po ashtu njihet si ‘mik’ i Rrahim Hashimit, njërit prej figurave më të përfolura për haraç dhe pjesëmarrje në mashtrime dhe skema të tjera kriminale.

Nimani ishte gjykuar si i akuzuar për tentim vrasje, për të cilën gjë ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në vitin 2007.

Ky është modeli më eklatant i ngritjes në detyrë të një studenti ndoshta mesatar, që pas akuzave kaq të rëndë, ia del të bëhet jo vetëm profesor universitar, por edhe rektor.

Hoti tashmë tri vjet ndodhet në liri, edhe pse ka marrë përsipër dy sulme ndaj presidentit Rugova! Një në vitin 2004 me bombë në shtëpi dhe një me eksploziv në vitin 2005 tek “Sllovenia sporti”!

Këto imazhe negative duhet të përmbysen, për ta rikthyer rendin e vlerave në shoqëri, dhe me këtë edhe normalitetin e jetës!

Koha e mjaftueshme ka kaluar që ata ta rindërtojnë imazhin e vet. Mjaft ë kanë gërryer imazhin e UÇK-së, të të gjithë atyre që morën pjesë dhe sakrifikuan për të ardhmen e ndritur të Kosovës!

Image
Artan Nimani dhe Rrahim Hashimi, me foto të rrethuara

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat