A ka qenë Hashim Thaçi pjesë e LDK-së? Gani Geci rrëfen prapaskenat politike të viteve ’90 në Skenderaj - Ja puçi i Thaçit!

Aktuale

A ka qenë Hashim Thaçi pjesë e LDK-së? Gani Geci rrëfen prapaskenat politike të viteve ’90 në Skenderaj - Ja puçi i Thaçit!

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 14:55
Hashim Thaçi dhe Gani Geci

Njëri prej aktivistëve të hershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci ka folur për ushtrimet e para ushtarake e që sipas tij së pari janë organizuar nga LDK.

Geci ka treguar se këto ushtrime së pari janë kryer me pushkë ajrore, e se në grupin e parë që kanë shkuar në Shqipëri mes tjerëve, kanë qenë edhe Adem Jashari e Adem Dërguti.

“Ne kemi qenë pjesë e LDK-së e gjithë familja, unë isha anëtari i kryesisë së Forumit Rinor dega në Skenderaj, Adem Dërguti ka qenë në ushtrime ushtarake me Adem Jasharin dhe para se me shku grupi i Adem Jasharit, Adem Dërguti dhe na, i kemi pas marrë ato pushkë ajrore që kanë qenë në shkollë fillore, dhe neve arsimtari i mbrojtjes na pat jap të gjitha. Me armë ajrore i kemi ba ushtrimet e para. Pastaj ne gjatë gjithë kohës, kemi ru me armët që i ka pru Halili prej Zvicre”, ka pohuar Geci.

Sipas ish-ushtarit të UÇK-së, duke parë situatën e krijuar në atë kohë me shkuarjen e Adem Dërgutit në Shqipëri, u krijua një momentum për Hashim Thaçin, ku pa një kuvend zgjedhor do të emërohej kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, dega në Skenderaj.

“Në vitin 1991, LDK i pati fillu ushtrimet ushtarake, këto janë mëse të vërteta, e të gjitha këto kanë pasur koordinim të plotë me Ibrahim Rugovën. Kur ka shku Adem Dërguti në ushtrimet ushtarake në Shqipëri, Hashim Thaçi ka ardhur me një grup në zyret tona, e në një takim që unë nuk kam qenë aty, e kanë bo një far forme si një puç, e aty u pat zgjedh kryetar i Forumit Rinor pa kuvend, Hashim Thaçi, sipas meje ai ka qenë kryetar jolegjitim i Forumit të Rinisë së LDK-së dega në Skenderaj, deri në mbledhjen e radhës. Arsyetimi ka qenë se Adem Dërguti ka shku në Gjermani dhe nuk kthehet më, ka ik prej Kosove”, është shprehur Geci.

Ai tutje thotë se Hashim Thaçi më pas është shkarkuar nga ajo pozitë.

“Hashim Thaçi nuk e ka ditë që Adem Dërguti ka shku për ushtrime ushtarake në Shqipëri, ne i patëm thanë se pritni pak se ai nuk ka shku jashtë e kthehet. Kur është shkarku Hashimi dhe ka mbet kryesia e vjetër, e ka mbet Adem Dërguti kryetar, ai është kthy, Adem Jashari e Adem Dërguti kanë dalur nëpër qytet, kemi pasur një kafiteri që e ka pas emrin kafe “Zana”, të gjithë policia që vinin andej kanë qenë të Novi Sadit, i kemi fyerë shqip, po s’na merrnin vesh. Pak më vonë, me 30.12.1991, forcat serbe e rrethuan Adem Jasharin”, ka përfunduar Gani Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat