LIVE: Anton Quni thotë se Donika Gërvalla shkeli ligjin: Shkarkoi diplomatin Viskont Jakupi dhe duke e kthyer nga Londra brenda 24 orëve

Aktuale

LIVE: Anton Quni thotë se Donika Gërvalla shkeli ligjin: Shkarkoi diplomatin Viskont Jakupi dhe duke e kthyer nga Londra brenda 24 orëve

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 11:52 më 28.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Murati i quan të pavërteta pretendimet e Tahirit se po bllokohen investimet kapitale në komuna

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta pretendimet e shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, se Qeveria Kurti po bllokon projektet komunale edhe investimet kapitale.

Në fjalën e tij, Tahiri tha se raportet e Qeverisë me komunat nuk kanë qenë asnjëherë më të dobësuara.

“Një shqetësim që vjen nga pushteti lokal, nga komunat e Kosovës, pasi investimet kapitale dhe raportet në mes qeverisë dhe komunave nuk kanë qenë asnjëherë më të dobësuara në raport me projekt kapitale”.

“E para, qeveria duhet urgjentisht që në procesin e rishikimit buxhetor të adresojë kërkesat reale të komunave të Kosovës. Investimet kapitale në komuna janë të bllokuara. Procesi i buxhetimit për 2023 duhet të jetë shumë më transparent dhe nuk duhet të ketë qasje politike”, deklaroi ai.

Por, këto akuza i mohoi ministri Murati, i cili tha se e bën të kundërtën, duke i trajtuar barabartë komunat dhe se pret që realizimi i projekteve të përshpejtohet.

“Nuk ka bllokadë nga niveli qendror, përkundrazi ne kërkojmë nga ta që t’i kryejnë sa më shumë që të jetë i mundur. Nëse bëhet fjalë për çështje të tjera, për lista dëshirash që mund t’i kenë kryetarët e komunave dhe kërkojnë që pushteti qendror t’ua financojë dhe nëse kjo praktikë ka ekzistuar në të kaluarën, ne kemi thënë që kjo praktikë me këtë qeveri nuk mund të ekzistojë. Pra, të gjitha komunat do të trajtohen sipas peshës që e kanë, barabartë”, u shpreh ai.

Murati tha se ka përfunduar praktika kur ka pasur mbështetje shtesë nga niveli qendror për komunat ku në udhëheqje kanë qenë kryetarë nga partia në pushtet.

“Te ne s’ndodh, trajtohen barabartë”.

​LDK e AAK akuzojnë Gërvallën: Merr vendime arbitrare që dëmtojnë shtetin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë adresuar akuza ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për vendime arbitrare që po dëmtojnë shtetin e Kosovës. Deputeti Anton Quni nga LDK solli rastin e diplomatit Viskont Jakupi ndërsa deputetja Time Kadrijaj e AAK për gjobën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ndaj MPJD-së në vlerë 13 mijë euro pasi ka refuzuar të ofrojë qasje në faturat e shpenzimeve të diplomatit, njëherisht bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu.

Deputeti Quni tha se ka shumë shembuj se si zyrtarët abuzohen nga ministrat apo stafi i tyre i ngushtë politik, me presione, shantazhe, transfere e deri tek ndëshkimet e padrejta. Ai përmendi rastin e diplomatit Viskont Jakupi, i cili ishte caktuar si Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër, e më pas ishte rikthyer në Kosovë pasi kishte dërguar gabimisht adresën e banesës në të cilën do të jetonte e që ia kishte gjetur Ambasada e Kosovës në Londër.

Quni: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dy herë i ka dhënë të drejtë diplomatit Jakupi

“Këshilli (i Pavarur Mbikëqyrës) ka konstatuar se vendimi i ministres është i jashtëligjshëm dhe kundërthënës. në vendimin e Këshillit thuhet se znj. Gërvalla ka vendosur në kundërshtim me Ligjin 03L122 dhe në kundërshtim me rregulloren 02/2019 për shërbimet e jashtme. Kolegji ka konstatuar se ministrja në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheq përfaqësuesit diplomatikë për supozimet e saja. Në shtete ku ka kulturë institucionale, ministrat që shkelin ligjin japin dorëheqje, e besa ndiqen edhe penalisht. Kur vendimet e organeve të ankimit janë në favor të saj ajo i respekton, por ku ato nuk janë në favor të saj, ajo hesht sepse ka si të arsyetohet”, tha Quni.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj deklaroi se Gërvalla është pajtuar të paguajë 13 mijë euro gjobë Agjencisë për Informim dhe Privatësi sesa të tregonte se ia paguante derivatet bashkëshortit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.

Kadrijaj: Gërvalla të jap llogari para deputetëve për gjobën e AIP

“Sa për rikujtim MPJD me taksat e qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni, aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit. Pavarësisht legjitimitetit së kërkesës se medias për qasje në dokumente zyrtare MPJD është pajtuar që më mirë të paguajë 13 mijë euro gjobë sesa t'i bëjë publike të dhënat e shpenzimeve të këtij diplomati që po shihet se është i paprekshëm. Pavarësisht skandaleve dhe shkeljeve të vazhdueshme.... Ministrja të jap llogari para deputetëve, të na tregojë se a do të merren masa pas këtij dënimi. Kush duhet të jap llogari? Apo ky Zotëria i Parë është mbi shtetin, mbi ministrat, e mund të bëjë çfarë të dojë, e mbi qeverinë. Kujt i shërben ky diplomat? Deri kur do të lejohet që një diplomat që paguhet me taksa të shtetit të fyejë e të sulmojë mediat, të shkaktojë skandale e keqpërdorime financiare e të mos merren fare masa për të”, tha Kadrijaj. 

Quni: Gërvalla i shkroi e-mail dhe e ktheu diplomatin nga Londra për 24 orë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha në Kuvendin e Kosovës se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e kishte shkelur ligjin duke e shkarkaur diplomatin Viskont Jakupi dhe duke e kthyer nga Londra brenda 24 orëve. Jakupi për këtë ka nisur një betejë ligjore ndaj MPJ-së.

Quni shpjegoi në Kuvend se si Jakupi ishte vendosur në Londër dhe se si ishte urdhëruar të kthehej në Kosovë me një vendim të Gërvallës.

Sipas Qunit, ai fillimisht u përball me presionin për ta lëshuar hotelin dhe për ta gjetur një banesë, për të cilën ishin angazhuar stafi i ambasadës.

“Në fund të muajit gusht të vitit 2021, diplomati i karrierës, Viskont Jakupi, me gradën sekretar i parë, nga komisioni i rrotacionit i MPJ-së, ishte rekomanduar për të shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Britaninë e Madhe. Më 11 tetor 2021, ai bashkë me familjen e tij udhëtoi për në Londër duke u vendosur në një hotel të rezervuar nga ambasada dhe menjëherë me kolegër ambasadës kishin filluar të kërkojnë banesë. Por duke ditur çmimet e larta të qirasë në Londër, qysh në fillim nënkuptohej se me shumën sa lejohet nga Ministria, ishte e pamundur të gjendej një banesë adekuate. Në këtë situatë, diplomati Jakupi u përball edhe me presion që ta lëshonte sa më shpejt hotelin ku ishte vendosur. Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe, ambasada përmes një agjencioni, kishte gjetur një banesë në një zonë që nuk preferohet për banim për diplomatë për shkaqe sigurie”, tha ai.

Quni tha se për shkak të çmimit, presionit për ta lëshuar hotelin dhe sistemimit të familjes e fëmijëve, ishte pajtuar me përzgjedhjen e ambasadës.

“Komisioni i krijuar nga ambasada ia dërgon kërkesën sekretares për aprovim, mirëpo përgjigjja ishte që ai duhet ta paguajë vetë një pjesë të qirasë. Ndërkohë e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër i shkruan ministres dhe kërkon që ajo të ndërhyjë. Përgjigjja e ministres përmes sekretares ishte e prerë: Nuk lejohet assesi, është shkelje”, tha Quni.

Nënkryetari i LDK-së thotë se Gërvalla ia kishte kërkuar personalisht Jakupit adresën e banesës në të cilën s’ishte vendosur ende. Pasi e kishte marrë përgjigjen, e kishte shkarkuar.

“Më 10 nëntor, ministrja Gërvalla i shkruan e-mail diplomatit Jakupi duke ia kërkuar adresën e banesës së cilën ende nuk e kishte marrë. Ashtu siç ia tregojnë stafi, ai i përgjigjet ministres Gërvalla. Ministrja merr një vendim arbitrar, të çuditshëm dhe skandaloz, duke lëshuar vendimin për tërheqje të menjëhershme, që brenda 24 orëve Viskont Jakupi të kthehet në Kosovë”, tha Quni.

Ai tha se pas kësaj, diplomati Jakupi u kthye në Kosovë me “shumë komplikime”.

“Pas kthimit, atij i sqarohet se adresa e banesës ka qenë e pasaktë. Ai, përveç procesit ligjor, bën ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ku dy herë fiton betejën ndaj ministres”, tha Quni.

Deputeti tha se vendimi i Gërvallës ishte konsideruar i jashtëligjshëm, pasi Këshilli kishte thënë se ajo nuk ka kompetencë t’i tërheq diplomatët në atë mënyrë.

Shala: Qeveria ka mashtruar sektorin energjetik

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të hiqet TVSH-ja nga faturat e energjisë elektrike. Këtë kërkesë së bashku me 6 të tjera i paraqiti deputeti Ferat Shala në seancën e Kuvendit të Kosovës e për të cilën tha se do të mundësojë që dimri të tejkalohet më lehtë.

Shala tha se sektori energjetik në vend është duke u përballur me mungesë të likuiditetit financiar dhe kjo sipas tij po ndodhë ndër të tjera edhe për fajin e Qeverisë së Kosovës.

“E para është moszbatimi i qeverisë për ndarjen e subvencionit në vlerë prej 100 milionë euro e cila ka bërë që furnizuesi për shërbim publik të kërkojë nga ZRRE hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm (të tarifave) pra qeveria ka mashtruar sektorin tash e 6 muaj dhe po hyjmë në një fazë krejt të re. E dyta, është rritja enorme në bursën ndërkombëtare. Faktori i tretë është keqmenaxhimi i KEK-ut si prodhues kryesor energjetik në vend i cili aktualisht është para kolapsit. Pa mirëmbajtje, pa përgatitje të punës në miniera, pa furnizim me lëndë të parë e shumëçka tjetër”, deklaroi Shala.

Shala tha se si parti janë të brengosur dhe të shqetësuar që në mungesë të reagimit të qeverisë qytetarët mund të përballen me një rritje tjetër të çmimeve e cila sipas tij do të jetë e papërballueshme dhe do te këtë mungesë të energjisë.

Sipas tij, qeveria duhet të marrë masa të shpejta dhe të duhura për të menaxhuar situatën në muajt e ardhshëm pasi nuk do të jetë e lehtë.

Ai ka dhënë edhe 7 rekomandime të PDK-së për qeverinë.

Shala: Të hiqet TVSH në faturat e energjisë

“Të largojë TVSH-në nga faturat e energjisë elektrike. Çmimi për tarifën e linjitit të zvogëlohet nga 3 euro për ton sa është sot, në 0.26 cent për ton. Të vendosë obligime për gjeneratorët publike KEK dhe hidrocentrali Ujmani duke vendosur një çmim fiks për shitje të energjisë elektrike tek furnizuesi publik. E ky çmim nuk duhet të kalojë vlerën 29 euro për megavat orë. Çdo kosto shtesë për gjeneratorët vendorë të mbulohet nga Qeveria e Kosovës për sa të shihet e nevojshme. Të përjashtojë çdo procedurë dhe udhëzim burokratik dhe të përshpejtojë çdo udhëzim administrativ të nevojshëm dhe legjislativ duke filluar për ndërtimin e kapaciteteve të reja në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Të krijojë një fond të posaçëm për subvencionim direkt të konsumatorëve duke zëvendësuar kaldajat për ngrohje me pajisjet e tjera efiçencë të cilat do të mundësonin ngrohje me konsum më të vogël dhe kosto më të ulët për qytetarët. Të krijojë mekanizma nxitës për qytetarët për kursim të energjisë dhe të krijojë një plan veprimi për komunikim me qytetarët e Republikës”, tha Shala. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat