Mustafa për Kurtin e Osmanin: Nuk koordinohen, kur iu vie puna ngushtë thërrasin SHBA, BE-në e NATO-n

Aktuale

Mustafa për Kurtin e Osmanin: Nuk koordinohen, kur iu vie puna ngushtë thërrasin SHBA, BE-në e NATO-n

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 16:55
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

E diela që lamë pas ishte e mbuluar me tensione të shumta në veri të vendit. Alarmet e aktivizuara në veri të Mitrovicës frikësuan qytetarët e Mitrovicës së Jugut, e në veri, grupe të organizuara serbësh, torturonin kudo që gjenin shqiptarë.

Këto alarme që thuhet se nënkuptojnë “grumbullim” për serbët, bënë që ata të dalin në qendër të Mitrovicës, derisa shumë të tjerë veçse ishin grumbulluar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Shumë mërgimtarë të cilët po kalonin nga këto pika kufitare mbetën të bllokuar për orë të tëra, duke mos iu lënë mundësinë e kalimit në këtë anë.

Serbët e mbledhur kishin vendosur kamionë të shumtë si barrikada në rrugët që çojnë drejt këtyre pikave kufitare. Këto veprime ata i morën duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje të reciprocitetit, në kuadër të letërnjoftimeve dhe targave të automjeteve.

Edhe pse parashihej që reciprociteti të nis në orët e mesnatës të së dielës, gjithçka ndryshoi kur serbët vazhduan bllokadën e më pas pati edhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë. Përpos kësaj serbë të maskuar maltretuan edhe disa prej shqiptarëve në këtë anë.

Por e gjithë kjo situatë bëri që ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, publikisht të kërkoi nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të tërhiqen nga vendimi për reciprocitet. Ai kërkoi që ky vendim të tërhiqet për së paku 30 ditë. Pas kësaj, Qeveria mori vendim për tërheqje në momentin kur largohen barrikadat, e që reciprociteti të mos implementohet deri më 1 shtator.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu bind kërkesës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa shumëkush shtroi pyetjen nëse Kurti është korruptuar tani që po tregohet “i dëgjueshëm”.

Lidhur me gjithë këto zhvillime ka folur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa tha se s’ka më asnjë kuptim që të komentohen fjalët e kryeministrit Albin Kurti dhe të presidentes Vjosa Osmani dhe se çfarë po veprojnë tani.

“Me këtë le të merren ata që u kanë besuar. Jam i preokupuar se çfarë po ndodhë me Kosovën, e udhëhequr nga dy njerëz që po tregohen të papërgatitur për besimin që e kanë marrë”, tha Mustafa.

Madje sipas tij, fitohet përshtypja se Kurti dhe Omsani po eksperimentojnë me shtetin.

“Ndërmarrin veprime të pakoordinuara dhe kur iu vije puna ngushtë thërrasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-në dhe NATO-n, me i nxjerrë nga balta. Nuk e kam të qartë se si veprohet kështu dy ditë pas kthimit nga takimi me Sekretarin Blinken?!Për mua nuk shtrohet pyetja se a ka Kosova të drejtë për masa të reciprocitetit apo jo. Gjithsesi ka. Por masa e reciprocitetit do duhej të korrespondojë me kohë të volitshme, përgatitje të terrenit, bashkërenditje me partnerët dhe KFOR-in, i cili i ruan kufijtë e Kosovës”, tha Mustafa.

Ai theksoi se tabelat e automjeteve që nuk janë në harmoni me ligjin, duhet të ndërrohen, por sipas tij kjo masë nuk është reciprociteti, por është rregullim i brendshëm i Kosovës.

“Ndërkaq reciprociteti me plotësim të formularëve në kufi është kopjim i veprimeve të Serbisë. Ne duhet të japim shembull të lehtësimit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në harmoni me politikat e BE-së dhe me procesin e Berlinit, e jot ë biem në nivel të Serbisë”,shtoi Mustafa.

Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa, tha se udhëheqja e tanishme e Kosovës duhet të ketë sens të zbutjes së tensioneve në veri të vendit.

“Ka përgjegjësi të mos lejojë që situata të dalë jashtë kontrollit”,përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat