Skender Hyseni: Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh në dialogun me Serbinë

Aktuale

Skender Hyseni: Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh në dialogun me Serbinë

Nga: M.L. Më: 8 gusht 2022 Në ora: 16:14
Skender Hyseni

Ish ministri i Punëve të Jashtme Skender Hyseni ka folur rreth deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se pala e Kosovës është e interesuar që të diskujtojë elementet e përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë.

Në një postim në Facbook Hyseni ka thënë se nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar, shkruan "Bota sot".

“Jam i interesuar të diskutojmë elementet e marrëveshjes së përgjithshme”, paska deklaruar sot Kryeministri Kurti teksa paska folur për agjendën e mundshme të takimit të 18 gushtit me presidentin serb në Bruksel.

Mirë shumë! E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërësisht e gabuar.

Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hyseni.

Por, ish ministri i jashtëm ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë.

Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistone në qëndrimin se së pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme.

Marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vije përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që së pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi”, është shprehur ai.

Pra, sipas Hysenit është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jetë ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’.

“Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mos-mbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera.

Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje”, ka përfunduar ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat