Eksperti i sigurisë tregon pse Serbia po e tensionon situatën në veri

Aktuale

Eksperti i sigurisë tregon pse Serbia po e tensionon situatën në veri

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 18:27
Avni Islami

Tensionimin e situatës në veri të Kosovës po e shfrytëzon Serbia në mënyrë që të fitojë poena politikë, ka thënë Avni Islami njohësi i çështjeve të sigurisë.

Islami thekson se Beogradi po i bën këto veprime për shkak se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë kanë ardhur afër zgjidhjes përfundimtare.

“Sa më afër që po vie te zgjidhja përfundimtare rreth marrëveshjes Kosovë – Serbi në secilin moment Serbia dëshiron ta shfrytëzojë në mënyrë që të fitojë poena politikë jo brenda territorit të Serbisë, por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Kësisoj kur institucionet e Kosovës ndërmarrin një veprim që është konform marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia por edhe kur është në interesin e Kosovës për ruajtjen e sovranitetit territorial dhe zbatimit të rendit e në veçanti në veri, Serbia është interesuar dhe ndërmerr një varg veprimesh që veriu i Kosovës të tërheq vemendje qoftë në Serbi, qoftë në serbët lokalë, por edhe bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që ta mbajë situatën e tensionuar dhe kësisoj të fitojë poena politkë”, tha ai.

Tutje, njohësi i çështjeve të sigurisë ka komentuar deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti se situata në veri të vendit mund të ishte përshkallëzuar deri në konflikt të armatosur.

Sipas tij, situata më 31 korrik kur serbët lokalë kishin bllokuar rrugët për pikat kufitare në Jarinje dhe Bërbnjak ishte e tensionuar por e kontrolluar nga institucionet e vendit.

“Të gjithë ata që mirren me studime edhe rreth fushës së sigurisë e kanë parë që situata ka qenë e tensionuar por e kontrolluar qoftë nga institucionet e Kosovës por edhe të kontrolluara edhe strukturat paralele të dirigjuar nga Beogradi që kanë vepruar në veriun e Kosovës”, shtoi ai.

Madje, ai tha se Serbia nuk guxon ta bëj një gjë të tillë për shkak se KFOR-i është i mandatuar për ruajtjen e sigurisë së brendshme të Kosovës dhe në këtë mënyrë do të hynte në luftë edhe me NATO-n.

“Mendoj që në situatë të tillë edhe pse duket e tensionuar Serbia dhe Vuçiq e dijnë fare mirë që sovranitetin territorial të Kosovës e garanton KFOR dhe meqë është derivat i NATO-s me rezolutën e 1244 KFOR-i është i mandatuar ta ruajë sigurinë e brendshme por edhe të jashtme pra në sigurinë e brendshme nëse institucionet Kosovës nuk janë në nivel të duhur ta mbajnë në kontroll rendin dhe ligjin atëherë do të vije në asistencë edhe KFOR. Sa i përket luftës në Kosovë mendoj se Serbia nuk është e interesuar të hyjë në luftë me KFOR-in”, tha ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat