‘Robtë’ e Serbisë e akuzojnë qeverinë se po provokon luftë / “Militantët” e Hashim Thaçit ia qajnë hallin Beogradit, edhe Moskës

Aktuale

‘Robtë’ e Serbisë e akuzojnë qeverinë se po provokon luftë / “Militantët” e Hashim Thaçit ia qajnë hallin Beogradit, edhe Moskës

Nga: Idriz Morina Më: 10 gusht 2022 Në ora: 10:10
Foto ilustrim nga bllokimet në veri

Fakti që kryeministri i Kosovës ka shprehur dyshimin për ekzistimin e rrezikut për luftë, nuk përbën lajm esencial, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, dhe investimin ruso-serb, për ta destabilizuar Ballkanin.

Pra, në rast të inicimit të një konflikti, ai nuk buron dhe nuk do të burojë nga Kosova, por nga forcat, që paraqesin rrezik për paqen, dhe të cilat kanë investuar në armatim më së shumti në Ballkan.

Tashmë është fakt notor, se Serbia ka investuar jo vetëm më shumë, por më shumë se të gjitha vendet së bashku të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kroacinë.

Ajo edhe më parë, pavarësisht bombardimeve të NATO-s me 1999, edhe pas luftës kishte një forcë ushtarake dominuese, më të fuqishme, se ajo e Shqipërisë, Maqedonisë, e madje thuajse të barabartë me Kroacinë. Por, Serbia investoi shumë pas luftës, plus kur i shtohet prodhimi i armëve nga vet ajo, sot vlerësohet se ka fuqi ushtarake më shumë se të gjitha këto shtete së bashku përfshirë Kroacinë.

Prandaj, deklarimi i Kurtit nuk e bën aspak atë përgjegjës për një luftë, konflikt në veri, nëse mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Për faktin se ai nuk ka bërë thirrje për luftë, përkundrazi e ka ndjerë ‘aromën’ e luftës, si duket nga mobilizimi i jashtëzakonshëm i serbëve në veri, nën dirigjimin e Serbisë.

Rreziku për luftë nga kriza e Ukrainës

Sa i përket luftës, unë e kam përmendur, si rrezik potencial, që para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, sepse unë i besoja informacioneve amerikane, analizave të besueshme perëndimore, dhe referencave të mia, të bazuara nga leximet dhe funksionimit të strategjive dhe të lëvizjeve që u bëjnë edhe strategjitë sekrete.

Që atëherë, kam bërë thirrje që Kosova të tërhiqet nga bisedimet me Serbinë, dhe në asnjë mënyrë të mos bëjë lëshime dhe koncesione, sepse vlerësoja se Serbia nuk mund të shkëputet nga ndikimi rus, duke i besuar ajo fuqishëm ‘kartës bërthamore’ të Rusisë. Pra, jo nga dashuria për Rusinë, por nga simbioza që e ka krijuar, dhe nga vullneti i ndrydhur serb, për t’iu hakmarrë Perëndimit për bombardimin e saj me 1999.

Serbia dhe shumica e strategëve të inteligjencës, të institucioneve politike e shkencore, nuk kanë arritur as ta mendojnë se Rusia mund të dështonte kaq thellë!

Unë e shihja dhe ende e shoh, luftën në Ukrainë, para së gjithash si domosdo të shpërbërjes së Rusisë, dhe po ashtu si një betejë, që qytetërimi perëndimor duhet domosdoshmërisht ta fitojë, ndaj kulturës binare ruse, përkatësisht sjelljes politike ‘revolucionare’, e dëshmuar me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, siç thuhet gjerësisht!

Pra, as analizat e mia, dhe as intuita ime, nuk më bëjnë aspak luftënxitës, sepse kam vlerësuar që nga fillimi se Rusia do të përpiqet me çdo kusht të gjejë një mundësi përshkallëzimi, dhe se duke pasur dy vatra në Ballkan, Bosnjën dhe Kosovën, ndaj të cilave do ta nxisë Serbinë, nuk do ta lëshojë këtë rast, veçmas, duke pasur parasysh rrethanën se Rusia filloi të humb terren në Ukrainë, dhe se ajo e ka një lloj domosdoshmërie që ta nxisë një luftë në Evropë jashtë kufijve të saj, dhe NATO-ja e BE-ja të përqendrohen në një front lufte të ri. Dhe siç po duket po pretendohet që SHBA-ja të shpërqendrohet nga Kina, sipas një marrëveshje sekrete ruso-kineze, të nënshkruar pak ditë para fillimit të luftës nga Rusia për pushtimin e Ukrainës. Kjo mund të ndodhë siç duket me pushtimin e Tajvanit apo fillimin e një konflikti luftarak në ishull!

Prandaj, çështja nuk është se shqiptarët mund të nxisin luftë. Në asnjë mënyrë. Atë mund ta fillojë vetëm Serbia, si në Bosnje edhe në Kosovë. Ne nuk kemi forcë sulmuese, dhe e dyta, nuk mund të quhen luftënxitëse zbatimet e vendimeve minimaliste të Qeverisë.

Image
Forcat e KFRO-it duke vëzhguar serbët

Vula e NATO-s

Për ta shqyrtuar më tej, atë që thonë disa politikanë dhe madje edhe disa analistë dhe ligjërues fakultetesh, i bie se shumëherë më shumë paska nxitur luftë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, se sa Kurti dhe kushdo tjetër.

Të thuash që nuk ishte ‘erë lufte’ e diela e 31 korrikut është mashtrim. Nëse këtë nuk do ta evidentonte Kurti, do të ishte vërtetë diçka e gabueshme.

Do të ishte plotësisht e gabueshme nga Qeveria, nëse dy vendimet e saj mos të ishin përkrahur nga Gabriel Escobari dhe nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier.

Përtej dyshimit eventual, rrezikun për konflikt të armatosur e konfirmoi vetë Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, i cili ia tërhoqi vërejtjen presidentit të Serbisë Vuçiqit, që të mos guxojë të veprojë ushtarakisht. Pra, ky ishte një kërcënim fundamental, që s’ka lidhje me sjelljen e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës.

Madje, në një intervistë të botuar dje, Stoltenberg thotë qartë se Rusia është ajo, që po luan rol destruktiv në Ballkanin Perëndimor. “Kur u pyet për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, Stoltenberg tha se NATO i bën thirrje Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por se Rusia po bën pikërisht të kundërtën”, raportojnë mediat e huaja duke e cituar Sekretarin Stoltenberg.

Pra, derisa asnjë autoritet perëndimor, në NATO dhe SHBA nuk e thotë e as akuzon qeverinë e Kosovës, ‘militantët e Hashim Thaçit’, e thonë pa pushim, tamam duke ndjekur rrugën e atit të tyre mendimor, dhe duke e justifikuar sjelljen e Serbisë dhe Rusisë!

Ajo që e kam thënë ditë më parë është edhe më e rëndësishme, sikur Serbia ta sulmonte atë ditë Kosovën, ne do të ishim fitimtarë të padyshimtë, dhe sigurisht që Serbia do të detyrohej më pas të nënshkruante një pakt të ri paqeje me NATO-n, duke e nxjerrë Rusinë jashtë vendit të saj, dhe duke u detyruar ta nënshkruajë njohjen e Kosovës.

Atëherë drama e “asociacionit” do të merrte fund!

Pra, ju po e qani, humbjen eventuale të Serbisë, dhe jeni verbuar dhe nuk doni ta shihni një fitore të re të Kosovës!

Për humbje, as që bëhet fjalë! Një rend i ri botëror po vjen, e kuptuat jua apo jo!

Image
KFOR-i në veri

Skenar

Ndërsa, nga ajri na garantoi sërish NATO-ja, se do të na mbrojë, këta ia qajnë hallin Serbisë, se mos do të poshtërohet ajo nga NATO-ja! Ata e dinë saktësisht se Albini as se ka fuqinë dhe as mundësinë të provokojë luftë. Lufta nuk provokohet me polici, por vetëm me ushtri, e kësaj nuk i lejohet të shkojë në veri, pa lejen e NATO-s, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Hashim Thaçi, një tjetër marrëveshje antikushtetuese dhe antishqiptare e tij!

"Robtë" e Serbisë

Kjo tregon se ata që po e sulmojnë Qeverinë janë pikërisht të varur, robërit e të menduarit sipas interesit të Serbisë, të serbizimit në Kosovë, dhe që vazhdojnë ta shohin Serbinë si një forcë të jashtëzakonshme dhe të paprekshme.

Por, kjo është shpërfaqje edhe e një mosbesimi të tyre ndaj shtetit amerikan dhe ndaj NATO-s!

Dhe po të mos ishin obedient ndaj Serbisë, dhe qëllimmirë ndaj Kosovës, ata këtë diskurs të tyre prej kohësh do ta kishin zëvendësuar me ligjërimin që në asnjë mënyrë institucionet e Kosovës, të mos bëjë lëshime dhe koncesione....

“...Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, p.sh. në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në veçanti, ato do të jenë shumë të larta”, kishte deklaruar Kurti. Ky mendim nuk është origjinar i Albin Kurtit. Këtë e kanë thënë shumë kohë më parë edhe drejtues të NATO-s, si Stoltenberg, por edhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josip Borell, madje duke e përmendur shumë shpesh si vatër potenciale edhe Gjeorgjinë!

“Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i madh. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thosha të kundërtën, veçanërisht pasi bota e ka parë se çfarë ka bërë Rusia me Ukrainën”, ka thënë kryeministri Kurti.

Sipas Qeverisë së Kosovës, vetëm vitin e kaluar Serbia, që kishte planifikuar 91 stërvitje të përbashkëta ushtarake, i ka bërë 104, pra farë 15 % më shumë.

Por, opozita dhe ‘intelektualët’ ‘robër’ të Serbisë, se kanë thënë asnjë fjalë për këtë, vetëm kur i ka ‘rrëshqitur’ gjuha!

 

Ps. Nëse ndodhë lufta në Kosovë, mos harroni se i kemi 60-70 mijë veteran. Si veteran që janë, janë të obliguar me marrë pjesë në luftë, përveç atyre me shkallë invaliditeti, që nuk ia lejon organizmi, si dhe të tjerët, që nuk ua lejon pleqëria. Por, sigurisht se ky numër nuk shkon në 10 mijë, dhe na mbesin, rreth 50 mijë luftëtarë potencial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat