Analistët flasin për mundësinë e një marrëveshje për të pagjeturit në takimin e 18 gushtit në Bruksel

Aktuale

Analistët flasin për mundësinë e një marrëveshje për të pagjeturit në takimin e 18 gushtit në Bruksel

Më: 13 gusht 2022 Në ora: 07:05
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 gusht në Bruksel, dhe në atë takim, sipas mediave në Beograd, do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Këto raportime, Bashkimi Evropian i ka quajtur spekulime të mediave, ndërkaq Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur fare në pyetjet e medias.

Ndërkohë, analistët në Kosovë kanë mendime të ndryshme lidhur me atë nëse mund të nënshkruhet një marrëveshje e tillë mes palëve, marrë parasysh zhvillimet e fundit në veri – ku për dy ditë pati tensione për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat dhe letërnjoftimet.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se është momenti i fundit që jo vetëm deklaratë, por të ketë marrëveshje konkrete dhe të zbatueshme lidhur me të pagjeturit.

Sipas tij, nëse nuk arrihet një marrëveshje për të pagjeturit, nuk ka kuptim që të vazhdohet dialogu.

“Sepse është çështja më e ndjeshme dhe më e dhimbshme. Kusht ka qenë që në fillim nga Qeveria Kurti për vazhdim të dialogut, pra njëra nga çështjet kryesore që i është prezantuar Vuçiqit ka qenë pikërisht kjo për të pagjeturit”, u shpreh Baraliu.

Referuar zhvillimeve të fundit në veri, ai tha se nuk ka ‘tension të mirëfilltë’ mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, ka qenë lojë e kësaj të fundit për ta penguar procesin e dialogut.

“Serbia e ka dëshmuar se nuk është e interesuar që të arrijë marrëveshje me Kosovën, por mendoj se një deklaratë për të pagjeturit do ta nënshkruante me pretekstin se po bën kompromis dhe po tregohet palë konstruktive në dialog”, deklaroi tutje Baraliu.

Por, ndryshe mendoni profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi.

Ai tha se raportimet e tilla nga mediat në Beograd bëhen me qëllim për ta paraqitur Serbinë si palë konstruktive në dialog.

“Mediat në serbi me qëllim e kanë bërë një raportim të tillë, pra propagandë që ta paraqesin Serbinë si palë të interesuar për të nënshkruar marrëveshje dhe kanë prekur çështjen më të ndjeshme – atë për të pagjeturit”, deklaroi Arifi.

Ai u shpreh pesimist se takimi i 18 gushtit do të ketë rezultat pozitiv, ndërsa shtoi se “e vetmja gjë e mirë është që palët po takohen”.

“Nuk pres që të nënshkruhet ndonjë marrëveshje sepse parapërgatitjet për një gjë të tillë nuk janë në nivelin e duhur ose janë mbajtur të fshehura. Palët duhet të tregojnë më shumë gatishmëri për të nënshkruar një marrëveshje të tillë, pasi të pagjeturit janë çështja e fundit për të cilën Qeveria e Kosovës duhet të negociojë me Beogradin, para se të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare”, tha profesori.

Gazeta serbe “Nova” shkroi të mërkurën se teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ajo të nënshkruhet.

Agjenda zyrtare e takimit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ende nuk është bërë publike, por sipas Nova-s, nënshkrimi i deklaratës për zbardhjen e personave të pagjetur mund të jetë në rendin e ditës në Bruksel dhe kjo do të prezantohet si një hap i madh përpara në marrëdhëniet mes dy palëve.

“Me këtë deklaratë do t’i jepej një mbështetje procesit të gjetjes së personave të zhdukur dhe zgjidhjen e fateve të tyre. Ai dokument do të duhej të nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiq dhe do të kishte jehonë në opinion. Teksti është finalizuar dhe pritet momenti për t’u nënshkruar”, citohet të letë thënë një burim i gazetës.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit lidhur me këtë çështje, por nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, për Telegrafin, tha se nuk komentojnë spekulimet në media.

“Nuk komentojmë spekulime në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizojmë me spekulime për një përfundim të mundshëm”, deklaroi Stano.

I pyetur se pse nuk është bërë publike ende agjenda e takimit, ai tha se një gjë të tillë do ta bëjnë më afër datës kur zhvillohet takimi.

“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të dialogut me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës kur do të zhvillohet”, u shpreh tutje Stano.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, do të takohen në Bruksel, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga ekzekutivi i Kosovës.

Herën e fundit ata janë takuar më 5 maj në një darkë joformale, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të cilët paraprakisht ishin takuar ndaras me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat