Abdixhiku: Po futemi drejt theqafjes, Qeveria s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë

Aktuale

Abdixhiku: Po futemi drejt theqafjes, Qeveria s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë

Nga: M.L. Më: 14 gusht 2022 Në ora: 22:38
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që e ka përjetuar Kosova ndonjëherë, përcjell "Bota sot".

Sipas tij, faturat e shtrentja dhe reduktimet e rrymës do t`i godasin rëndë familjet dhe bizneser.

Ai është shprehur se, ndonëse kriza nuk buron në Kosovë, përballueshmëria e saj varet nga politikat e Qeverisë së Kosovës.

KUR PUSHTETI FLE

Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godisin secilën familje kosovare e secilin biznes - prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës - e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë.

Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blehet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim - s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot - e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjërë”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, theksoi se në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë, derisa ka përmendur refuzimin e termocentralit me gaz të refuzuar nga qeveria në vitin 2021.

“Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë - pra deponimi i energjisë - ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi.E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë”, është shprehur ai.

Ai po nënvizoi se edhe familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë.

“Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë.

Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka përfunduar ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat