Serbia nuk do të mund t’i shmanget goditjes? / Qeveria duhet të ketë zero tolerancë për kompromise të reja!

Aktuale

Serbia nuk do të mund t’i shmanget goditjes? / Qeveria duhet të ketë zero tolerancë për kompromise të reja!

Nga: Idriz Morina Më: 17 gusht 2022 Në ora: 21:13
Forcat e KFOR-it, të gatshme kundër bandave serbe

Qeveria e Kosovës nuk duhet të tërhiqet nga asnjë prej pikave parimore. Nuk ka asnjë arsye të lëshojë pe mbi të gjitha në çështjen e asociacionit, sepse për rreth 50 mijë serbë të shpërndarë në rreth 15 % të territorit të Kosovës nuk mund të ketë autonomie politike. Një zgjidhje e atillë do ta bënte lëmsh botën, sepse nuk ka asnjë shtet në botë, që të mos i ketë po aq banorë të huaj brenda vetes, përkatësisht të një komuniteti të vetëm.

Faktori shqiptar

Vetëm në Beograd besohet se jetojnë mbi 50 mijë shqiptarë, e me origjinë më të largët mund të jenë mbi 100 mijë.

Në Kosovën Lindore, vetëm pas një trysnie 20 vjeçare, duke e lënë një vend tërësisht të pazhvilluar, numri i popullsisë shqiptare ka rënë dukshëm, por ai ishte bindshëm mbi 100 mijë, për të cilët Serbia, as bashkësia ndërkombëtare nuk ka ofruar asgjë, pavarësisht që u bë edhe një luftë, e UÇPMB-së, e cila u përmbyllë me një marrëveshje armëpushimi, më 20 maj 2001.

Ndërkohë për Sanxhakun, pjesën që ndodhet në Serbi, me epiqendër Novi Pazarin, ka shumicën dërmuese të popullsisë, prej rreth 400 mijë banorësh, shumica dërmuese prej të cilëve janë shqiptarë, madje të asimiluar shumica vetëm disa dekada më parë. Vetëm qyteti kryesor, që gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një prej qendrave të betejave të shqiptarëve me serbët, ka rreth 80 mijë banorë.

Nëse kjo pjesë do të ishte autonome, sigurisht se do të zgjedhtë bashkimin me Kosovën, para çdo alternative tjetër, prandaj këto dy gjëra janë motive të mjaftueshme, pse çështja e Sanxhakut, sipas mendimit tim është dashur të shtrohet në bisedime që në fillim.

Ndërsa, bashkimi i tij me Kosovën, do t’ia krijonte një mbrojtje të madhe nga Serbia, pasi pjesa e fundme e Sanxhakut kufizohet me Bosnjën.

Kosova, por edhe Shqipëria është dashur që një pjesë të trysnisë në bisedime ta bënte pikërisht për Sanxhakun, ku gjuhën shqipe duhet të bëhet e obligueshme në shkolla, dhe që minimalisht ata të kishin pasur të drejta etnike, sikurse kanë serbët me Pakon Ahtisari, dhe tashmë me marrëveshjet e Brukselit.

Vlen të theksohet, se sipas disa matjeve të bëra në ADN-në e kësaj popullate, rezulton se është një prej zonave ku është ruajtur më së miri gjenomi ilir apo pellazgjik. Identiteti shqiptar përcaktohet lehtë në Sanxhak, në saje të mbiemrave dominant shqiptarë, sipas nënfisesh e fisesh, si Gashi, Shkreli, Lajçi etj., të cilët janë serbizuar me mbaresa e prapashtesa serbe.

Kjo është tabloja, me të cilën Serbia, jo vetëm do të trembej, por do të tërhiqej nga këmbëngulësia e vrazhdë, e rrejshme dhe aspak njerëzore. Pse?

Ekspertët serbë e dinë fare mirë, se vetëm Kosova në Ballkan ka Kushtetutë qytetare, pra jo etnike, dhe serbët në saje të saj, pa të drejtat e veçanta, gëzojnë barazi të plotë, ndërsa me ato për komuna sipas pakos Ahtisari, dhe marrëveshjet në Bruksel, ata janë komunitet mbi kushtetues, të tej diskriminuar pozitivisht. Vetëm ky konceptim të çon tek dilema e pashmangshme: A po hyjmë ne në BE apo jemi duke dalur nga ajo?! Raportet dhe përpjekjet dezintegruese i kanë zënë vend total atyre integruese!

P.sh. mbi të gjitha shqiptarët do të pengohen të blejnë prona, shtëpi, banesa dhe të fillojnë një jetë të re kudo në ato zona.

Po ashtu për serbët do të ketë të drejta speciale në polici, gjyqësi, mjekësi, arsim, trashëgimi etj.

Kjo dramë tragji-komike, ku për një komunitet kaq të vogël diskuton thuaja gjysma e botës (gjysma e ekonomisë po se po, por edhe gjysma e fuqisë dhe e kulturës), është njëlloj frymëzënie për vetë jetën në tokë!

U diskutua në Vjenë për rreth dy vjet, dhe për mbi 11 vjet po diskutohet në Bruksel, për të kënaqur kërkesat e Serbisë, duke përdorur argumentin për 50 mijë veta, të shpërndarë në disa qytete, dhe që së bashku nuk përbëjnë as një qytet të vogël perëndimor. Kjo vërtetë është tragjedi njerëzore në vetvete, ku marrin pjesë gati dy kontinente, rreth 800 milionë banorë, bazuar në shtetet, SHBA-ja (mbi 330 milionë banorë, BE-ja me rreth 450 milionë banorë) për të rregulluar në mënyrën më të mirë jetën e një komuniteti, që pas 20-30 vitesh edhe mund të vetshpërbëhet, qoftë nga ndryshime klimatike, tektonike, të pasigurive të ndryshme apo të mungesës së perspektivës etj.

Asimetria e Serbisë

Perëndimi më shumë se kurrë është në luftë të mirëfilltë me Rusinë, të cilën deri vonë është munduar ta sfidojë me diplomaci dhe ekonomi, por kriza e Ukrainës dëshmoi se ato politika kishin dështuar. Konkluzioni është i qartë: Pa e mundur apo pa e sfilitur ushtarakisht dhe ekonomikisht Rusinë, ajo nuk e pranon kulturën perëndimore, përfshirë sistemin e saj politik!

Serbia, për fat tonë, dëshmoi në shekullin e 21-të se ajo është shumë më shumë ruse, se sa perëndimore!

Andaj, për ta ndryshuar statusin e saj, duhet një veprim i fuqishëm, diplomatik, ekonomik, por edhe ushtarak. Për të pasur sukses ky projektim, faktori kyç është Kosova!

Pra, vetëm duke e përdorur Kosovën, thyhet Serbia, të cilës thuajse e ka të pamundur t’i vijë në ndihmë Rusia, pasi të gjitha korridoret tokësore dhe ajrore për të janë të mbyllura!

Serbia është i vetmi shtet që qartësisht është duke e prishur simetrinë, harmoninë dhe koherencën perëndimore përballë Rusisë dhe përgjithësisht lindjes!

Image
Emisari amerikan Gabriel Escobar

Atëherë, pse të mos fillojë zbatimi i projektit!?

Serbia e do Kosovën, le t’i lejohet të privojë ta marrë edhe njëherë nën okupim! Këtu pastaj fillon zgjidhja e dramës! Serbia nuk do të mund t’i shmanget goditjes, një cikël dhune i nisur në kufi, që do të mund të përfundojë me një gjakderdhje në Beograd. Aty të ndodhë përmbysja e lënë përgjysmë me Marrëveshjen e Kumanovës, të cilën e përshpejtuan të ndodhte, forcat ledhatuese pro serbe!

Serbia nuk e kishte nënshkruar kapitullimin e plotë, atë që kishte ndodhur në terren, në Kosovë! Asaj i qe lënë gabimisht një deriçkë, ‘e shpëtimit të fytyrës së Millosheviçit’, apo si po thuhet sërish, thuaja nga burime të njëjta origjinare, që edhe “Putinit t’i lihet një tërheqje me fytyrë’! Ajo deriçkë i kushtoi shumë tepër Perëndimit, por edhe më shumë shqiptarëve dhe Kosovës, sepse e futi në një cikël të pambarimtë, të pavarësimit, shtetbërjes dhe të pasigurisë!

Andaj, Albin Kurti do të duhej të ishte shumë i relaksuar në darkë me të dërguarin e presidentit Biden, Gabriel Eskobarin, dhe vetëm të dakordojnë rrjedhën e ngjarjeve, që të mos pengohen ato nga hileqarët, që e ndanë veriun e Kosovës, Mitrovicën, dhe pjesë të tëra të Kosovës i bën gati për bakshish, për Serbinë!

Ndërsa, Eskobar edhe njëherë dëshmoi sot për qëndrimin amerikan se asnjë marrëveshje nuk mund ta cenojë Pavarësinë e Kosovës: “Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën!”, ka deklaruar Escobar, ndërsa duke e vulosur edhe njëherë çështjen e asociacionit, tha: “Sa për asociacionin e komunave serbe, marrëveshja e nënshkruar duhet zbatuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Këta që nuk duan të shohin policinë në veri duke vepruar, janë pjesë e bandave ose e logjikës serbo-shqiptare, dhe madje që po vetidentifikohen! Edhe ata që gënjejnë dhe thonë se po rrezikohet policia e Kosovës, shtiren, sepse nuk kërkuan kurrë llogari për aksionin e dështuar e të paplanifikuar, kur u vra polici Enver Zyberi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat