“Kryeministri e ka shumë vështirë, i ka armiqtë edhe brenda edhe jashtë” / Flet axha i Kurtit

Aktuale

“Kryeministri e ka shumë vështirë, i ka armiqtë edhe brenda edhe jashtë” / Flet axha i Kurtit

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 13:04
Axha i Kurtit, Hamza Kurti

Ndërsa kryeministri Albin Kurti po qëndron në Bruksel për takimin me presidentin serb, Hamza Kurti, axha i shefit të Qeverisë së Kosovës, foli për nipin e tij.

Ai tha se pret që Kurti ta ketë të vështirë, pasi tha se “ka armiqë të brendshëm dhe të jashtëm”.

“Unë pres që Albini e ka vështirë. Pse? Ka armiqë të brendshëm dhe të jashtëm. Ajo është me rëndësi. Sikur Kosova të ishte e unifikuar, e bashkuar, ndryshe do të ishte situata. Por kur njëri kërkon majtas, tjetri djathtas e tjetri pas shpine, ai është rrezik i madh”, tha ai.

Sipas tij, “krejt fjalët e Lëvizjes Vetëvendosje po dalin në pah”.

“E di që Albini e ka vështirë për shkak se nuk i ka pas vetes partitë politike”, përsëriti Hamza Kurti.

Axha i kryeministrit dha disa shembuj që sipas tij argumentojnë për “armiqtë e brendshëm” të nipit të tij në Kosovë.

“Ka armiqë të brendshëm. Ka njerëz që kanë thënë që ka kalu me vajzën e një ministreje të Serbisë, veç me mujtë me e shkelë, por kryesore është që Albini s’është i korruptuar dhe atë s’munden me e shantazhu kurrkund sepse nuk ka korrupsion te ai”, tha ai.

Hamza Kurti thotë se nipi i tij nuk është i vështirë për të negociuar, por tha se “është parimor”.

“Kur e kam pasur unë gabim, ai s’është pajtuar kurrë me mua, dhe ka dalë fjala e tij. Unë si më i moçëm është dashtë të tërhiqem. Pse? Sepse ka pasur të drejtë. Ai kur është në të drejtë, nuk tërhiqet. Kur e sheh që s’është në të drejtë, të kërkon falje”, tha ai.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës nuk i ndryshon parimet dhe qëndrimet.

“Situata e bën të vetën, por ai cakun e qëllimin nuk e ndryshon”, tha Hamza Kurti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat