​Edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën vlerësohet të jetë në nivel të lartë

Aktuale

​Edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën vlerësohet të jetë në nivel të lartë

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Këtë vit po mbahet edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po karakterizohet me numër më të madh të seminaristëve dhe albanologë të shquar. I njëjti, nga organizatorët dhe profesorë e albanologë po vlerësohet të jetë në nivel të lartë.

Në këtë edicion Seminari, përveç rolit arsimor, shkencor dhe kulturor, po vazhdon të përmbushë edhe shumë misione tjera, sikurse: afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në botë, përhapjen e mendimit intelektual shqiptar për problemet e caktuara gjuhësore, letrare dhe kulturore, njohjen reciproke të rezultateve të studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fushat e albanologjisë, si dhe krijimin e miqësive të reja ndërmjet studiuesve shqiptarë dhe të huaj.

Drejtori iSeminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare tha se në edicionin e 40-të po marrin pjesë rreth 100 seminaristë.

Munishi për KosovaPress shprehet se ligjërata të shumta po mbahen gjatë gjithë këtyre ditëve.

Munishi: Është rritur numri i seminaristëve

“Intensiteti i aktiviteteve në seminar është shumë më i lartë, kemi një numër të madh të ligjëratave të cilat po mbahen gjatë gjithë këtyre ditëve. Po ashtu, kemi edhe aktivitete të tjera të referimeve, do t’i kemi sesionet shkencore. Një ndryshim tjetër është arritja e një numri të madh të seminaristeve, mbase ky numër do ta arrije 100-in, duke mos përfshirë këtu edhe gjithë ata studiues të cilët do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore që konsiderohen si pjesëmarrës në seminar”, shprehet ai.

Albanologu nga Bullgaria, Anton Panchev u shpreh se edicioni i sivjetmë përmban referime e ligjërata interesante nga profesorë botëror.

Ai tha se ky seminar po shërben edhe për krijimin e miqësive të reja që do ndikojnë edhe në bashkëpunime profesionale.

Panchev: Seminari edhe këtë vit është në nivel shumë të lartë si gjithmonë

“Ka referime, ligjërata shumë interesante nga profesorë me famë botërore, nga Kosova, nga vendet e huaja dhe ka shumë pjesëmarrës... Kemi hulumtues nga shumë vende të botës që prezantojnë arritjet e tyre shkencore gjatë këtyre viteve. Pastaj kemi profesorë shumë të mirë për gjuhën shqipe në nivele të ndryshme, krijojmë miqësi të reja me shumë rëndësi dhe pastaj këto miqësi zhvillohen edhe në kontakte profesionale me bashkëpunime profesionale. Seminari edhe këtë vit është në nivel shumë të lartë si gjithmonë”, thotë ai.

Panchev për KosovaPress u shpreh se këtë vit nuk ka rënie të numrit të seminaristëve, përkundrazi sipas tij është rritur numri i pjesëmarrësve.

Panchev: Nuk ka rënie, ka edhe më shumë seminaristë

“Nuk ka rënie (të numrit), ka edhe më shumë seminaristë. Ne e dimë se bota ka qenë dhe është ende për fat të keq në sfida të panjohura për brezin tonë që po jetojnë më shumë në izolim, kontaktet janë kufizuara. Por, prapë vërehet se kjo dukuri negative nuk ka ndikuar në mënyrë negative për arritjet shkencore në fushën e albanologjisë, punimet kanë rezultate shumë të mira... Ky seminar është një qendër që ka rëndësi për zhvillimin e shkencës humanitare në përgjithësi në rajonin tonë... Vet fakti se 40-të herë se seminari ka zhvilluar punimet tregon qartë se ka edhe një të ardhme të ndritur sepse me kaq shumë materiale të mbledhura seminari i gjuhës shqipe në Prishtinë u bë baza kryesore për zhvillimin e albanologjisë në dekadat në vijim”, tha ai.

E kënaqur me organizimin e këtij seminari shprehet profesoresha universitare në Tiranë, Elsa Skenderi.

Sipas saj, organizimi po përmirësohet vit pas viti.

Skenderi: Organizimi vit pas viti është perfeksionuar

“Seminari po shkon shumë mirë, thuajse me entuaziazimin e përvitshëm. Megjithëse këtë vit ka një eufori, veçanërisht në radhët e organizatorëve dhe prej atyre që kanë ardhur prej shumë vitesh sepse ky vit shënon jubileun e 40-të të seminarit të Prishtinës dhe është një arsye me tepër për tu krenuar... Organizimi vit pas viti është perfeksionuar dhe çdo gjë shkon ashtu siç e kemi menduar”, tha ajo.

Ndërkaq dje gjatë ditës Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është përballur me probleme teknike, në mungesë të energjisë elektrike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat