Deklarata befasuese për Vuçiqin, nga Kosova i reagojnë ambasadorit amerikan: Kurti, arrë e fortë!

Aktuale

Deklarata befasuese për Vuçiqin, nga Kosova i reagojnë ambasadorit amerikan: Kurti, arrë e fortë!

Nga: A.ZH Më: 24 gusht 2022 Në ora: 11:22
Christopher Hil

Profesori dhe analisti i çështjeve politike Binak Maxharraj, e ka quajtur dëshpërues takimin e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Hill, pas takimit ka thënë se pala serbe kishte “frymën e duhur gjatë dialogut”, se Vuçiq shkoi i përgatitur “për të negociuar në Bruksel dhe vërtet i bëri punët e shtëpisë”, kurse pala e Kosovës me kryeministrin Albin Kurtin sikur ishin të ngurtë.

E sipas analistit Maxharraj, Kurti është “arrë e fortë” që nuk mund të thyhet lehtë, kur janë në pyetje interesat e shtetit të Kosovës, përcjell Bota sot.

Reagimi i Maxharrajt në Facebook:

Takimi Vuçiq-Hill dëshpërues.

Takimi i shumë pritur midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili u mbajt me 18 gusht në Bruksel siç dihet dështoi pa ndonjë rezultat lidhur me reciprocitetin me targat dhe dokumentet që i vuri Kosova me 31 korrik, e të cilin Serbia e kishte aplikuar 12 vjet më parë(2011)pa kurrfarë reagimi ndaj liderëve të atëhershëm.

Tashti Kosova nuk bëri asgjë të re pos që vendosi reciprocitetin në këtë çështje, në të cilën ka të drejtë dhe të cilën e përkrahën edhe ndërkombëtarët si të qëlluar. Por ditën e vendosjes, me 31 korrik me direktivat nga Beogradi e në veçanti nga kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në veriun e Kosovës u barrikaduan rrugët që çojnë për në vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinje, pati edhe të shtëna me armë nga rebelët, kriminelët ne krye me kryekriminelin Radojçiq, të ndërsyer nga vetë Vuçiq, i cili nuk dëshiron ndonjë zgjedhje paqësore, por vetëm tensionim të situatës midis dy shteteve. Pati shumë reagime lidhur me këtë rast.

Lidhur me këtë po veçojmë takimin, i cili u mbajt në Beograd me 19 gusht midis ambasadorit të SHBA-ve Christopher Hill dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Christopher Hill është i njohur për opinionin e Kosovës, e sidomos nga shqiptarët për ndihmën e tij konstruktuve gjatë luftës.

Por, pas këtij takimi te fundit midis Hill dhe Vuçiq, ambasadori amerikan doli me një deklaratë bukur të çuditshme, por edhe befasuese. Ambasadori amerikan në Serbi, Hill, tha se Serbia gjatë takimit të 18 gushtit kishte “frymën e duhur gjatë dialogut”, se Vuçiq shkoi i përgatitur “për të negociuar dhe vërtet i bëri punët e shtëpisë” dhe Vuçiq tentoi që të jetë fleksibil për të gjetur një zgjidhje, kurse pala tjetër, pra Kosova me Kurtin në krye sikur ishin të ngurtë, sepse këmbëngulte për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës.

Unë nuk e di se ambasadori amerikan Hill a e njeh mirë Vuçiqin. Ai duhet ta ketë ditë se Vuçiq është pasardhës i Millosheviqit, ishte ministër i tij gjatë luftës, dhe se tani pas luftës ai e ndjekë me besnikëri ideologjinë e Millsheviqit, i cili bëri krime dhe gjenocid mbi popullin shqiptar, i cili assesi nuk po pajtohet me pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, të cilën nuk do ta njeh si shtet të pavarur.

Ambasadori Hill nuk e di se çfarë ka biseduar me kryetarin Vuçiq, por ish deshtë ta kuptonte se Vuçiq tjetër gjë flet e tjetër gjë vepron, e ka gojën plotë paqe, e nga ana tjetër bashkëpunon bile edhe i udhëzon bandat, kriminelët në krye me Radojçiqin dhe Zvonimiroviqin, për të krijuar tollovi në veriun e Kosovës se gjoja serbet janë të cenuar nga shqiptarët, kur dihet se atje jetojnë mbi 80% serbë. Por qëllimi i krejt kësaj, i politikës së Vuçiqit nuk janë pozita e serbëve në veri, sepse ata kanë më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër, bile edhe më shumë se sa shumë minoritetet në Evropë, por Vuçiqit i intereson diçka tjetër siç thekson ai vet se “nuk del nga veriu pa marrë diçka”, e ajo diçka është se tentoi ta ndajë Kosovën sa ishte Thaçi ne pushtet, kurse tani teton që përmes Asociacionit një etnik krijojë një “mini shtet në shtetin e Kosovës”, që i bie njëfarë federalizimi i Kosovës ymytin, të cilit ia ndërprerë i dërguari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili këto ditë tha se në Kosovë nuk do të ketë “shtet brenda shtetit”.

Pra, nuk qëndron fakti se Serbia në takimin e 18 gushtit e kishte “frymën e duhur gjatë dialogut”, se Vuçiq shkoi i përgatitur” për të negociuar dhe vërtet i bëri punët e shtëpisë”, kurse Albin Kurti sikur ishte i papërgatitur.

Ndoshta ishte i “pa përgatitur”, sepse Kurti është arrë e fortë, i cili nuk mund të thyhet aq kollaj kur janë në pyetje interesat e shtetit, kur është ne pyetje mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës e sidomos tentimi që të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e Kosovës e në veçanti në veriun e Kosovës, i cili për këto 20 vite pas çlirimit u neglizhua nga liderët e mëparshëm, të cilët veriun e Kosovës sikur e lëshuan në lerë që gradualisht të rrëshqas kah Serbia, të cilën gjë Kurti kurrën e kurrës nuk do të lejojë, sepse veriu është i Kosovës, sepse shteti i Kosovës është pranuar nga 120 shtete të botës me të njëjtët kufij dhe se kufijtë e Kosovës nuk qitën në pazar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat