Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në facebook ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se ky i fundit i ka hapur rrugën Serbisë.
“Kryeministri Kurti do të mbahet në mend për hapjen e Kosovës ndaj Serbisë. Të gjithë kryeministrat tjerë e kanë hapur Kosovën ne raport me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut e me Malin e Zi. Ndërsa, i vetmi që e ka formalizuar hapjen totale ndaj Serbisë është Albin Kurti sepse të gjithë qytetarët e Kosovës të pakicës serbe të cilët kanë dy shtetësi, tani do t’i përdorin letërnjoftimet serbe për hyrje/dalje në të gjitha vendkalimet kufitare”, ka shkruar Hazri, përcjellë “Bota sot”.
Sipas tij, Kurti dhe qeveria e tij kanë diskutuar çështje teknike në dialog, duke i përjashtuar ato politike.
“Kjo është ajo situata win-win që edhe Prishtina ndihet fituese në këtë marrëveshje sepse lehtëson hyrje-daljet e qytetarëve, e po ashtu edhe Beogradi ndihet fitues sepse ka detyruar që qytetarët e Kosovës të pakicës serbe kanë të drejtë ta kenë letërnjoftimin e Serbisë dhe të hyjnë e të dalin me dokument të Serbisë e jo të Kosovës. Pra, ky kryeministër e kjo qeveri kanë trajtuar e vazhdojnë të trajtojnë çështje teknike në dialog, e duke i përjashtuar çështjet politike”, shkruan Lutfi Haziri.