Audioincizimi që dëshmon pazaret e Shaqir Totajt, emëron drejtor shkolle dhe auditor në këmbim të votave në asamble

Aktuale

Audioincizimi që dëshmon pazaret e Shaqir Totajt, emëron drejtor shkolle dhe auditor në këmbim të votave në asamble

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 16:37
Shaqir Totaj

Koalicionet me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, nuk ishin të mjaftueshme për të ja siguruar shumicën në Kuvendin Komunal kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj të PDK-së.

Duke qenë se Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ishin kategorike që të mos bënin koalicion për bashkëqeverisje me PDK-në, kryetari Totaj kishte zgjedhur mënyra të tjera për t’i “blerë” votat për asamble.

 Ai kishte peshkuar individualisht asamblistë të partive opozitare, duke i joshur me poste e favore në këmbim të votës.

 Në një audioincizim të siguruar kryetari i komunës së Prizrenit dëgjohet duke bërë pazare me x-personin në një restorant diku në Prizren.

Totaj e pranon haptazi që për të shtyrë procese përpara i duhen votat në asamble: “Ne e kemi zgjedhë kryesuesen e kemi pru komisione për mi zgjedh drejtorët (Në Arsim) ato hartat zonale e për krejt çka kemi pas nevoj”, dëgjohet duke thënë kryetari Totaj.

E për këtë kryetari Totaj kishte zgjedhë të bëj pazare me një nga personat kyç të opozitës, dhe për këtë i erdhi në ndihmë Osman Hajdari që ka qenë Drejtor i Administratës  Komunale në qeverisjen e Mytaher Haskukës.

Osman Hajdari vinte nga partia Nisma Socialdemokrate që kishte bërë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisjen e Haskukës. Pas prishjes së koalicionit me Nismën Socialdemokrate, Osman Hajdari kishte vendosur t’i bashkohej Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

Në zgjedhjet e fundit komunale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, Osmani Hajdari ishte zgjedhur asamblist nga radhët e LVV.

Në këto zgjedhje Partia Demokratike e Kosovës kishte arritur ta fitonte Komunën e Prizrenit pas raundit të dytë, ku kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj kishte mposhtur kandidatin e LVV, Mytaher Haskukaj.

Pas disa përpjekjeve për ta siguruar shumicën në asamble, kryetarit Totaj kishte negociuar pikërisht me Osman Hajdarin duke marrë premtim nga ky i fundit se mund të ia siguronte edhe dy vota nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje me kushtin që Totaj ta bënte auditor të brendshëm të Komunës së Prizrenit dhe t’u bënte favore edhe dy asamblistëve të tjerë të LVV, këtë e dëshmon vetë kryetari Totaj i cili dëgjohet në audioincizim.

“Kemi pas bashkëpunim me asamblistat prej partive të tjera, nja prej tyne u kan ajo, qekjo gruaja e Hemes (Shqipe Shatri,Asambliste e LVV) e diqka duhet me i dhanë, cka i japim e shohim ta kqyrim…. qeshtu e kemi ba marrëveshjen me këtë Osmanin (Osman Hajdari) i ka pas dy vota në asamble edhe kemi ba marrveshje që kur të na duhen neve vota me na votu. Ai ka lyp mu kthy n’auditim,… Jojo e kum vendos me e kthy në auditim. Une e kum analizu ma s’pari pozicionin edhe kam vendos me kthy për shkak që dy vota prej tij i kemi në asamble. Ai ka pas edhe do kërkesa tjera po unë i kam thanë qekjo ban, qekjo s’ban, qekjo ban qekjo s’sban… pra duhet me pas vota të mjaftueshme në asamble” dëgjohet në këtë audioincizim kryetari Shaqir Totaj.

Të gjitha këto pazare që dëgjohen në këtë audioincizim kryetari Totaj i ka realizuar me përpikmëri. Më 4 Gusht të këtij viti Drejtoria e Arsimit publikoi rezultatet e konkursit për drejtor të disa shkollave të Komunës së Prizrenit, ndër drejtoret e pranuar figuron edhe emri Hemë Qoqaj i cili është burri i asamblistes së LVV-së, Shqipe Shatri.

Asamblistja e LVV Shqipe Shatri u ishte bashkuar asamblistëve të pozitës duke votuar në Kuvendin Komunal për themelimin e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Si duket kjo duhet të ketë qënë pjesë e marrëveshjes për të cilën fliste Totaj në audioincizim: “Kemi pasë bashkëpunim me asamblistat prej partive të tjera, nja prej tyne u kan ajo, qekjo gruaja e Hemes e diçka duhet me i dhanë, cka i japim e shohim ta kqyrim…. qeshtu e kemi ba marrëveshjen me këtë Osmanin”

Ndërsa në Qershor të po këitj viti, në pozitën e Auditorit të Brendshëm është rikthyer Osman Hajdari duke dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit të Kuvendin Komunal, edhe kjo kishte qenë pjesë e marrëveshjes që kishte bërë kryetari Totaj sipas audioincizimit: Ai ka lyp mu kthy n’auditim,… Jojo e kum vendos me e kthy në auditim. Une e kum analizu ma s’pari pozicionin edhe kam vendos me kthy për shkak që dy vota prej tij i kemi në asamble.

Sipas burimeve të KosovaNews edhe asamblistja tjetër nga radhët e LVV-së që ishte pjesë e marrëveshjes Hajdari-Totaj që kishin bërë pazare për pozita të ndryshme në këmbim të votës mirëpo këto kishin dështuar me ndërhyrjen e organeve të hetuesisë që aktualisht janë duke e hetuar rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat