Shoqërohej me vëllain e Thaçit, Remit dhe biznesmenin e dënuar – Kush është Buleshkaj që u suspendua për rastin Dehari?

Aktuale

Shoqërohej me vëllain e Thaçit, Remit dhe biznesmenin e dënuar – Kush është Buleshkaj që u suspendua për rastin Dehari?

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 17:25
Burim Buleshkaj

Burim Buleshkaj, të mërkuren u suspendua nga detyra si udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, bashkë edhe me zyrtarin Korrektues, Destan Zogaj, lidhur me dyshimet për shkelje të rëndë në rastin vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren. Kjo erdhi disa ditë pasi ministrja Albulena Haxhiu, prezantoi gjetjet e një raporti të inspektimit lidhur me rastin. Kishte përmendur edhe Buleshkajn e zyrtarë tjerë të qendrës për shkelje.

Kush është Burim Buleshkaj, zyrtari i shërbimit korrektues që në kohë pandemie theu masat e vendosura nga qeveria, e u shoqërua nga vëllain e Hashim Thaçit, komandan Remit dhe një  biznesmen të dënuar.

Me 12 shtator Ministrja e Drejtëisë, Albulena Haxhiu doli në konferencën për media për të prezantuar një raport me gjetje të inspektorëve të kësaj ministrie lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Haxhiu tha se janë konstatuar shkelje të legjislacionit nga ana e zyrtarëve korrektues në atë kohë, pasi sipas saj, pamjet e kamerave që qendrën e paraburgimit para se t`i merrte policia i kishin marrë  zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD.

Përmendi me emra zyrtarët që sipas saj ishin identifikuar për shkelje.

“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përben shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, tha ajo.

“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 (kur ka ndodhur rasti) dhe datat 6, 7 nëntor 2016”, tha më tej Haxhiu.

Haxhiu tha se sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia.

“Pra është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD, kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes”, tha ajo duke kërkuar masa dhe hetime nga prokuroria lidhur me gjetejet.

Dhjetë ditë pas kësaj, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi zyrtarisht se ka suspenduar Burim Buleshlajn e Destan Zogajn.  

Buleshjak u suspendua nga detyra e udhëheqësit për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, i cili në vitin 2016 kur vdiq Dehari, ishte UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK.

Sipas njoftimit zyrtare të SHKK-së, ndaj dy zyrtarëve është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren. Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Nuk është hera e parë që Burim Buleshkaj suspendohet nga detyra.

Edhe në vitin 2020, kishte shkelur masat e qeverisë kundër covid-19. Atë kohë Burim Buleshkaj, mbante pozitën e ushtruesit të detyrës në burgun e Sigurisë së Lartë.

Gazeta pati raportuar se si Buleshkaj, nën shoqërinë e vëllait të Presidentit, Nazmi Thaçi si dhe dy personave të dyshuar për lidhje me krimin: biznesmeni Blerim Potera dhe Bedri Mustafa, vëllai i komandant “Remit”, kishin shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës.

Këto të fundit kishin vendosur për anulimin dhe mosmarrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të tjera në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.

Të gjithë këta, bashkë edhe me komandantin e  Njësisë Speciale të Kosovës, Amir Gërguri, ishin mbledhur rreth një tryeze qejfi me ushqim e birra, duke mos hezituar edhe të fotografoheshin gjatë kësaj ndeje. Ahengu ishte mbajtur në Shalën e Bajgorës, kishte mësuar gazeta.

Menjëherë pas raportimit të Insajderit, ministrja Albulena Haxhiu pati paralajmëruar masa. E një ditë pas raportimit u mor vendimin për suspendimin e Buleshkajt dhe Gërgurit, për një muaj. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat