Vazhdon përçarja në PDK, Ganimete Musliu kritikon ashpër kryesinë e partisë - tregon pse nuk mori pjesë në Konventë

Aktuale

Vazhdon përçarja në PDK, Ganimete Musliu kritikon ashpër kryesinë e partisë - tregon pse nuk mori pjesë në Konventë

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 19:55
Deputetja Ganimete Musliu

Konventa Programore e Partisë Demokratike të Kosovës që u mbajt këtë të shtunë, ka ngjallur pakënaqësi brenda këtij këtij subjekti politik.

Deputetja Ganimete Musliu ka hedhur kritika ndaj Kryesisë së PDK-së, teksa ka njoftuar arsyet e mospjesëmarrjes në këtë Konventë.

Në një postim në Facebook, ajo ka njoftuar se mungesa e saj në Konventë ka të bëjë me mospajtimin për mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin.

Po ashtu, Musliu ka bërë të ditur se nuk i duket e arsyeshme të bëhet pjesë e një Konvente ku nuk përmenden ish-themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Nuk e shoh të arsyeshme të bëhem numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkëlqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”.

Tutje, Musliu ka thënë se në emër të reformave në parti “po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor”.

“Reformat janë të mirëpritura, por nuk reformohet një parti duke mohuar vlerat mbi të cilat u themelua, vlerat mbi të cilat e qeverisi dhe e rindërtoi vendin. Çdo Parti duhet të hapet dhe të bëhet shtëpi ku gjeneratat e reja do të angazhohen, por pa e mohuar kontributin dydekadësh të aktivistëve dhe kuadrove të cilët ishin mburrja dhe krenaria e Partisë dhe e Kosovës”.

Deputetja ka akuzuar kryesinë aktuale e PDK-së se po injoron çdo përpjekje për debat të brendshëm, “duke u vetëknaqur në ‘lavdinë’ e tyre momentale”.

Megjithatë, ajo ka shtuar se do të qëndrojë në PDK që të bëj opozitë kundër partisë në pushtet, por ka thënë se do të vazhdojë të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda PDK-së.

“Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Dmeokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Bashkë me ta do të qëndroj fuqishëm në PDK, por kurrë më nuk do të hesht para veprimeve destruktive dhe të dëmshme për Partinë dhe për Kosovën. Nëse debati i hapur dhe i sinqertë dhe kritika konstruktive do të më penalizojnë mua personalisht mbetet të shihet; Por do të ngushëllohem nëse në të ardhmen Gratë dhe Vajzat do të marrin guxim dhe do të ngrisin zërin e tyre për përmbajtje dhe për barazi të vërtetë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat