Vetë brinjët e thyera, vëllain e shihte teksa i rrjedhte gjaku rrëke, i mbijetuari i Masakrës së Bërnicës rrëfen tmerrin nga torturat e serbëve

Aktuale

Vetë brinjët e thyera, vëllain e shihte teksa i rrjedhte gjaku rrëke, i mbijetuari i Masakrës së Bërnicës rrëfen tmerrin nga torturat e serbëve

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 11:58
Ejup Reka

I mbijetuari i Masakrës së Bërnicës, Ejup Reka rrëfeu se si e kuptoi humbjen e bashkëshortës dhe vëllait të tij, të cilët fatkeqësisht ishin vrarë në sy të fëmijëve të tyre, ai tregoi edhe për torturat barbare të cilat i përjetuan pikërisht pas ditës kritike të 18 prillit.

I mbijetuari i masakrës, Ejupi thotë se pas këtyre vrasjeve, humbjeve të mëdha për ta, armët kishin pushuar dhe kishte filluar maltretimi barbar.

“Pas një perjudhe pasiqë shiquan a jemi të armatosur apo diçka tjetër, atëherë na ndajnë, dhe me duar të lidhura në kokë na drejtuan në një tjetër shesh të fshatit, ku na plandosën përsëri për tokë, dhe jo fortë larg nesh i sollën gratë e fëmijët grumbull aty…Pastaj, unë i isha nënshtruar një torture, sepse ishin serbët lokal ata që ua kishin sygjeruar, dhe në prezencën e fëmijeve ato tortura bëheshin”, tregoi ai.

Ejupi tregon se pasi i kishin shtrirë në tokë burrat e fshatit, gratë dhe fëmijët e tyre i kishin hipur në një kamion dhe i kishin lënë në fshatin Gllogovc të Lipjanit.

“Pasi ndejtëm dy orë të plandosur aty, për tokë, në sheshin e fshatit, i morën gratë dhe fëmijët dhe i dërguan diku në fshatrat e Lipjanit, i kanë zbritë dhe i kanë thënë “Gjinduni, se me ata s’ka më, ata i kemi ne në dorë”

Pasi i kishin lënë gratë e fëmijët në Lipjan, serbët kishin vazhduar torturat mbi burrat e fshatit.

“Neve na zhvendosën në një fshat tjetër, dhe gjithë ditën na kanë mbajtë me kamë të hapura e me duar të pshtetura prej një shtëpie të vjetër aty. Maltretime, ofendime… na i lidhën duart fortë me tela, jo me litarë, dhe na ngarkuan në kamionetë, dhe të gjithë sa ishim aty meshkuj, na dërguan në Prishtinë, te Sektorati i Punëve të Brendshme. Sigurisht, plani i tyre ishte me na likuidu, por nuk e di se çfarë ndodhi aty, një mosmarrëveshje e vogël ishte dhe përsëri na kthyen në fshat. Na kthyen në fshat, me duar të lidhura, dhe nuk kemi mujtë as njëri-tjetrit me i dhënë ndihmë. Vonë dikur, njërit i jepet mundësia dhe ia zgjidh dorën tjetrit, pastaj tjetrit, por kanë shku dy ditë e nuk e kemi ditë që janë duart tona ato”, tha ai.

Ejupi gjithashtu tregon se të nesmrën kishte ardhë një serb, i cili ishte fjalosur deri në ofendime me ushtarët serbë qe i kishin maltretuar fshatarët e Bërnicës, duke i thënë “Nesër ju ikni, ku do mbesim ne?”

TORTURAT

I mbijetuari i Masakrës së Bërnicës tregon një ngjarje tejet të rëndë që i kishte ndodhur teksa ishin të lidhur e të maltretuar brenda një lokali të fshatit.

“Në veçanti torturat i kemi përjetuar në ditën e dytë. Kur i hapën dyert e atij lokali, siç ishim pa ngrënë pa pirë prej mëngjesit, filluan me na marrë në pyetje, e në veçanti të parin më morën mua. Ishin njerëz me uniforma të zeza, me shkopa të bejzbollit, me të gjitha ato mjetet e torturës, dhe tentonin me nxjerrë informata favorizuese për ta…”ku i keni marrë armët?”…”

Rrahje, maltetrime, sharje, fyerje deri në ekstrem. Na merrnin në pyetje secilin, në shumicën e rasteve unë prezent aty, me qëllim që me fut njëfarë ndarje aty, kush çka po flet për tjetrin. Unë isha ai që i kisha pranuar të gjitha. “Të gjitha organizimet i kam bërë unë, jemi fshat i vogël, struktura tjera ska, unë jam ai”, u kishte thënë Ejupi.

“Ditën e parë, i kisha britë e thyera, unë nuk kisha mund t’iu mbijetoj atyre torturave që i ka përjetuar Hashimi. Por, vëllai për vëlla…Një moment u qova unë, isha në atë gjendje çfare isha…mu dhimtë, e pashë i shkonte gjaku rrëke dhe e shtyva, i thash “largohu be andej, po bërtit more pak, po a po të vje inati a, a po të vjen marre a, hiç, gojën nuk e çelke”, e e shtyjë i thom shko ti më larg, se po hy unë në rend qëtu, e dijsha që unë ato s’mund t’i bajë, nuk mundke me fol… veç më tha “ik, ik se s’mundesh ti me e bajtë këtë”, e vërtëtë, s’mundesha me e bajtë”, rrëfeu Ejupi.

Ejupi tha se pësuan tortura çnjerëzore, e në veçanti këtyre torturave iu nënshtrua vëllai i tij Hashimi, krejt kjo për faktin se ai ishte tejet i zhvilluar dhe sipas Ejupit, në njëfarë forme serbëve iu vinte inat që UÇK-ja kishte ushtarë aq të zhvilluar.

Ejupi gjithashtu tregon se ata goditeshin me mjete shumë të forta, me lopata, e përveç kësaj i kishin edhe sytë e mbyllur. Ai poashtu tha se serbët e kishin për qëllim eleminimin e tyre, për të mos treguar për masakrën e torturat çnjerëzore që i përjetonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat