Serbia e ka vënë në ankth Perëndimin!? / Uashingtoni dhe Brukseli të shqetësuar nga rrengu rus!

Aktuale

Serbia e ka vënë në ankth Perëndimin!? / Uashingtoni dhe Brukseli të shqetësuar nga rrengu rus!

Nga: Idriz Morina Më: 26 shtator 2022 Në ora: 19:24
Forcat e Sigurisë së Kosovës në stërvitje

Marrëveshja e nënshkruar në zyrat e OKB-së, ndërmjet Rusisë dhe Serbisë për politikën e jashtme, që duket se përmban edhe një marrëveshje, për Kosovën, po kthehet në një çështje, që Perëndimi për herë të parë pas sa vitesh, duket, se nuk do ta lejojë Serbinë, ta kalojë provokimin, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Ambasadori amerikan Kristofer Hill në Beograd, ka deklaruar, qartë: “Askush s’duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë”. Deklaratë kjo e bërë sot, ku Hill thotë se është duke pritur shpjegime nga Serbia.

Po ashtu ai ka ngritur edhe një pyetje tjetër thellësisht legjitime, se ku mbështeten, pra në çfarësinë e marrëdhënieve.

“Në çfarë bazohen marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”.

Ne kemi një histori të dhimbshme me serbët dhe Serbinë. Përgjigjen për dilemat e shtruara nga ambasadori Hill në Beograd, të cilat ai i ka të qarta, por pret t’i kuptojë drejt Serbia përballë Uashingtonit, e jep historia tragjike e shqiptarëve.

Në çdo konferencë ndërkombëtare Serbia është ankuar rrejshëm, se si serbët janë viktima të shqiptarëve, madje duke na quajtur herë turq, herë mysliman. Por, të mbështetur fuqishëm nga Rusia dhe me kompromise nga vende tjera, i ka realizuar qëllimet në dëm të shqiptarëve.

Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese

Ndërkohë, sonte ka reaguar presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke i bërë thirrje Perëndimit, që ta kuptojnë saktë modelin politik që e ndjek Serbia. Sipas presidentes, politika që ndjek Vuçiqi, është po ajo e Millosheviçit, pasi ai është thjesht një pasues i tij, por që nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për destabilizim të rajonit dhe se këtë tash po përpiqet ata arrijë me Rusinë.

“Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese dhe tani ju e keni parë, vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë”.

Ndërsa, Bashkimi Europian, i kushton rëndësi të veçantë faktit, se pse kjo marrëveshje ndodhi, pikërisht, vetëm pak kohë pasi, Rusia urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rusëve, në emër të luftës në Ukrainë, dhe pas urdhrit të përshpejtuar për organizimin e referendumeve në Ukrainë.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, sot e ka vënë në diskutim kontekstin në të cilin është nënshkruar dokumenti serbo-rus ‘për konsultime’, i cili sipas tyre ishte nënshkruar vetëm disa ditë pasi Moska njoftoi një mobilizim për luftën e Ukrainës dhe filloi të organizojë referendume në rajonet e populluara me rusë etnikë.

“Ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po e ndjekim këtë”, ka thënë Stano.

Megjithatë është e paqartë, se çfarë implikimesh ka konteksti i marrëveshjes, me referendumin rus!

Për të kuptuar më shumë, mund të na vijë në ndihmë për shqyrtim, një deklaratë e bërë nga Muharrem Maralusha, gjeneral amerikan në pension, shqiptarë nga Kosova.

“Rusia do të mbështesë një nismë serbe për mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës. Rusia i premton ndihmë Serbisë në arritjen e rezultateve pozitive”, ka shkruar në mëngjesin e hershëm sipas kohës sonë, Maralusha, i cili jeton në SHBA.

Pra, ajo që thotë Stano, përkatësisht shqetësimin që shpreh Bashkimi Europian, mund të jetë pikërisht se në sfondin e komunikimit të diplomacisë së SHBA-BE, ka rënë në vesh, një mundësi apo përpjekje e këtillë, e Serbisë.

Projeksione të dështuara serbe

Është e vështirë të parashikohet se si mund të realizohet një projekt i tillë nga Serbia, por institucioneve të Kosovës, vet ideja, ia vështirëson punën.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, thuajse të gjitha përpjekjet politike dhe diplomatike, të shqiptarëve atdhetarë, por edhe të diplomatëve, që vërtetë ia kanë dashur të mirën shtetit të Kosovës, këtë mundësi nuk e kanë përmendur, ose e kanë pasur idenë, se nga të gjitha ky zhvillim është skenari më i keq.

Lejimi i zhvillimit të një skenari të këtillë është më se i dëmshëm, dhe më i papranueshëm nga të gjithë të deritanishmit.

A jemi ne të gatshëm, që ta parandalojmë atë.

Sipas asaj, që po duket si një marrëveshje serbo-ruse, për mbajtje të një referendumi në veri të Kosovës, me premtimin se do të ndihmojë Rusia, na krijohet edhe një vështirësi ushtarake dhe diplomatike.

Por, në anën tjetër, mbështetja e gjerë perëndimore, reagimi kundërshtues i të gjithëve përfshirë vetë Serbinë, për referendumet në zonat e pushtuara të Ukrainës, nuk i japin thuajse asnjë mundësi, një zhvillimi të këtillë. Por, a mund të shtrohet kjo si një shantazh nga Serbia, përfshirë edhe dokumentin, dhe të rezultojnë thjesht si një farsë. Besoj, se më shumë ka të bëjë me një vepër shantazhi, shtirjeje që po e luan me Rusinë kundër Perëndimit, për të përfituar favore.

Kosova e ka treguar zotësinë se mund të parandalojë edhe mbajtjen e referendumeve të organizuara nga Serbia, sikurse në fillim të këtij viti. Dhe ky vendim i Qeverisë së Kosovës është zbatuar. Pra, shikuar nga kjo perspektivë, një organizim i atillë, është i pamundur të ndodhë në kushtet e tanishme, përveç nëse ajo tolerohet ta pushtojë veriun.

Por, që të ndodhë ky skenar, duket i pamundur, për aq kohë, sa Kosova është një shtet i garantuar nga SHBA-të, dhe e kemi NATO-n këtu dhe një forcë në ngritje në aspektin taktik, profesional e teknik si FSK-ja, dhe forcat elitare policore të stërvitura shumë mirë!

Sidoqoftë, deri më 2 nëntor, vështirë se Serbia mund të fillojë ndonjë provokim, pasi nga nesër fillojnë stërvitjet 5 javore, të NATO-s, në Kosovë, së bashku me FSK-në!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat