​U mbajt akademi në mbështetje të Luginës së Preshevës

Aktuale

​U mbajt akademi në mbështetje të Luginës së Preshevës

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:59
Foto ilustrim

Me rastin e 40-vjetorit të LPK-së dhe 25-vjetorit të kalimit të Këshillit të Rrethit të Preshevës në formacion ushtarak të UÇK-së, sot në Gjilan është mbajtur akademi mirënjohjeje në mbështetje të Luginës së Preshevës - Kosovës së paçliruar.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Bajrush Xhemaili tha se pavarësisht përpjekjeve për nënshtrim nga serbët, shqiptarët nuk u dorëzuan asnjëherë në luftën e tyre për liri. Ai tha se Presheva me Kosovën ka të përbashkëta të gjitha, përveç lirisë.

Xhemaili tha se ka ardhur koha që shteti i Kosovës të njihet nga Serbia.

"Lugina ashtu siç e ka të përbashkët të kaluarën, duhet ta ketë edhe të ardhmen. Ka ardhur koha që shteti sovran i Kosovës të njihet edhe nga Serbia", tha ai.

Shaqir Shaqiri, njëri nga bartësit e përgjegjësive të organizimit në Luginë të Preshevës, i cili është persekutuar me burg politik qysh si i mitur, paraqiti një historik të organizimit dhe veprimtarisë së vazhdueshme ndër vite në Luginë të Preshevës.

"Është alarmante dhe duhet ta kuptojmë të gjithë se banorët rezidentë në Luginën e Preshevës ka 50% më pak, andaj Lugina e Preshevës kërkon zgjidhje politike. Lugina e Preshevës është Kosovë e paçliruar", tha ai.

Kryetari i Këshillit Nacional për Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi tha se mungesa e lirisë reduktohet në mëshirën e shtypjes, derisa ka shtuar se Lugina e Preshevës ka qenë në hap me Kosovën, dhe për këtë është shprehur krenar.

"Liria është parakusht për dinjitet drejtësi e barazi. Mungesa e lirisë reduktohet në mëshirën e shtypjes. Lugina e Preshevës ka qenë në hap me Kosovën e për këtë na bënë krenar e që më tej idealin e kem të përbashkët", tha ai.

Me këtë rast mirënjohje u janë ndarë veprimtarëve për çështje kombëtare Ali Aliut, Njazi Kadriut, Xhavit Nuhiut , Xhevat Ajvazit, Ibrahim Fejzullahu, Sadik Jasharit dhe Jonuz Musliut.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat