Rusët po vijnë! Edi Rama a po “gëzohet”!? / Rreziku nga lufta speciale

Aktuale

Rusët po vijnë! Edi Rama a po “gëzohet”!? / Rreziku nga lufta speciale

Nga: Idriz Morina Më: 28 shtator 2022 Në ora: 21:43
Rusët kur vinin si turistë në Shqipëri, dhe Edi Rama iu gëzohej edhe atëherë

Është e habitshme se Shqipëria nuk arriti të ndërtojë një politikë shtetërore unike dhe të qartë, së pari për të mbrojtur vetë Shqipërinë dhe shqiptarët brenda shtetit. Jo, nuk them nga një pushtim i huaj, sepse si ka treguar koha, ajo u shpëtua, edhe para Luftës së Dytë Botërore edhe pas saj, edhe në demokraci, kur mendohej se shteti shqiptar ra, në trazirat e ‘97-ës.

Shteti është më shumë se sa thjesht një ekzistencë në një kohë. Se është e qartë ajo që thashë në fillim, më së miri e argumenton e dhëna statistikore, se Shqipëria ka më pak banorë, se sa që kishte në vitin 1990. Pra, pas më shumë se 30 vitesh kur duhej të kishte s’paku edhe 1.5 milionë banorë më shumë, pra rreth 4.5 milionë banorë, substanca e saj kryesore, njerëzore është tkurrur dhe vazhdon të tkurret. Madje viteve të fundit, sërish është kthyer në përmasa eksodi, braktisja e atdheut. Nga viti 2014, sipas të dhënave statistikore dhe të opozitës, deri në vitin 2022, Shqipërinë e kanë braktisur rreth 750 mijë shqiptarë, apo çereku i popullsisë, pa llogaritur këtu shtimin e kësaj popullate brenda tetë vitesh, jashtë atdheut. Pra, Shqipëria po shpopullohet nga shqiptarët autoktonë.

Pa fije turpi

Për këtë qeveria shqiptare, as skuqet, as nuk turpërohet.

Por, në këto vite, dhe më parë në Shqipëri kanë filluar të zënë vend popullata të huaja, si pasojë e luftërave dhe përpjekjeve nga Azia dhe Afrika, që të shkojnë në vendet perëndimore në BE. Kjo popullatë është në rritje, si sirianë, afganistanas, iranianë, e deri te kontingjenti i fundit, që sapo kanë nisur të arrijnë në Shqipëri, rusët.

Madje më e habitshmja është se Edi Rama të mërkurën në Tiranë, tha se i mirëpret rusët që mund të vijnë në Shqipëri, nën arsyetimin, “të arratisurit nga lufta”.

Nëse deri dje rusët u akuzuan se mund të ishin agjentë dhe u arrestuan, si mund t’ju shprehësh aq lehtë mirëseardhje kur mund të vijnë disa mijëra, dhe në mesin e tyre, dhjetëra apo qindra të infiltruar, që mund të kryejnë veprimtari armiqësore, nga ato kibernetike, luftë hibride, e deri te lufta speciale, me helme kimike apo të shërbejnë si linjë ‘transportimi’ të një terrorizmi të panjohur.

Shqipëria sapo ka përjetuar një sulm të madh kibernetik, për të cilin e akuzoi shtetin e Iranit, gjë që çoi në dhënien fund të marrëdhënieve diplomatike, duke urdhëruar mbylljen e ambasadës iraniane.

Në këtë kontekst një fluks i madh rusësh, mund të sjellë agjentë të infiltruar edhe nga shtetet tjera, me qëndrime armiqësore ndaj Shqipërisë, si p.sh. Irani.

Bashkëveprimi i tyre së bashku, apo edhe vetëm ndaras, mund të paraqesë probleme serioze për sigurinë e Shqipërisë, por edhe për shumë shtete të tjera, të cilave ia kanë mësyrë shtetasit e Rusisë, e që mund të jenë problematike për sigurinë e thuaja të gjitha vendeve të tjera pritëse, ndaj të cilave Rusia ka disponim armiqësor, si një shtet autoritar dhe diktatorial.

Prandaj, unë e mendoj si një lojë të rrezikshme të shërbimeve të sigurisë ruse, të cilat mund ta kërcënojnë dhe shantazhojnë perëndimin, nëpërmjet kësaj ‘armate ruse’ të shpërndarë, por të panjohur!

Sigurisht se inteligjenca perëndimore ka mjetet e duhura, informacionet dhe mundësitë për të mbikëqyrur lëvizjet e papritura, por ballafaqimi me një luftë speciale, me projekte të panjohura të Kremlinit, mund t’iu sjellë telashe edhe atyre, ndërsa pasojat për Shqipërinë mund të jenë tepër të rrezikshme!

Infiltrimi në media

Prandaj, nuk është aq e lehtë, sa thuajse të merret si me gëzim nga ana e Ramës, pa e shprehur asnjë rezervë, dhe pa u munduar ta paraqesë edhe si një çështje humanitare, dhe që një ikje masive nga Rusia, e ndihmon në një mënyrë edhe luftën e Ukrainës të mbështetur nga Perëndimi, kundër Rusisë!

Image
Agjentë rusë që u arrestuan javë më parë nën akuzën për spiunazh

Në Shqipëri edhe ashtu ka një luftë aktive hibride ruse, ku përveç rastit të arrestimit të para disa javëve, të të dyshuarve si agjentë rusë, në Shqipëri ka një strukturë biznesesh, e veprimesh deri te financimi i disa mediave, nga Rusia.

Raporti i Freedom House për vitin 2021 për Shqipërinë, e citon Unionin e Gazetarëve Shqiptarë (UAJ), i cili deklaron se ka 45 televizione, 800 media online, shumë nga të cilat financohen nga jashtë, pa saktësuar sa, apo të gjitha këto të përmendura.

“Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UAJ), ka rreth 45 TV dhe 800 media online, që operojnë në mbarë vendin dhe marrin fonde nga jashtë, duke përfshirë mbështetjen financiare nga Rusia, Irani, Kina, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Italia - ose nga krimi i organizuar, veçanërisht mediat online”, thuhet në raportin e Freedom House.

Diktatori Putin ka shpallur ditë më parë, urdhrin për mobilizimin e rezervistëve rusë, dhe të atyre me përvojë ushtarake, që sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, do të thirren rreth 300.000 veta, mbase edhe më shumë, në luftë me Ukrainën, nga e cila po pëson humbje të mëdha javëve të fundit në territoret e pushtuara.

Ky mobilizim i detyrueshëm, i ka nxitur rusët e pakënaqur që të ikin jashtë shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat